Shqipëria 2019: Lotaria Sportive – një “sport borgjez”?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2019 | 19:19

Shqipëria 2019: Lotaria Sportive – një “sport borgjez”?

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

I. Mashtrimi me “bixhozin”

Kurrë nuk ma kishte marrë mendja se në vitin 2019 do ta quaja Lotarinë Sportive “sport borgjez”. Në të vërtetë, në gjenezë “sport borgjez” nuk e kam quajtur unë. E pat quajtur partia e regjimit komunist.

Mirëpo, ja që sot, më 2019-ën, Lotaria Sportive na del se na qenka me të vërtetë “sport borgjez”. Sapo e kanë ndaluar thuajse rrufeshëm! E kanë zhdukur brenda disa ditëve apo javëve. Në të vërtetë nuk e quajtën “sport borgjez”. E quajtën “bixhoz”. Gjatë ditëve të shuarjes, ky qe përcaktimi më sundues. Nuk mbeti emision televiziv, nuk mbeti gazetë, pa e quajtur “bixhoz”. Dhe mua m’u desh të shkoja te fjalorët, te fjala “bixhoz”.

Profesor Eqrem Çabej është njeriu që i ka dhënë shpjegimin më të hollësishëm kësaj fjale në kryeveprën e tij “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. “Kumar” është shpjegimi më i parë i profesorit. Mandej vazhdon, duke e quajtur huazim të turqishtes. “Mendim jo i drejtë”. Ndonëse shton: “Fjalë me burim të paqartë”. Pra, në thelb ai përcakton: “kumar”, “kumarxhi”, “bixhozçi”. Fjalori i Shqipes 1954 e quan lodër me të holla e bazuar në fat dhe shton: “kumar”. Fantastik është Fjalori i Shqipes 1980: “Lojë me letra a diçka tjetër për të nxjerrë fitime që mbështetet te rasti, te dredhitë e te mashtrimet e pjesëmarrësve”, “kumar” dhe shton “Në Shqipëri e ndaluar me ligj”.

Bukur! E pra, asnjë shpjegim nuk përkon me kuptimin për Lotarinë Sportive, me Totofutbollin apo me Loton Sportive që Shqipëria e sotme e zhduku brenda një dite duke e quajtur “bixhoz”. Është diçka krejt tjetër. Dhe a e dini se çka është? Po përpiqem ta shpjegoj edhe këtu me një shembull të kohëve të fundit këtë që paraqet skedinën e Lotarisë sportive të Italisë, Totocalcion, atë të 16 marsit që shkoi:

“Schedina Totocalcio nº 10 e 16/3/2019”:

1ª Spal – Roma

2ª Torino – Bologna

3ª Genoa – Juventus

4ª Atalanta – Chievo

5ª Empoli – Frosinone

6ª Lazio – Parma

7ª Napoli- Udinese

8ª Milan – Inter

9ª Verona – Ascoli

10ªPalermo – Carpi

11ªVenezia – Cremonese

12ªCrotone – Lecce

13ªVicenza- Triestina

14ªCatania – Juve Stabia

E shihni mirë? Nuk mund të ketë kryeministër në botë, nuk mund të ketë shkencëtar, nuk mund të ketë studiues, nuk mund të ketë ekonomist që ka fituar çmimin “Nobel”, që të na provojë se parashikimi i përfundimit të këtyre ndeshjeve me një skedinë që bie fjala, në Shqipëri mund të blihet për qoftë dhe 300 lekë të reja, të jetë “bixhoz”. Siç e quajti, siç e përmblodhi qeveria e sotme shqiptare, duke e bashkuar me lojërat e kazinove apo të tjera, ato me letra bixhozi a s’di se çka. Sepse Lotaria Sportive apo Totofutbolli, siç është quajtur qysh në origjinë, nuk është kurrë bixhoz. Madje, mund të jetë deri diku edhe një provë kulture, njohjeje e diturie për sportin e futbollit e të skuadrave të tij, brenda e jashtë vendit tënd. Tash më fort po më pëlqen ta quaj “sport borgjez” sesa “bixhoz”. Sepse kur kujton se çka është borgjezia, duke i thënë “sport borgjez”, nuk e fyen Lotarinë Sportive.

