Partizani Europian i Lajpcigut 1958!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2018 | 23:56

Partizani Europian i Lajpcigut 1958!

Nga BESNIK DIZDARI                                                                                                                                                                    Vlera e madhe e një ngjarjeje të vjetër përmes një vështrimi të ri

Është 60-vjetori i medaljeve të argjendta të Partizanit të Shqipërisë në turneun e futbollit të të ashtuquajturës “Spartakiada e Ushtrive Mike e Lajpcigut” në RD Gjermane, siç emërtohet përherë. Por çka unë do të pëlqeja t’ia ndërroj këtë emërtim simbas titullit të këtij Dossier-i të rrallë në “Panorama Sport”: pra “Partizani Europian i Lajpcigut 1958!”.

Për këtë temë kam një dobësi të madhe. E, kësaj radhe, qoftë edhe ngaqë në fund të përvijimeve të saj, për herë të parë do të përpiqem të shpalos edhe një aktualitet datuar viti 2018, në të vërtetë një aktualitet dramatik të zhvillimit të sotëm të futbollit në Shqipëri, të cilin në fillim po e fsheh. Dhe jo thjesht për të befasuar, por për hir të rrjedhshmërisë logjike të këtij tregimi e gjykimi bashkë, që për mua ka vlerën e një libri më vete.

Besnik-Dizdari

Kësisoj, do të përpiqem ta shfrytëzoj këtë Dossier, jo vetëm për të nderur ngjarjen e bujshme të 60 vjetëve më parë, jo vetëm për ta vënë atë në vendin e një rëndësie që kurrë nuk u sendërtua siç e meriton, jo vetëm për të nderuar personazhet e saj të paharrueshëm, por edhe me synimin e një kritike historike, që për atë që don të kuptojë, them se do të duhej të trondiste vetë politikën e sotme të zhvillimit të futbollit në Shqipëri.

I cili, duke hyrë thuajse në një rrugë të gabuar kombëtare – mbështetur fort prej një servilizmi të papamë ndaj drejtimit të sotëm të tij, çka deri këtu as ne nuk e patëm madje, edhe gjatë Regjimit – po rrezikon pra, ta shndërrojë futbollin – sportin më popullor edhe ndër ne – në një dukuri krejt të parëndësishme. Sigurisht, në vite jam marrë jo pak me këtë histori, madje duke i kushtuar një kapitull më vete te Libri 5 “Historia e Kampionateve të Shqipërisë” (1955-1959), që doemos më ndihmon fort në këtë përkujtim. Ndonëse në këtë 60-vjetor, vetvetiu po e quaj si një detyrim që me këtë ngjarje të merrem jo si një perifrazim, por si të thuash, në një gjykim të ri, të ndryshëm.

E madje, do të thosha edhe kritik. Jo në kuptimin përkeqësues të këtij përcaktimi, por në një kritikë vlerësuese të një vështrimi të ri, madje me një mveshje edhe problemore, kur kujton sentencën se historia më saktë shkruhet më vonë sesa në kohën kur ajo ngjet. Ndërkaq, kolegu i mirënjohur nga Italia, Dr. Giovanni Armillotta, sapo më ka dërguar disa faqe të revistës sportive të RDGJ-të vitit 1958 “Fussball Wòche”, që merret me ngjarjen e Lajpcigut, çka më plotëson apo pasuron edhe më mirë, sidomos arkivin e ndeshjeve. E, teksa do të gjykojmë ndeshjet e Kombëtares, ato me Izraelin dhe Skocinë, do të nxitem që të guxoj të mbërrij deri te një peshore krahasuese tejet të baraspeshuar të Lajpcigut 1958 me Kombëtaren 2018. Ju duket si absurde?… Durim dhe le të vazhdojmë së bashku.

