“Si i premë shtyllat e portave, se na mundi Tirana në Vlorë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2018 | 19:29

“Si i premë shtyllat e portave, se na mundi Tirana në Vlorë”

Ajo ngjarje tregohet edhe sot, jo vetëm në Vlorë, edhe pse kanë kaluar më shumë se tridhjetë e gjashtë vjet nga 11 prilli i vitit 1982, kur tre djemtë vlonjatë: Kastriot Çobo, Aleko Manka dhe Eduart Kreshpa, të mërzitur për humbjen e pësuar nga skuadra e tyre, Flamurtari, kundër Tiranës me rezultatin 0-1, kanë prerë të gjitha shtyllat e portave. Për kohën që u krye kjo ngjarje bëri shumë bujë, ndaj dhe autorët u dënuan. Ata me të drejtë sa herë që e kujtojë atë ngjarje e thonë shumë qartë se nuk kanë kryer asgjë më shumë sesa një tifoz i zjarrtë i zemëruar. Njëri prej tyre, Kastriot Çobo, e tregon kështu këtë ngjarje.

Kastriot cobo

Kastriot, e keni të vështirë të tregoni pas më shumë se 36 vjetëve atë ngjarje?

Nuk përbën ndonjë problem për mua apo dhe dy shokët e mi, Aleko Manka dhe Eduart Kreshpa, që ishim në atë ngjarje të mbrëmjes së 12 prillit të vitit 1982. Ndoshta për herë të parë kjo ishte ngjarje që bëri gjithë atë zhurmë.

Diçka për njohjen që keni njëri me tjetrin…

Unë, Alekua dhe Edi ishin djem të lagjes pranë ish-fabrikës së orizit në Vlorë. Të tre, edhe pse me pak diferencë në moshë, kemi qenë tifozë të zjarrtë të Flamurtarit të atyre viteve. Nuk kemi lënë në ato vite ndeshje brenda dhe jashtë Vlorës pa ndjekur e skuadrën tonë të zemrës.

Sa vjeç keni qenë dhe ku punonit në ato vite?

Unë kam qenë 29 vjeç dhe punoja në ish-ndërmarrjen e kripës, Leko dy vjet më i vogël dhe punonte si mekanik në uzinën ushtarake të Pashalimanit, kurse Edi 21-vjeçar kryente shërbimin ushtarak në një repart të marinës luftarake në Vlorë. Të tre ishim pjesë e grupit të tifozëve vlonjatë të zjarrtë që diskutonim dhe bënim shumë për Flamurtarin e atyre viteve.

Mund të përmendni diçka të veçantë nga tifozllëku juaj?

Askush në Vlorë në ato vite nuk e mohon dot grupin e tifozëve të lagjes sonë, i cili kishte në përbërje mbi dyqind djem të fortë që e ngrinin peshë stadiumin duke mbështetur skuadrën. Në çdo stadium ku kemi shkelur, të gjithë janë ndierë inferiorë nga grupi ynë. Entuziazëm dhe moral të fortë kemi bërë për Flamurtarin.

sokol-kusha-dhe-shkelqim-muca

Po skuadra e zemrës a ua ka shpërblyer mbështetjen tuaj?

Nuk ka qenë shumë faji skuadrës sonë që nuk fitonte trofe në ato vite. Të gjithë e dimë mirë që Flamurtarin nuk linin të fitonte trofe përpara Partizanit, Dinamos, Tiranës dhe Vllaznisë. Edhe pse Flamurtari luante mirë, përsëri dikush atje lart nuk na lejonte t’i gëzoheshim suksesit. Kjo na nervozonte pa masë edhe ne tifozëve të skuadrës.

Është kjo një nga arsyet për ngjarjen që ju të tre shokët të prisnit shtyllat e portave?

Në njëfarë mënyre, dikush edhe mund ta quajë si një shfryrje të inatit të akumuluar në vite. Por, që të jem i sinqertë, gjithçka për prerjen e shtyllave të portave, pasi humbëm në Vlorë me Tiranën, ka bëjë me një zemëratë ndaj Flamurtarit të atyre viteve që humbiste radhazi brenda dhe jashtë me ish-17 Nëntorin, skuadrën nga kryeqyteti.

Sipas jush, Tirana a i ka merituar ato rezultate?

Për ndeshjen e saj dite e ka merituar plotësisht fitoren, edhe pse luhej në fushën tonë. Në atë sezon të viteve 1981-82, Tirana është shpallur kampion me 37 pikë dhe Flamurtari nënkampion me 34 pikë. Unë mendoj se fitorja në Vlorë në atë ndeshje u ka dhënë atyre fitimin e titullit kampion. Nuk e harroj lehtë këtë. Kështu është e vërteta.

Çfarë mbani mend nga ajo ndeshje?

Kishte një javë të tërë që gjithë qyteti dhe fshatrat përreth jetonin me emocionet e asaj ndeshjeje interesante. Ajo ditë e diel prilli do të mbahet mend mirë nga të gjithë. Plot tri orë përpara fillimit të ndeshjes stadiumi ishte plot e përplot. Kishin ardhur dhe nga fshatrat e largët. Futbollistët tiranas u hutuan në fillim të ndeshjes nga entuziazmi i tifozëve vlonjatë. Më vonë ata e morën mirë veten nga ana morale, por dhe organizimin e lojës të asaj ndeshjeje. Pjesa e parë zero me zero. Në pjesën e dytë, aty nga minuta e 60-të, Agustin Kola, i futur në lojë në vend të Litit, ka shënuar për skuadrën e tij.

beselidhja e viteve 80

Pas atij goli të pësuar, si ka qenë reagimi i Flamurtarit?