Ndërsa duke i thënë krejt me pa të drejtë “bixhoz”, e fyen keqaz, ngaqë përveç të tjerave, kësisoj ti gënjen, rrén, mashtron. Vërtet, si ka mundësi që Lotaria Sportive iu bashkëngjit kumarit, kazinove dhe pa pasur asnjë lidhje a ngjashmëri me ta, u mbyll në një ditë së bashku me ta? Them se pa njohur mirë historinë e themelimit të Lotarisë Sportive, nuk mund të kuptosh se ajo është diçka krejt tjetër, i dashur diletant i këtyre punëve. Dhe qysh në këto rreshta të parë të këtij “dossier”-i po shtoj se për ç’arsye e bëj këtë shkrim.

E bëj për hir të së vërtetës. Sepse jam i bindur – dhe jo vetëm unë, po gjithë bota sportive dhe josportive – se Loteria Sportive nuk është bixhoz. E bëj për të kujtuar edhe sesi devijoi ajo. Devijim që i bëri asaj Shqipëria e sotme, duke lejuar denatyrimin e saj. Dhe kjo ka vetëm një përgjegjës: qeveritë shqiptare. Nëse pikat e ashtuquajtura të basteve vërtet që në shumë raste ato denatyruan, faji nuk është i Loterisë Sportive, por i qeverisë shqiptare, e cila nuk arriti ta ndalte këtë denatyrim a rënie. Ishte kryekëput detyrë e saj.

Ndërsa ajo lejoi që kjo Lotari t’i largohet qëllimit të saj genuin qysh në themelimin e saj. E bëj këtë shkrim ngaqë kur kujtoj se sa të ardhura jep Lotaria Sportive për sportin kombëtar të çdo vendi, jam i bindur se do të vijë një qeveri për së mbari dhe do ta vendosë përsëri Lotarinë Sportive. Jeta nuk mbaron me vitet e tua në pushtet, sepse demokracia, përveç të tjerave, na provon se nuk mund të jetë përhershme një qeveri. Pra, edhe ajo që me pavërtetësi e quajti Lotarinë Sportive “bixhoz”. Tash le ta tregojmë historinë e Lotarisë Sportive, jo vetëm se ajo është tejet interesante, por sepse, mbi të gjitha, na bind se sa e vlefshme është ajo për forcimin e sportit kombëtar të një shteti.

Besnik Dizdari dhe Massimo Pergola

Tregim i një shpikjeje botërore: Massimo Della Pergola

Budapest 1992. Kongresi i AIPS (Association Internationale de la Presse Sportive – Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit Sportiv). Këtu nis për mua dhe ju kjo histori. Dhe 11 vjet më vonë, më 2003-shin, jam munduar që nëpërmjet gazetës “Tema” ta bëj të ndjeshëm, mbi të gjithë shtetin shqiptar, se po ndodheshim në një çast vërtet delikat të shfytyrimit të funksionit dhe qëllimit parësor të Lotarive Sportive në Shqipëri.

Ishte çasti kur Totofutbolli i organizuar në Shqipëri ndodhej në rrezik dështimi, çka do të thoshte dalje e tij jashtë funksionit, për të cilin është themeluar financimi i sportit kombëtar. A thua mos po dal qysh më 2003-shin, pra, 16 vjet më parë si parashikuesi “i madh” i dështimit, denatyrimit të qëllimit fisnik (po, po, fisnik) të Lotarisë Sportive?

Ajo është një histori e rrallë, të cilën u takon ta dinë mirë sidomos ata, të cilët shteti i kishte ngarkuar ta zhvillonin këtë “lojë” – në të vërtetë nuk është bash lojë – të cilët të larguar tejet nga roli dhe synimi i themelimit, duket se përveç të tjerave, janë njerëz jo në vendin e tyre. “Nga ana tjetër, shpërthimi kaq i vrullshëm i lotarive të tjera sportive ka krijuar një situatë krejt tjetër dhe tashmâ nëse këtu ka Ministri Financash, më e pakta që ia vlen të thuhet e të bëhet, është marrja në dorë e gjithë kësaj dukurie, freskimi i ligjeve për të dhe gjithnjë me synimin e parë: financimin e sportit shqiptar”.