Shqipëria sportive që ngazëllente” në Kampin Socialist

Më 29 qershor 1958, Shqipëria sportive ka mbyllur kampionatin e saj të 21-të, të cilin shteti komunist e quante të 14-in, duke zhdukur shtatë Kampionatet e Mbretërisë së viteve ’30. Ishte vërtet e çuditshme për të marrë me mend sesi do të jetonte në gjashtë muajt e ardhshëm të vitit futbolli shqiptar. Një futboll pa kampionat, pa stinë vazhduese! Nuk mund të kuptohej ndërkaq se përse Shqipëria nuk ndërtonte edhe ajo stinën e futbollit vjeshtë-pranverë si gjithë Europa! Megjithatë, ishte Kampi Socialist. Ishin ndeshjet me klubet midis tyre që sidoqoftë ndikonin jo pak edhe për ruajtjen e tonusit futbollistik. Ndonëse nuk mund të ishte plotësisht kështu. Shéjat megjithatë nuk po dukeshin fort të mira… Më 13 korrik 1958, 17 Nëntori i dorëzohet 2- 1 në një ndeshje miqësore skuadrës rumune Progresul të Bukureshtit.

jhjhbhgk

Partizani kampion barazon 1-1 me Progresul, por Besa e Kavajës humbet 0-2 me rumunët e fortë. Mbas pak, më 18 gusht 1958, me avionin e famshëm TU104, ekipi i 17 Nëntorit fluturon për në Moskë, një turne i miqësisë shqiptaro–sovjetike ky Skuadra ka emrin e klubit të kryeqytetit, por përbërja është gati kombëtare: M.Metani, R.Topi, S.Merja, F.Frashëri, B.Stërmasi, Sh.Rreli, Q.Halluni, T.Baçi, M.Vila, I.Llanga, E.Rada, A.Duma, E,Shehu, P.Pano, O.Reçi, G.Çaushi, A.Verria. Është një kombinim 17 Nëntori–Dinamo.

Mënyrë shqiptare e përfaqësimeve të kohës asisoj. Por, ajo që është më e rëndësishme, në duart e trajnerit Myslym Alla janë të rinjtë e talentuar Skender Merja (Halili), Fatmir Frashëri, Panajot Pano po dhe Aurrel Verria. 17 Nëntori humbet në Odesë 1-0 me Cernomorjec, 5-1 nga Lokomotiva e Moskës dhe 2-1 nga Moldova e Kishinjevit. Sapo kthehen në Tiranë, nis Kupa e Shqipërisë e ashtuquajtur e Republikës, e tash 17 Nëntori autentik, me të pazëvendësueshmin Panajot Pano, duke përfshirë në 11-sh edhe të rinjtë e tjerë, Fatmir Frashërin, Aurrel Verrinë dhe Skender Merjen (Halilin), përtëritje thuajse e plotë, çuditërisht nuk shkëlqen. Eliminon Dinamon mbas 135 minutave lojë – rast unik në historinë e futbollit botëror.

120 minuta lojë 0-0 dhe për mrekullinë shqiptare luhen edhe 15 minuta të tjera, e prapë 0-0! Nuk njihen ende gjuajtjet 11-metërshe, por 17 Nëntori kalon në katërshe falë goditjeve nga këndi: 8-4! Kjo ngjarje paprecedent e 135 minutave futboll të pandërprerë, një nga ndeshjet më të gjata të futbollit në historinë e njerëzimit, duhet të hyjë në rekordet botërore të çudive më të bujshme të futbollit! Dhe vetëm deri këtu, sepse 17 Nëntori më pas i dorëzohet në ½ fundore Skënderbeut të Korçës 1-0.

Po a vetëm këto ndodhnin në Shqipërinë e vitit 1958? Më 11 janar 1958 në Ulëz të Matit përurohet me bujë hidrocentrali i parë në Shqipëri, ai mbi lumin Mat në praninë e Enver Hoxhës dhe gjithë udhëheqjes së PPSH. Hidrocentralit i jepet emri “Karl Marks”. Dy muaj më vonë, gazeta “Sporti Popullor” shpall për herë të parë përmes një votimi në faqet e gazetës “10 sportistët më të mirë të vitit”, që i përkiste vitit 1957.

