Dosti: Duam vetëm fitore, ndaj Partizanit edhe barazimi konsiderohet humbje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2017 | 10:51

Dosti: Duam vetëm fitore, ndaj Partizanit edhe barazimi konsiderohet humbje

Teuta do të presë sot në “Niko Dovana” Partizanin, në një përballje ku të dyja skuadrat janë “të dënuara” për fitore. Në kampin durrsak po pritet me interes të madh kjo sfidë dhe pretendojnë tri pikët. Mesfushori Albi Dosti, në një prononcim për “Panorama Sport”, është shprehur se skuadra do të futet në fushë vetëm për fitore dhe, sipas tij, barazimi konsiderohet humbje nga klubi i Teutës.

dosti beqja cyrbja

Dosti thekson se skuadra është përgatitur mirë për këtë përballje dhe grupi do të jetë i plotë dhe me dëshirën e madhe për ta rikthyer Teutën te fitorja.

“Po e presim me pa durim këtë përballje. Të luash përballë Partizanit është gjithnjë një dëshirë e madhe. Jemi përgatitur për rreth dy javë për këtë sfidë dhe do të futemi në fushë vetëm me qëllimin për ta fituar këtë ndeshje. Sigurisht nuk do të jetë e lehtë, pavarësisht se kundërshtari po kalon një moment të vështirë, por ne kemi besim te forca e grupit dhe jemi optimistë se do të dalim me tri pikë nga kjo sfidë.

Kemi respekt për kundërshtarin, por nuk i trembemi kurrsesi. Luajmë në shtëpinë tonë dhe çdo rezultat tjetër veç fitores do të ishte disfatë për ne. Nuk na kënaq barazimi, do futemi në fushë për tri pikët”, u shpreh fillimisht mesfushori.

Rivaliteti

Sipas Dostit, fakti që skuadrat janë të dënuara të fitojnë e bën edhe më interesant këtë përballje. Numri 10 i Teutës, i cili ka shënuar kundër Partizanit në fitoren e fundit të durrsakëve (3-1), premton se sot do t’u shënojë sërish “demave”.

“Përballja Teuta-Partizani do të jetë një sfidë shumë e fortë në të gjitha pikëpamjet. Skuadrat janë të dënuara të fitojnë. Partizani nuk ka regjistruar asnjë fitore në katër javët e para të kampionatit dhe do të jetë tejet i mobilizuar. Nga ana tjetër, ne duam të rikthehemi te fitorja pas humbjes me Flamurtarin dhe barazimit në Kamzë.

Pra, parë në këtë këndvështrim, kam përshtypjen se do të jetë ndeshja më e fortë e javës së 5-të të kampionatit. Personalisht ndihem shumë mirë fizikisht dhe kam besim se do t’u shënoj sërish kryeqytetasve. Në ndeshjen e fundit kur kemi fituar 3-1, shënova nga goditje dënimi. Shpresoj që të më jepet sërish mundësia për të realizuar.

Kjo është një dëshirë, por rëndësi ka për mua dhe të gjithë shokët e skuadrës që të dalim me tri pikë dhe le të jetë edhe autogol goli i fitores (qesh). Shpresoj që të kemi mbështetjen e tifozëve tanë të mrekullueshëm se do ta kemi më të lehtë punën në praninë dhe mbështetjen e tyre”, ka përfunduar Dosti.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"