Edhe këto radhë të mia të futura në thonjëza nuk janë të reja. Jam njohur me gazetarin e shquar italian Massimo Della Pergola të Triestes, plot 27 vjet më parë, në majin e vitit 1992 në Budapest pra, në Kongresin Botëror të Shoqatës Ndërkombëtare të Shtypit Sportiv (AIPS), ku kisha shkuar për të pranuar Shqipërinë anëtare të saj, e vetmja që mungonte në Europë. Natyrisht që e njihja dhe e dija se për origjinën e tij të largët çifute, më 1938, Della Pergola qe përjashtuar prej regjistrimit si gazetar në atë që në Itali i thonë “Albo dei Giornalisti”.

E njihja si një figurë të shquar të vetë historisë së AIPS. Qysh më 1977 Della Pergola ishte zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i AIPS, funksion që e kishte mbajtur deri më 1989, një kohë mjaft e gjatë për t’u bërë qysh nga 1993, i pari Sekretar i Përgjithshëm Nderi i AIPS, i zgjedhur me vota unanime. Në “Storia del calcio” të autorit të mirënjohur Gian Paolo Ormezzano – një libër i mrekullueshëm për futbollin – me kohë kisha nënvizuar këto radhë: “Gjatë luftës, një gazetar italian, Massimo Della Pergola, i internuar në Zvicër për arsye politike, sjell më 1946 në Itali idenë e parashikimit të rezultateve të futbollit”. Ndihesha deri diku i sigurt se do ta takoja në Kongresin e Budapestit, çka u realizua.

Nga rreshti i parë i sallës së Kongresit, “e zbulova” menjëherë në presidium, ashtu, përballë. Flokëthinjur e me një trup të vogël, me një fytyrë të rregullt, inteligjente, të vëmendshme e tejet energjike. Në pushim të njërës prej seancave iu afrova dhe ai me buzëqeshjen e tij dashamirëse, ashtu “brenda disa çastesh”, pranoi të bëhej një bashkëbisedues gati intim i imi. Në jetën e tij nuk kishte biseduar kësisoj me një shqiptar dhe këtë e quante më tepër eveniment për veten e tij sesa për mua. Ndërkaq, unë thuajse u mahnita që më 11 korrik 1992 ai mbushte plot 80 vjeç.

Kthjelltësia e mendimit të tij, gjallëria e gjithë portretit të tij fizik e intelektual, ishin më shumë se një befasi. Doja t’i thosha vetes se po takoja themeluesin e Totocalcios, të Lotarisë Sportive, mirëpo në të vërtetë unë po takoja një gazetar të famshëm. Ishte Massimo Della Pergola, njeriu i cili kishte ndjekur 11 Olimpiada dhe 11 Kampionate Botërore të Futbollit e që kishte bashkëpunuar me 76 gazeta e revista, gazetari i cili më 1946, kur ishte kryeredaktor (shef redaksie) kishte shpikur Totocalcion, ideator i Lojërave Universitare, themelues i Shoqatës së Shtypit Sportiv të Italisë, “pronar” i 24 çmimeve e dekoratave për veprimtarinë e tij, mbajtës i titullit “Grande Ufficiale d’Italia”.

Massimo Della Pergola, futbollisti i dështuar dhe njëqindmetristi që nuk shkoi më tej se kampion i fakultetit, nis e boton qysh 17 vjeç në “Giornale di Trieste”, çka e çon te “La Gazzetta dello Sport” e Milanos. Doktor i shkencave ekonomike, pjesëtar i Rezistencës kundër fashizmit, i shndërruar në numrin 29615 të të internuarit politik në kampin e përqendrimit Pont de Morge të Zvicrës, të cilit gjithë dita i kalonte në bonifikimin e Rodanos, i detyruar të lëvizte përditë tetë metra kub dhé, atij i kishte mbetur vetëm mbrëmja atje në barakë, melankolik e thuajse i demoralizuar për Italinë e tij që po shkatërrohej.

Ka qenë 1943. Papritmas e transferojnë në kampin Saint Cergne dhe i japin detyrën “fisnike” të një lloj centralisti telefonik! Këtu fantazia e tij merr hov. “Lufta po i afrohej fundit, – më tregonte Della Pergola në netët tona të paharrueshme të Budapestit 1992, – dhe Italia ishte e shkatërruar e bashkë me të dhe sporti. Si? Mora një letër dhe mbi të shkrova një ‘P’ të madhe, që për mua donte thoshte ‘Progetto'(Projekt). Shkruaja, fshija, ndreqja, prapë shkruaja. Ndërkohë, erdhi liria. Nisa të bashkëpunoja me shtypin e radion në Zvicër.