Dhjetëshja e parë fituese ishte kjo: atleti Rifat KAZAZI / Partizani, volejbollisti Napoleon LLALLA / Lokomotiva, atletja Pina THANI / Vllaznia, basketbollisti Fatmir MEKA / 17 Nëntori, futbollisti Refik RESMJA / Partizani, atletët Hysni BEBEZIQI / Partizani, Vangjo AFEZOLLI / Dinamo e Kimete PREGJA / 17 Nëntori, basketbollisti Jorgji KONA / Partizani dhe Bilal AGALLIU / Partizani. Mandej, në muajt prill dhe fillim maji, shpërthejnë atletë me rekorde të reja kombëtare. Kiço Nuke i Skënderbeut, Isa Boletini i 17 Nëntorit, Vangjo Afezolli i Dinamos….

Nga kahu tjetër, Partizani për meshkuj dhe Skënderbeu për femra fitojnë titujt e kampionit kombëtar në volejboll. 17 Nëntori për femra dhe Partizani për meshkuj fitojnë titujt e Kampionit të Shqipërisë në basketboll. Kupën e fiton Vllaznia (meshkuj). Dhe ngjarja e ngjarjeve: më 13 maj 1958 në Tiranë me praninë e udhëheqësve të PPSH, Enver Hoxha, Beqir Balluku, Liri Belishova, Manush Myftiu dhe Ramiz Alia, mbahet Konferenca e Parë Kombëtare e BFSSH (Bashkimi i Fizkulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë), organizatë që themelohet për herë të parë dhe që do të jetë organizata sportive e Regjimit Komunist deri më 1991, në duart e së cilës do të jetë drejtimi dhe diktati i ecurisë socialiste simbas modelit komunist të kulturës fizike e sporteve në Shqipëri.

Konferenca zgjedh Këshillin e Përgjithshëm të BFSSH dhe Komitetin e BFSSH i përbërë nga Kiço Karaguni (kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sportit), Pandi Allabashi dhe Anton Mazreku nënkryetarë. Dhe me anëtarë: Astrit Nishani, Drit Çaushi, Gani Goxhi, Ilia George, Kimete Pregja, Koçi Zengo, Loro Boriçi, Marie Ranzi, Minella Kapo, Napoleon Llalla, Sotir Kamberi, Tafil Hamzai, Telo Mezini, Todi Lubonja. Një përzierje sportive – partiake e papame në historinë tonë!…

Dhe mû në këto dit, me pjesëmarrjen e një ekipi të shkëlqyeshëm çiklistik me emrin Dukla e Brnos së Çekosllovakisë, vjen gara e parë ndërkombëtare çiklistike e zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. E zhvilluar në pesë etapa, ajo u fitua nga Kashpar i Duklës, mbas të cilit renditen të gjithë shokët e tij Zelni, Hasman, Pecina, Karasek. Edhe si ekip fiton Dukla, e ndjekur nga Partizani dhe 17 Nëntori. Rezultatin më të mirë për shqiptarët e arrin Eqrem Shaba, një nga çiklistët më të mirë shqiptarë të kohës, i cili renditet i 6-ti dhe i cili në vitet ’80 si drejtues i Federatës Shqiptare të Çiklizmit do t’i japë një impuls të jashtëzakonshëm zhvillimit të këtij sporti në Shqipëri. Kujtojmë se të pesë vendet e para i fitojnë çiklistët çekosllovakë! Ndërkohë, vjen muaji qershor dhe ja tek mbërrin në Shqipëri Kombëtarja e RDGJ-së në basketboll për meshkuj për takime miqësore.

Ajo fiton me Kombëtaren e Shqipërisë 82-66 dhe 73-61, dy ndeshje këto të luajtura në stadiumin e lojërave “Studenti” para 4000 shikuesve. Kombëtarja e Shqipërisë përbëhej nga F.Meka, J.Kona, N.Hercek, L.Shatku, S.Osmani, V.Ademi, F.Borova, B.Bumçi, Dh.Papa, Nj.Lleshi, I.Teneqexhi, F.Qirici. Trajnerë Naim Pilku dhe Kiço Gjata. Nën emrin Berlini, RDGJ luan edhe dy ndeshje të tjera: Vllaznia – Berlini 43-54, Labinoti – Berlini 39-58.