Si në shumë ndeshje të tjera me Tiranën e atyre viteve, skuadra jonë bënte lojën dhe ata na ndëshkonin në një moment kur askush nuk priste. Kështu ka ndodhur dhe në atë ndeshje… Flamurtari bëri lojën, Tirana fitoi. Për këtë na vinte më shumë inat ne tifozëve vlonjatë në ato vite.

Si përjetuan tifozët vlonjatë këtë humbje?

Siç e kemi zakon ne vlonjatët, shamë kundërshtarin, por nuk kemi kursyer edhe skuadrën tonë. Tifozët e lagjes sonë, të mbledhur tek ishbar-bufe “Ylli”, ia kemi kthyer me të pirë për të harruar gjithçka. Së bashku me dy shokët e mi të ngushtë, Lekon dhe Edin, në dehje e sipër na lindi mendimi ta nxirrnim inatin e asaj humbjeje duke prerë shtyllat e portave.

Dhe çfarë ndodhi më pas…?

E vendosëm të tre që kështu do të vepronim dhe filluam të merrnim masat e duhura për ta realizuar aktin tonë. Siguruam një sharrë te një shoku ynë dhe shkuam në stadium. Ka qenë aty rreth orës nëntë në mbrëmje, kur kemi kaluar të tre murin e stadiumit dhe kemi shkuar te të dyja portat e fushës. Kemi prerë të parat shtyllat e portës në pjesën e stadiumit nga “Skela” dhe pastaj të portës tjetër nga pjesa veriore. Te shtyllat e asaj porte në fund na thyhet edhe sharra, por aktin e kryem siç e kishim menduar. Atë pjesë të shtyllës që nuk e preu dot sharra e kemi rrëzuar për tokë duke e qëlluar me shkelma.

E menduat se do të kishit pasoja për këtë veprim?

Pasi ia kthyem sharrën e thyer atij shokut, mendova një herë se ky do ta na bëjë ndonjë gjë neve… Kishim hall se mos fliste me ndokënd sepse nuk i kishim thënë të vërtetën se përse e përdorëm sharrën. Dhe në fakt, ashtu ndodhi. Ai të nesërmen i kishte treguar të atit se ne të tre kishim marrë për dy-tri orë sharrën e tij. Kaq mjaftonte që policia të bënte punën e saj.

we9w9e

Çfarë solli dita tjetër për ju?

Shkova në punë me mendimin se çfarë do të ndodhte. Dikush më tha se në gjithë qytetin po diskutohet shumë për prerjen e shtyllave të portave të fushës futbollit. Vetë ndjeva se diçka po ndodhte. Kur u ktheva në shtëpi, gjej lajmërim për t’u paraqitur në ish-Degën e Punëve Brendshme të Vlorës. Atje kam parë dhe dy shokët e tjerë. Ai që na dha sharrën e kishte bërë punën e tij për ne tek organet kompetente.

Kur u zhvillua gjyqi dhe sa jeni dënuar?

Pas një muaj, më 18 maj të vitit 1982. Për hir të së vërtetës na është bërë gjyqi në gjendje të lirë. Dëmi i shkaktuar ishte vlerësuar 782 lekë të vjetër dhe vetë trupi gjykues u ndie keq se nuk kishte hasur në një rast të tillë. Prokuroi i çështjes që ishte tifoz futbolli dhe na lehtësoi diçka. Jemi dënuar unë dhe Alekua me gjashtë muaj punë të detyruar në bujqësi dhe Eduartin si marniar për pjesën e mbetur të shërbimit ushtarak e transferuan në repart të xhenios.

E keni ndjekur skuadrën pas asaj ngjarjeje?

Po, kam shkuar më vonë disa herë në stadium, por tani në këto vitet e fundit, jo. Nuk kemi sot atë skuadër si në ato vite. Për mua, tani luhet futboll dhe bëhet tifozllëk për të fituar parà, ne e kemi bërë vetëm me zemër.

wdw9

Po dy shokët e tjerë kanë mbetur tifozë të Flamurtarit?

Alekua, po. Ai shkon edhe sot në stadium, kurse Edi që nga viti 1991 është emigrant në Francë dhe shpesh kur flasim më pyet për Flamurtarin.

Diçka për shprehjen “fusha vlonjate të mbillet me patate”?

Këtë e kanë nxjerrë pas asaj ngjarjeje tifozët e Tiranës. Dhe e kanë bërë këtë një javë më vonë në dy ndeshjet për gjysmëfinalen e Kupës, ku Tirana i ka fituar me rezultatet 2- 1 dhe 0-2.

9888

Si e gjykoni në kushtet e sotme atë veprim që keni kryer?

Veprim ynë ka qenë më shumë një zemërim momenti dhe nuk ka asgjë të përbashkët me atë dhunë që bëhet sot në stadiumet tona, ku shahen dhe qëllohen futbollistët dhe gjyqtarët. Kjo është arsyeja se ato që bëhen sot në stadiumet tona janë shumë herë më dhunshme dhe të dënueshme. Ajo ngjarje ishte më shumë për inat të humbjes që pësoi skuadra jonë.

MOISI DALIPI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"