Firmosja me ‘Maximus Bianchi’. Ndërkaq, në Itali nisën të pyesnin se kush është ky Maximus, i cili edhe në radion e Zvicrës ka kurajën të thotë se ‘Trieste i takon Italisë’? Revoltohet Jugosllavia dhe zviceranët më flakin tej nga radio. Po tashmâ fletët e mia me germën ‘P’ ishin bërë dosje. Kishte lindur në këtë dosje pikërisht ai, Totocalcio!” “Kthehem në Trieste ku gjej gjithçka të shkatërruar. Edhe shtëpinë time. Marr rrugën e Milanos e drejt e te ‘La Gazzetta dello Sport’. I famshmi Bruno Roghi, drejtori përgjegjës i gazetës, e dinte mirë se kush fshihej mbas ‘Maximus’. Më emëron kryeredaktor (shef redaksie). E unë pa ia zgjatur i them: ‘Ka një mundësi për ta shpëtuar sportin italian dhe se kjo mundësi përmblidhet në një ‘P’ të madhe që qëndron mbi dosjen time’. Ia shfletoj duke i thënë se një lotari për parashikimet e rezultateve të ndeshjeve të futbollit mund të nxjerrë të ardhura për të financuar gjithë sportin italian.

Bruno Roghi mërzitet ndërkaq dhe krejt skeptik më drejtohet me fjalë të ashpra: ‘Massimo, je i martuar, ke dhe një fëmijë, merru me punë e lëri këto çmendurira!’ Ndërsa unë në timen. Nisem për në Romë drejt e te presidenti i Komitetit Olimpik Italian (CONI), Gulio Onesti, dhe te presidenti i Federcalcios, Otorino Barrasi. Ju flas, por ata thoshin: ‘Erdhi i màrri i Milanos!’ E unë: ‘Do të keni vetëm fitim, – këmbëngul, – sepse kaq për qind do të marrë shteti, kaq Federcalcio, kaq CONI dhe kaq fituesi i parashikimit. Do të shënohet ‘1’ për fitoren e skuadrës vendëse, ‘x’ për barazimin dhe ‘2’ për fitoren e skuadrës mike’. Giulio Onesti tund kryet e unë prapë këmbëngul.

‘Duhet të jesh më serioz’, – më thotë. Ndërkaq unë prapë në timen. ‘Merre lejen, – më thotë më në fund, por mos eja më këtu’. E unë kaq desha…” Massimo Della Pergola formon kështu shoqërinë e tij, të cilën e quan SISAL (shkurtim i Sport Italia Societa Anonima Lombarda). Dhe është SISAL që do të organizojë gjithë punën për Totocalcion. Della Pergola përcakton: 45 për qind të shumës nga shitja e skedinave do ta marrin fituesit, 36 për qind shteti, 12 për qind SISAL, dhe 6 për qind baret (kafenetë)…

Goli i Riza Lushtës që tronditi skedinën e parë

“I lodhur, i dërmuar, thuajse i vetmuar, futem në një bar. Kërkoj një vermut. E pi dhe paguaj 30 lireta. Kaq kushtonte. Vetëm 30 lireta! Pa dashur kisha përcaktuar çmimin e një skedine. Kaq do të kishte mundësi ta blinte çdo italian. Kjo ishte e para. E dyta ishte vetë bari. Nuk mund të kishte vend më të përshtatshëm sesa në bar për t’i shitur skedinat. Baret (kafenetë) janë gjithmonë plot njerëz, ata shkojnë e vijnë aty gjithë ditën, rrinë për disa kohë, pinë diçka”. Massimo Della Pergola kishte hyrë tashmâ në rrugën e saktë të realizimit të shpikjes së tij.

“Punoja në mënyrë të çmendur, ditë e natë. Isha i ri, i fortë, rezistoja. Në mbrëmje megjithatë, më vinte gjumi. Atëherë m’u desh t’i drejtohesha një mjeku, i cili do të çuditej kur para tij do të shfaqej një njeri, i cili do të kërkonte një ilaç për të mos fjetur, pra, për të mos e zënë gjumi! ‘Simpamina’ quhej medikamenti që ma rekomanduan dhe që për fat nuk linte efekte anësore, pra, ishte i padëmshëm. Por të kthehemi te bari. Ishte një gjetje si veza e Kolombit, gjithçka krejt intuitive si vetë shpikja e Totocalcios, jo diçka shkencore.

