Dr. Vaqarri skanon Tiranën: Humbjet në fund, jo rastësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2021 | 16:02

Dr. Vaqarri skanon Tiranën: Humbjet në fund, jo rastësi

Superliga e basketbollit të meshkujve ka përfunduar fazën e parë, teksa sporti i koshit u rikthye edhe një herë të dhurojë emocione, ndonëse ndeshjet po luhen pa praninë e publikut, për shkak të pandemisë. Edhe pse me probleme financiare për disa vite radhazi, Tirana vijon të mbetet një prej skuadrave më të bukura të kampionatit, megjithatë bardheblutë duket se nuk po shërohen nga “sëmundja e sekondave të fundit” që po i shoqëron në 2- 3 edicione, duke shpërdoruar fitore që të sigurta. Për situatën në kampin bardheblu është prononcuar organizatori Majk Vaqarri. Basketbollisti 27-vjeçar, me profesion mjek, është truri i skuadrës kryeqytetase, ndërsa është zgjedhur nga FSHB edhe si organizatori më i mirë i kampionatit. Në një intervistë për “Panorama Sport” Vaqarri komenton startin e sezonit për Tiranën. Ai flet për problemin që i po shoqëron 20-herë kampionët e Shqipërisë gjatë këtyre viteve, si dhe për sportin e koshit në kohë pandemie. Ndër të tjera ai rrëfen edhe objektivat e kryeqytetasve, si dhe jep opinionin e tij për skuadrën favorite të këtij kampionati.

VAQARRI

Vaqarri, Superliga tashmë siç dihet ka mbyllur fazën e parë. Si do ta gjykoni ecurinë e Tiranës deri në ketë pikë të kampionatit?

Si vit i parë që zbresim në parket në kohë pandemie, do të thosha që ka qenë më mirë se e kishim parashikuar, por rezultatet nuk kanë qenë ato që ne prisnim. Kemi fituar 2 ndeshje dhe kemi humbur 3, pra nuk ka qenë një ecuri e mirë për ne. Ndoshta ka ndikuar edhe mungesa e gjatë e ndeshjeve për shkak të pandemisë.

Një tjetër problem për ju ka qenë edhe mungesa e kapitenit Shima, në pjesën më të madhe të takimeve. Sa ka ndikuar në skuadër mungesa e tij?

Mungesa e Shimës pa diskutim ka lënë një boshllëk të madh në skuadër gjatë këtyre ndeshjeve. Siç dihet ai është edhe kapiteni, ka një eksperiencë të madhe dhe na ndihmon shumë në çdo aspekt të lojës tonë. Kështu mos prezenca e tij ka lënë një gropë të madhe të cilën nuk e mbulojmë dot.

Edhe këtë vit kemi një Tiranë që po përballet si e barabartë me skuadra që luajnë me shumë lojtarë të huaj…

Tirana prej vitesh po luan me të njëjtin grup lojtarësh, me djem që stërvitet dy herë në ditë dhe fusha ka treguar që jemi përballur me ekipe që kanë 8-9 lojtarë të huaj si dhe trajnerë të huaj. Megjithatë, në fund nuk mund të mjaftoheni vetëm me lojën e bukur, pasi na duhen fitoret, kështu që nuk duhet të kënaqemi më vetëm me lojën e mirë.

Në aspektin personal, jeni i kënaqur me veten në këtë fillim sezoni?

Mendoj që në basketboll nuk duhet parë aspekti personal, pasi është një lojë grupi. Nuk ka rëndësi se si paraqitet një lojtarë, pasi ne duhet të funksionojmë të gjithë bashkë dhe në fund është i gjithë ekipi që fiton apo humbet. Deri tani siç e thashë kemi pasur 3 humbje dhe 2 fitore, ku gjitha disfatat na kanë lënë shije shumë të hidhur. Megjithatë ajo që mund të them se lojtarët të gjithë po bëjnë maksimumin, duke nisur që nga stërvitja. Por, tani ka 2-3 vite që po bëjmë lojëra të bukura dhe po i humbasin ndeshjet në minutat e fundit. Një apo dy ndeshje mund të konsiderohen rastësi, por tani nuk mund të quhet më rastësi dhe mendoj që diçka duhet të ndryshohet tek ekipi.

Si do ta komentonit ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë, ku patët një reagim të shkëlqyer, por sërish sekondat e fundit rezultuan fatale për Tiranën…

Me Vllazninë na duhej shumë një fitore dhe e nisëm mjaft mirë lojën. Por, edhe këtu u ndje shumë mungesa e Shimës, edhe për faktin e shtatlartësisë së kundërshtarit, me 4 lojtarë të huaj me gjatësi mbi 205 cm. Gjithashtu, u ndie edhe për eksperiencën. Megjithatë, u munduam të jepnim më të mirën tonë, por kjo nuk mjaftoi pasi sërish u ndëshkuam në fund. Humbëm një ndeshje të pabesueshme, kur kishin mbetur vetëm 6 sekonda lojë dhe kishim topin në dispozicion.

1

Si basketbollist por edhe si mjek, si është të luash në kohë pandemie?

Është një situatë shumë e vështirë, sidomos për lojtarët, të cilët janë gjatë gjithë kohës të ekspozuar ndaj rrezikut të COVID-it. Mendoj se duhen të merren edhe më shumë masa për tu mbrojtur, si për sportistët ashtu edhe për stafet e çdo skuadre. Normalisht edhe mungesa e tifozëve ka rëndësi të madhe. Tani luajmë në pallate sporti ku mbizotëron heshtja dhe duket sikur po luajmë tenis, ku nuk duhet të ketë zhurma, ndërkohë që basketbolli është sporti i tifozëve, të cilët kanë një rol shumë të rëndësishëm.

Pavarësisht vështirësive të viteve të fundit, Tiranës nuk i ka munguar asnjëherë mbështetja e publikut. Sa ka ndikuar në skuadër zhvillimi i ndeshjeve pa tifozë?

Pa diskutim që ka ndikuar shumë. Skuadrat e tjera kur vijnë në shtëpinë tonë në “Farie Hoti” vijnë të frikësuara. Mirëpo, tani na kanë braktisur, jo për shkak të dëshirës së tyre, por për rregullat që duhen zbatuar.

Tashmë që jeni përballur me të gjitha ekipet, cili kundërshtar ju ka impresionuar më shumë dhe e konsideroni si favorit kryesor për titull?

Do të thosha Teuta, pasi ka një ekip të bukur dhe një pjesë e madhe e lojtarëve kanë kohë që luajnë bashkë. Gjithashtu, kanë edhe një trajner që prej vitesh është fitues në kampionatin shqiptar. Por, Tirana mbetet Tirana dhe do të jetë gjithmonë në luftë për titullin deri në fund, pavarësisht problemeve. Tani presim fazën e dytë për të rikuperuar humbjet dhe për t’u ngjitur në krye të tabelës.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"