Dovedan mungon, por trajneri karikon fierakët para nisjes në Bosnjë: Pres surpriza

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2023 | 10:55

Dovedan mungon, por trajneri karikon fierakët para nisjes në Bosnjë: Pres surpriza

Apolonia është gati për të sfiduar Skënderbeun. E dinë që do të jetë transfertë e vështirë, por nuk e quajnë të pakalueshme. Në Fier kanë një plan: të përsërisin Dinamon edhe në Korçë. Këtë besim e ka edhe vetë Veljko Dovedan, ndonëse sot nuk do të jetë pankinë. Trajneri do të udhëtojë drejt Bosnjës për të rinovuar licencën. Trajnimi do të zgjasë tri ditë, ndaj pritet që në “timon” sot të jetë drejtori Mariglen Kule. Tekniku boshnjak gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport” analizon gjendjen e skuadrës, ndeshjen e radhës dhe synimet.

dovedan

Kampionati rifillon nesër (sot). Sa ju shërbeu pauza?

Të tregohem i sinqertë, gjendja e skuadrës është mjaft e mirë dhe kemi punuar të plotë para kësaj ndeshjeje. Jemi munduar të bëjmë sa më mirë, që të korrigjojmë veten dhe të jemi të përgatitur për këtë ndeshje të rëndësishme. Unë dhe djemtë e mi jemi gati më shumë se kurrë për të marrë sot një rezultat pozitiv. Fizikisht jemi shumë mirë dhe psikologjikisht jemi akoma dhe më mirë.

Apolonia luan në Korçë, çfarë prisni nga ky duel?

Javët po kalojnë, paralelisht po vjen fundi i kampionatit dhe të gjitha ndeshjet në vijim do të jenë më të forta. Dueli i sotëm me korçarët është shumë i rëndësishëm, si për ne ashtu dhe për ata. Presioni është te Skënderbeu dhe këtë e them me bindje të plotë. Por nga ana tjetër, Apolonia nuk është futur asnjëherë në fushë për rezultat tjetër, veç fitores.

Një barazim ndaj kryesuesve do të ishte i pranueshëm?

Ne do të futemi në fushë për të dhënë e marrë maksimumin. Surpriza është e mundshme, nuk e përjashtoj kurrsesi, sepse Apolonia është e qartë në qëllimin e saj final. Ne duhet të jemi më të kujdesshëm, sidomos në këtë transfertë. Vetëm pikët e plota na nderojnë në këtë moment të vështirë, ndaj do të luajmë pa presion, me shumë durim e vendosmëri.

Keni mbetur pa krahun tuaj të djathtë, iku Besmir Shabani…

Më vjen shumë keq për këtë. Ishte një profesionist i vërtetë dhe njëkohësisht krahu im i djathtë. Së bashku punuam fort për këtë Apoloni dhe rezultatet e fundit flasin vetë. Së pari, ngjitja e fierakëve ka qenë graduale në tabelën e renditjes, ndaj tani jemi më afër se kurrë për të arritur zonën “play off”. Gjithçka është e mundur kur punon ditë pas dite.

Në çfarë pozicioni e shikoni Apoloninë në fund të sezonit?

Unë Apoloninë e shikoj shumë lart, për vetë investimet që janë bërë në skuadër dhe sigurisht vijueshmërinë e rezultateve pozitive në kampionat. Pavarësisht luhatjeve të fillimit, ne tani jemi disi më të kënaqur me pozicionin që kemi. Shpresoj që të jemi edhe më lart në renditje, sepse duam të arrijmë minimalisht zonën “play off”. Pikët aty janë dhe siç shpresojnë të gjitha ekipet, edhe ne duam të marrim maksimumin e tyre. Në mendjen time e shoh më lart Apoloninë në fund të sezonit, por më mirë e më saktë do ta tregojë fusha e lojës.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"