Tifozi qëndronte jo pak në bare duke diskutuar për ndeshjen e javës. Një bar i tillë do të bëhej shumë popullor duke u servirur tifozëve edhe skedinat. Për këtë, baret duhej të merrnin 6 për qind të shumës së skedinave të shitura. Shifër që më vonë do të rritej në 6.6 për qind. Arrita të shisja skedina në 12.000 bare të Italisë. Popullariteti do të ngjitej deri atje saqë u detyrova mandej të formoja ‘Shoqatën e baristëve’! Tash filluan të më luteshin edhe ata, të cilët më kishin nxjerrë jashtë me shkelma kur unë iu kërkoja që të pranonin shitjen e skedinave!”

Ministri i Financave të Italisë, Spataro, duhet të ketë qenë më i zgjuari në gjithë këtë aventurë. Dhe ishte ai që ia dha menjëherë autorizimin Massimo Della Pergola-s. Ndërkaq, ky merr 12 nëpunës dhe rreth 100 vullnetarë për shfletimin dhe numërimin e skedinave. Mbërrin dita historike e 5 majit 1946, kur kamionët e “fatit” nisen rrëmbyeshëm nga Milano për në gjithë rrugët e Italisë, duke mbajtur në karroceritë e tyre 5 milionë skedinat e para me 12 ndeshje për t’u parashikuar nën formulën magjike “1”, X”, “2”. Një mister që do të shfaqej nën fatalitetin e këtyre 12 çifteve të Kampionateve Italiane të vitit fatthënë 1946:

Inter – Juventus

Bari – Napoli

Torino – Milan

Pro Livorno – Roma

Padova – Vegevano

Cremonese – Alessandria

Como – Genoa

Sampierdarenese – Sestrese

Legnano – Novara

Bologna – Piacenza

Cesena – Modena

Venezia – Mantova

Della Pergola kishte menduar edhe për ndeshje rezervë, parashikimi i të cilave do të ishte i vlefshëm nëse ndonjë ndeshje e 12- shes mund të ndërpritej për çfarëdo arsyeje. “Maximus” ishte tejet largpamës… E për çudi, kjo 12-she e skedinës themeluese, historike, ka brenda saj edhe pak Shqipëri. Një lojtar i madh i Sportklub Tiranës është në fushën e lojës: Riza Lushta i Napolit. Madje, në një ndeshje dramatike BariNapoli 2-2 që me “X”-in e saj ngatërron tifozët. Serinë e çel bash Riza Lushta me një gol shembullor në të 17′! Por, Bari kalon në 2- 1 me gola të Orlandos dhe Maestrelli-t dhe ja tek barazon Barbieri për Napolin: 2-2! Mungon në këtë skedinë Naim Kryeziu i Romës, për të luajtur një javë më vonë në Skedinën Nr. 2, atë të 12 majit 1946, por me një humbje 0-2 me Milan në “Arena di Milano”!

Napoli 1946

Kështu Shqipëria “dhuron” një gol të Lushtës në skedinën e parë të Totocalcios! “I kushtova një rëndësi të madhe propagandimit të Totocalcios, – më tregonte Della Pergola (më mbas ai ka për ta lënë ‘La Gazetta dello Sport’ për të drejtuar tashmâ të përjavshmen e specializuar ‘Sport Italia’), – sidomos në radio nëpërmjet radiokronistit të famshëm Nicolo Carosio, i cili ishte miku im i ngushtë dhe ishte ndër të paktët që besonte në këtë ndërmarrje timen”. Por ngjet “katastrofa”! Nga 5 milionë skedina shiten vetëm 34.423!… “Mund të ketë qenë një nga ditët më të këqija të jetës sime, – kujtonte Della Pergola. ‘E dija që je i çmendur, – tha Roghi, – të kam paralajmëruar që nuk duhet të merresh me këtë punë’. Ishte vërtet një shkatërrim, një situatë tragjike. Merre me mënd mandej, sikur të mos fitonte askush!