Ndërkohë, në Shkodër – Kampionati Kombëtar i Boksit. Titujt kampionë i fitojnë simbas peshave: B.Orizaj (Ekipi i përzgjedhur), Y.Reçi (Lokomotiva), Dh.Çakalli (17 Nëndori), Sh.Bregu (Vllaznia), M.Allushi (Partizani), N.Mile (Partizani), M.Çeta (Partizani), T.Janku (17 Nëntori), F.Efovija (Vllaznia), H.Sharra (Partizani). Si ekip – Partizani. Më 23-27.07.1958, në Tiranë zhvillohet Kampionati Kombëtar i Atletikës së Lehtë me pjesëmarrjen edhe të ekipit përfaqësueses të RSS të Armenisë të Bashkimit Sovjetik. Armenët i fitojnë të gjitha garat, me përjashtim të kërcimit së gjati ku fiton atleti i shquar shqiptar, madje fenomenal për ne, Hysni Bebeziqi me 6.68 metra përballë 6.67 të armenit Tumanian.

Thyhen 6 rekorde kombëtare të Shqipërisë. Ka atletikë pra, së cilës kampi i ashtuquajtur socialist, i jepte mjaft përparësi. Dhe më 13-15 shtator, Shqipëria merr pjesë në garat europiane të Bukureshtit dhe thyen tri rekorde kombëtare: Vangjo Afezolli në 1500 metra me 4.01.6, Dilaver Toptani në disk me 41.55 metra, Pina Thani në gjyle me 12.20 metra. Për dendësinë e veprimtarive sportive ndërkombëtare ka shumë mundësi që viti 1958 të mbajë rekordin edhe për sot. Nga 30 gushti e deri më 11 shtator 1958, Shqipëria e përbërë nga F.Meka, P.Murzaku, N.Llalla, A.Kona, Sh.Kau, P.Pelivani, Q.Gjinali, I.Dogani, A.Gjika, A.Aga dhe I.Maloku, merr pjesë në Kampionatin Europian të Volejbollit për meshkuj zhvilluar në Pragë, duke befasuar gjithë shtetet pjesëmarrëse

. Ajo zë vendin e 11-të midis 20 ekipeve, duke lënë mbrapa Turqinë, Holandën, Finlandën, Egjiptin, Tunizinë, Belgjikën, Austrinë, RF Gjermane, Danimarkën. Trajner është Enver Maçi. Shqipëria arrin 5 fitore (3-0 Austrisë, 3-1 Turqisë, 3-1 Tunizisë, 3- 0 Egjiptit, 3-1 Finlandës, 3-2 Holandës. Ajo pëson 2 humbje: 0-3 nga RDGJ, 0-3 nga Italia). Napoleon Llalla merr çmimin për shërbimin më të mirë. Pothuajse të gjithë këto shtete sot na mundin! Sot mbas 60 vjetëve ky përfaqësim meriton një tjetër studim a përimtim. Kujtoj se volejbolli i organizuar në rang kombëtar në Shqipëri kishte vetëm 10-12 vjet jetë! Shqipëria sportive po “ngazëllente” në Kampin Socialist!…

A hynin edhe këto marrëdhënie sportive të larmishme në të ashtuquajturin unitet të kampit të “demokracive popullore” siç quheshin? Për hir të së vërtetës, ndodheshim përpara një larmie të pafund takimesh politiko–sportive në Shqipëri me sportistë nga RDGJ, Çekosllovaki, Bashkimi Sovjetik, Rumani… Pa harruar Kampionatin Europian të Volejbollit. Dhe me një gjeografi sportive të papame: atletikë, basketboll, futboll, çiklizëm! Kanë qenë me ndikime të mëdha në zhvillimin e sportit shqiptar. I përkujtova kështu, jo thjesht për të mos harruar një histori krejt të pazakontë, dhe as për faktin për të dhënë sadopak atmosferën shqiptare të vitit 1958 që do të bartë peshën e gjigante të futbollit të Partizanit, por edhe si një kuptimplotësi të hapave të parë, deri diku modernë të sportit shqiptar.

