Drama e stadiumit “Besa”, ekipi vazhdon degdisjen/ Mbi 4 dekada pa ndërhyrë, as FSHF-ja s’i ka në “hartë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2021 | 22:15

Drama e stadiumit “Besa”, ekipi vazhdon degdisjen/ Mbi 4 dekada pa ndërhyrë, as FSHF-ja s’i ka në “hartë”

Kanë kaluar më shumë se 4 deka da që nga inaugurimi i stadiumit “Besa”, por sot që flasim ai është shndërruar në një gërmadhë të vërtetë. Nuk plotëson asnjë nga kriteret e vendosura nga FSHF-ja për licencimin dhe si përfundim do të jenë sërish të detyruar që të luajnë ku të munden.

Besa stadiumi

Nëse para dy vitesh verdhezinjtë degdiseshin në Peqin, vjet u sajuan në Luz. Një fushë me parametra të kënaqshëm, megjithatë vetëm stadium nuk mund të quhet dhe mbi të gjitha i rrinte vërtet ngushtë një klubi me kaq histori si Besa. Kur jemi në pritje të sezonit 2021-2022 dhe nga kavajasit trumbetohet me të madhe se do të ndërtohet skuadra më e mirë e 5 viteve të fundit, është harruar një detaj: infrastruktura.

Duan me të vërtetë të ngjiten në elitë, por edhe këtë herë do t’u duhet të gjejnë terren për të luajtur, pasi në shtëpi nuk mund të rrinë… Që prej 1974-ës kurrë nuk u ndërhy në këtë impiant, ndonëse ka domosdoshmëri urgjente. Të shumtë janë ata që kanë ngritur zërin dhe kanë bërë apel, por askush nuk po e merr mundimin që të bëjë diçka për stadiumin “Besa”.

I kemi parë dhe stërparë pamjet që na janë ofruar këta muaj nga ajo fushë, që janë sa për të qeshur aq edhe për të qarë. Futbollistët u bënë kohë që nuk shkelin më aty për t’i rënë topit dhe maksimumi që mund të shohësh janë disa dele apo dhi që pastrojnë barërat e këqija. Bashkia Kavajë pati premtuar se do të bënte rikonstruksion, madje e kishin edhe një projekt. E megjithatë, ai vazhdon të mbetet në letra. Nga ana tjetër, edhe FSHF-ja nuk e ka në “hartë” këtë stadium. Bën mirë që investon ku të mundet, por duhet t’i kthejë sytë edhe nga Besa.

ADELA MERKO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"