Por për fat, një milanez i quajtur Emilio Biasetti fiton rrumbullak 456.000 lireta, që në atë kohë ishte diçka më shumë sesa rroga e një muaji. Megjithatë, të nesërmen unë kisha nevojë për tituj të mëdhenj. Ndërsa, Bruno Roghi mezi e boton ‘çmendurinë’ time. ‘Të kam thënë, s’mbaj asnjë përgjegjësi!’ Ishte vërtet e rëndë. Dhe unë vështroja berberët duke fshirë brisqet me skedat e mija të pashitura! Tani nuk kishte rrugë tjetër ,përveçse asaj për të gjetur mënyrën për të ulur shpenzimet. Befas më lindi ideja e 6 kolonave. Pra, të prodhoja edhe skedina me 6 kolona, ku natyrisht që një kolonë të kushtonte gjithnjë 30 lireta. Kjo ulte numrin e skedinave në shitje, por shtonte fitimet, sepse shumë njerëz do të blinin skedina 6-kolonëshe. Është interesant, por mua shumë ide më kanë lindur për të më shpëtuar. Gjithsesi, tani për tani më duhej të merrja borxh dhe të kërkoja nga shefat e mi parapagim për artikujt.

Papritmas, ia arrij që një njeri të fitojë 43 milionë lireta! Diçka e paimagjinueshme! Miku im Carosio shpërthen në radiokronikat e tij. Ishte si të fitosh sot 1 miliard! Ky ishte një sensacion i vërtetë, madje një sensacion botëror, të cilin nuk mbeti gazetë e Europës pa e dhënë. Dhe ky milioner i ri ishte një marangoz arkivolesh nga Treviglia. Për fat. ai ishte njeriu, i cili kishte bërë arkivolin e Marconi-t. Edhe ky fakt rriste përmasat e efektit propagandistik…”

Ky ishte bumi befasues. Problemi ishte përcaktimi i shpejtë i skedinave fituese. E Massimo Della Pergola që vetëm “shpik”! “Nuk ishte si sot, – vazhdonte tregimi i tij në katër sy, përkundurell meje, – kur makinat e sofistikuara e përcaktojnë aq shpejt gjithçka. Si t’ia bëja? Mëndja më shkon te stacioni i trenit të Milanos. Ua kërkoj pronarëve të ma japin pra, stacionin e Milanos për vetëm dy orë, dy orë të qeta, ditën e diel mbas ndeshjeve dhe në sallën e tij vendosa 200 vetë, 200 njerëz të cilët bënin punë të pastër. Edhe kjo ishte një ide shpëtimtare…”

Shteti italian rrëmben Totocalcion!

Kësisoj, tash nuk kishte më gjë që mund ta ndalonte vrullin e Totocalcios, së bashku me bujën e papërshkrueshme të suksesit të tij. Dihej që në Angli, Belgjikë e Zvicër bëheshin parashikime sportive, por kurrsesi kësisoj si ky SISAL, i pakrahasueshëm në gjithë skemën e tij. Massimo Della Pergola përjeton madhështinë e shpikjes ë tij. Për dy vjet ai është mbreti. Ndonëse përreth heshtje, një heshtje e frikshme e pushtetit, si heshtja para një furtune. A duhej lënë ajo në duart fitimtare të një njeriu të vetëm, të një privati, edhe pse ai ishte shpikësi? Dhe data 19 shtator 1948 që është fatale! Nëse ministri i Financave, Spataro, ishte miku që dha lejen për SISAL-in, “njëfarë” Giulio Andreotti, zëvendëskryeministër i ri i Italisë dhe njohës i madh i vlerave dhe përfitimeve prej sportit, është rrëmbyesi.

Kjo tortë ngjallte vërtet shumë oreks, siç ka shkruar “Guerin Sportivo” e Bolonjës. “Duhej rrëmbyer ky SISAL-i”, thotë në fillim me zë të ulët salloneve të Palazzo Chigi-t, Andreotti. Për këtë mjafton një dekret, çka firmoset menjëherë! Emërtimi rizyrtar është “Totocalcio”. Nuk ka më SISAL! Dekreti është i pamëshirshëm: shtetizim! I goditur rëndë, duke e ndierë veten të flakur tej, Massimo Della Pergola, duket i dorëzuar. Por prapë gjen forca. Dhe po ato dit, ai shpik Totip-in (Totalizatore Ippico) për parashikimin e garave të kuajve! Dhe drejt e në gjykatë. Massimo Della Pergola hedh e ngre padi kundër shtetit italian, sepse Totocalcio është i tij, dhe ligjërisht shteti nuk ka të drejtë të përvetësojë kësisoj një shpikje të individit!… “Qysh nga 1948 e deri më 1955, për 8 vjet rresht vazhdova luftën e këtij procesi gjyqësor. Janë këto vite që më shkaktuan ulcerën. Megjithatë nuk u tërhoqa.