Qitësi i Shqipërisë – që do të bëhej gjeneral major i Ushtrisë së BRSS!

Në një lloj mënyre e kam përkujtuar edhe vite më parë këtë ngjarje, për çka qe bërë shkas edhe libri i jashtëzakonshëm autobiografik i një pjesëmarrësi të Spartakiadës së Lajpcigut, Kiço Lufi, që u bë deri gjeneral i Ushtrisë Sovjetike, e cila sa me historinë e saj të lavdishme gjatë Luftës së Dytë Botërore, e po aq me traditën e saj impozante të paraqitjes së “frikshme”, e pse jo edhe pushtuese e agresive të Mbasluftës, përbën një nga kapitujt më epokal të historisë europiane. Ishte libri “Partizani Shqiptar – Gjeneral i Ushtrisë Sovjetike” (“Ot albanskovo partizana do sovjetskovo generala”), me autor Jani Kiço Lufi, përkthyer në shqip prej Prof.As.Dr. Gjergj P.Titani dhe studiuesit Robert S.Vullkani, të cilët së bashku kanë qenë të burgosur politikë për mbi 40 vjet.

Në ekipin e qitjes që do të shkonte në Spartakiadën e Lajpcigut ishte i shënuar qartë edhe emri i Jani Lufit, pa pasur unë asnjë njohuri të veçantë për të! Tash, kjo do të thoshte se kisha “zbuluar” mû njeriun, i cili në ceremoninë e çeljes së Spartakiadës së Ushtrive Mike të Lajpcigut 1958 ishte gjendur në krye të fillimit të parakalimit, duke qenë në mënyrën më të jashtëzakonshme i pari, ai i cili për shkak të alfabetit (Albania) i vetëm me flamurin shqiptar ndër duar, kishte kryesuar dhe hapur parakalimin e Lajpcigut për të gjithë shtetet pjesëmarrëse!

Dhe sensacioni; ky njeri do të bëhej gjeneral i Ushtrisë Sovjetike! Në të vërtetë, Ushtria Sovjetike do të çonte në gradën e gjeneral majorit të saj, një oficer të shkolluar të Ushtrisë Shqiptare. Ky ishte gjeneral major Jani Lufi, i cili falë aftësive të tij të rralla do t’ia arrinte të përshkohej në krejt rreptësinë e gradimit në ushtrinë ndër më të fuqishmet e botës, asaj të BRSS në këtë ritmikë të pandalshme: shef shtabi regjimenti me gradën major, komandant regjimenti me gradën nënkolonel, shef shtabi e komandant divizioni me gradën kolonel, e më pas gjeneral major me detyrën e shefit të shtabit të korpusit me qendër në Krasnodar! Por në atë shtator 1958, ne kishim të bënim me njeriun, i cili falë hapit të tij ushtarak, sportivitetit, shtatlartësisë së hijshme dhe elegante, seriozitetit dhe disiplinës së rrallë, qe përzgjedhur për të qenë flamurtari ceremonial i parakalimit madhështor të stadiumit njëqindmijësh të Lajpcigut.

Kujt mund t’i shkonte ndërmend atë ditë të 20 shtatorit 1958 se ky flamurtar “i panjohur”, i cili hapte Spartakiadën e demonstrimit të një aureole gjeopolitike të kohës, jo rastësisht në RDGJ, por të paramenduar për të sfiduar në njëfarë mënyre fare pranë vijës ndarëse ku ishte Gjermania tjetër, ajo e Republikës Federale e kampit të tjetër, atij kapitalist pra, mbas vetëm një dekade do të ishte një prej ushtarakëve të lartë dhe mbas pak gjeneral major i Ushtrisë më gjigante të Europës së Mbasluftës, asaj të BRSS? I lindur më 1931 në Sofratikë të Gjirokastrës prej një babai të pakicës greke dhe prej një nëne shqiptare të Qeparoit, Teodora Kopali, më 25 qershor 1945 Kiço Lufi është skenderbegas si të thuash i parë, në shkollën e mesme “Skënderbej”, për hir të së vërtetës një nga “gjimnazet” më të fortë të Mbasluftës në Shqipëri.

