Dovedan, në debutim sot ndaj Skënderbeut: Shoh grintë dhe dëshirë! Apolonia me brez të artë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2022 | 8:25

Dovedan, në debutim sot ndaj Skënderbeut: Shoh grintë dhe dëshirë! Apolonia me brez të artë

Apolonia kreu dje seancën e fundit për ndeshjen që do të luajë sot ndaj Skënderbeut në stadiumin “Loni Papuçiu”, duke nisur nga ora 13:00. Ky takim është i prapambetur për llogari të javës së tetë, teksa u shty për më 4 dhjetor për faktin se atëherë kur duhej të zhvillohej, klubi fierak ishte i angazhuar në Ligën e Kampioneve për të rinj. Trajneri boshnjak, Veljko Dovedan, bën debutimin në pankinën fierake dhe pas disa ditëve stërvitje ai beson shumë se skuadra që drejton ka të ardhme të ndritur. Dovedan foli dje për “Panorama Sport”, duke theksuar se pret ta nisë me tri pikë tek Apolonia.

Dovedan

Zoti Dovedan, si e keni parë gjendjen e ekipit në këto pesë ditë që keni marrë drejtimin?

Janë vetëm pesë ditë stërvitje intensive, përmes të cilave kam kuptuar se ky ekip do të ecë lart në të ardhmen e afërt. E them këtë, duke parë angazhimin e të gjithë lojtarëve. Jam i kënaqur, sepse kam parë shumë grintë dhe dëshirë për t’u rikthyer te suksesi në kampionat.

Skuadra është kryesisht në moshë të re. A mjafton kjo për të pasur sukses në Kategorinë e Parë?

Të tregohem i sinqertë, suksesi në Kategorinë e Parë do ende shumë kohë për t’u arritur. E pamundur nuk është, por në radhë të parë ne duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës në kampionat. Pa asnjë diskutim që ky brez lojtarësh është i artë, por përmirësimi i lojës së tyre duhet të jetë sistematik. Më e mira është përpara për të gjithë ne.

Çfarë do të ketë ndryshe kjo Apoloni nën drejtimin tuaj?

Personalisht flas pak dhe punoj shumë në çdo seancë për ta përgatitur ndeshjen me kujdes. Ajo që mund të them me siguri është se kjo Apoloni do të hyjë në fushë vetëm e vetëm për të triumfuar. Nuk na mungon aspak dëshira, por vetë vendi ynë në renditje na bën të kemi një marsh tjetër në këto sfida të mbetura të fazës së parë.

Kalendari duket i pamëshirshëm në katër javët e ardhshme. Besoni se do të dilni nga zona e rënies?

Nëse japim maksimumin tonë, patjetër që po. Na mbetet thjesht të luajmë pa presion. Do t’i marrim ndeshjet sipas radhës, sepse në këtë kategori asnjë takim nuk është i lehtë. Fokusi ynë i vetëm është ndeshja e së dielës me Skënderbeun, e cila për fatin tonë të mirë është në fushën tonë.

Edhe Skënderbeu vjen me një trajner të ri, sa besoni te tri pikët?

Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për vetë faktin se do të përballen dy klube historike në futbollin shqiptar. Skënderbeu mbetet ende një kundërshtar i vështirë për këdo, kështu që ne e vlerësojmë shumë. Apolonia do të tregojë forcën e saj reale në këtë takim.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"