Dhe më 1955 unë e fitova gjyqin, po tashmâ shteti do të fliste me një gjuhë tjetër. Në të vërtetë, gjatë këtyre 8 vjetëve Totocalcio ishte bërë tejet i fuqishëm, i fitimeve të mëdha që po mbanin gjallë vetë sportin italian. Nuk mund të rezistoja më. Duhet të pranoja atë çka kërkonte shteti dhe të kënaqesha me pohimin se kisha pasur të drejtë unë”. Kishte ngjarë si me çdo shpikje: që gradualisht ajo bëhej pronë e të gjithëve. Della Pergola juridikisht përfiton “dëmshpërblimin për shpronësim” dhe vetëm kaq. “Totocalcio” pushton botën. Për Massimo Della Pergolan jepet dekorata “Decorazione all merito della Republica Italiana” e shkallës më të lartë “Grande Ufficiale d’Italia”. Totocalcio i tij do ta bënte CONI-n italian dhe Federcalcion ndër më të pasurat në Europë, duke vazhduar me raportet: 30 për qind fituesit, 8 për qind baret, 62 për qind shteti dhe CONI në të mirë të sportit italian. Ky është morali i fabulës.

Milionerët e Totocalcios me në krye shoferin e Palmiro Togliatti-t

“Ndërkaq, Totocalcio bën shumë njerëz të lumtur. Historitë janë vërtet dëfryese. Milioneri i parë ka qenë Giorgio apo Pietro Amelotti, i cili në fillim të viteve ’50, fitoi 63 milionë lireta dhe bleu një apartament. Një fatorino treni, siciliani Giovanni Cappello fiton 75 milionë. Por dyshja torineze Sacciner-Gaudier më 1955 rrëmben plot 243 milionë lireta! Shoferi i Palmiro Togliatti-t, Reclus Monari, fitoi 54 milionë më 1957.

Një parukier nga Milano, Gianni Rampoldi, bën të tijat 170 milionë më 1966. Ndërsa sipërmarrësi torinez, Lino Cazzavillan, u quajt ‘profesor i lojës’. Ai luajti për 40 vjet rresht dhe fitoi 420 herë! Më 1987, ai fitoi 1 miliard lireta. Në fund, mbasi ishte diplomuar në Ekonomi e Tregti, ai mbrojti doktoratën me një temë për Totocalcion! Luante 3 deri në 6 milionë në javë dhe u bë pronar i pesë hoteleve dhe i mbi dhjetë bareve!…”

Kështu mbaronte historia e treguar e Della Pergola-s më 1992, e incizuar prej meje, në një bashkëbisedim të gjatë që do të përfundonte në Hotelin “Beke Radison” të kryeqytetit hungarez, mbasi kishte nisur gjatë vizitës në një fermë tradicionale kuajsh, jashtë rrethinave të Budapestit… Nuk e harroj portretin e tij, teksa me buzagaz ai vështronte gruan e tij duke më thënë: “Ja Adelina ime, njeriu që gjithmonë besoi në suksesin tim dhe që gjithmonë m’u gjend pranë në çastet më të vështira, duke më dhënë mbështetjen më të madhe.

Kështu ka mbijetuar Totocalcio, për të cilin kur kujtoj se sapo është vënë edhe në Shqipëri, më duket si një fëmijë tjetër që lind…” Ka qenë 1992. Massimo Della Pergolla për fat – ndarë nga jeta më 2006 – nuk e mësoi se ky “fëmijë tjetër” i Totocalcios, në këtë rast i Shqipërisë, vdiq më 2019 në moshën 28- vjeçare krejt i ri, ndonëse e kishte harruar lindjen e tij të vështirë… Lindje, për të cilën do të flasim në numrin e nesërm të “Panorama Sport”.

(Vijon në numrin e nesërm)

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"