Jani Lufi është midis 150 kadetëve të parë të saj. Komandant batalioni i kursantëve, më mbas komandant i truprojës së nderit të Republikës Popullore të Shqipërisë, atij do t’i takojë që në aeroportin e Tiranës të presë në paradë personazhe të tanë historikë, prej ministrave, gjeneralëve e heronjve të famshëm Luftës së Dytë Botërore e deri te kryetarë qeverish; Pin De Huai, Velko Cervenkov, Anton Jugov, marshalli Zhukov, admiralët SG.Gorshgkov dhe V.A.Kasatanov… Dhe gjithçka deri më 20 gusht 1959, kur kapiteni Jani Lufi me anijen “Bjelloostrov” lë portin e Durrësit për të studiuar në Akademinë e mirënjohur ushtarake “M.V.Frunze” në Moskë, pa menduar se po i largohej përgjithmonë Shqipërisë së tij për t’u bërë gjeneral major i Bashkimit Sovjetik.

Këtu nis karriera e rrallë sensacionale e kapitenit shqiptar Jani Lufi, të cilit me vendimin Nr. 1048 të Këshillit të Ministrave të BRSS të 3 nëntorit 1983, do t’i jepej grada ushtarake Gjeneral Major i BRSS. Kishte qenë qitësi i Klubit Sportiv Partizani dhe flamurmbajtësi i tij në çeljen e Spartakiadës së Ushtrive Mike në Lajpcig më 1958! Ai ishte shndërruar nga partizani 13-vjeçar i Sofratikës, nga skenderbegasi dhe kadeti i Tiranës, nga kapiteni i Truprojës së Nderit të Republikës Popullore të Shqipërisë, dhe i cili kishte pritur në paradë, madje dhe shoqëruar në vizitat e tij në Shqipëri vetëm disa ditë para puçit të Hrushovit për shkarkimin e tij, mû komandantin legjendar të Luftës së Dytë Botërore, Mareshallin Zhukov!… Jani Lufi, si shkak të moskthimit në Shqipëri më 1961, kishte vetëm dëshirën për: të mbaruar me dinjitet Akademinë “Frunze”, siç dhe e mbaroi.

Tri vjet më mbas, më 26 qershor 1963, i sapodiplomuari Jani Lufi ftohet nga KQ i PK të BRSS dhe Këshilli i Ministrave në mbrëmjen solemne të akademistëve në të famshmen sallë Gjeorgjevskaja në Kremlin në prani të Nikita Hrushovit. Atë natë nis dhe karriera e pandalshme e Jani Lufit, i sapoemëruar në qytetin Orxhonikidze (Vladikaukaz) kryeqytet i Osetisë së Veriut për të mos u ndalur. Martohet me Julia Sergejevna Filaksenova, mjeke nga profesioni, bijë e një familje intelektuale ruse, me të cilën ka dy djem, Andrean dhe Kostandinin.

Ndërkaq, është komandant i Regjimentit 32 të motorizuar të Danubit të Divizionit 19, emër që vinte prej faktit se ky regjiment kishte kapërcyer Danubin dhe kishte çliruar Pragën; mandej komandant i Divizionit 197 të motorizuar të Qarkut të Kaukazit Verior ku kishin komanduar Voroshollivi, Timoshenko, Konievi, Jeremenko. Plijevi – Heroj të Luftës së Dytë Botërore. Një Qark që ishte sa tri herë Shqipëria: 15 milionë banorë! Më 1976 Jani Lufi arrin edhe më të lartën: Shef i Shtabit të Korpusit të 12-të Gjitharmësh të BRSS! Në Krasnodar. Jo korpus i Shqipërisë, por korpus i BRSS, një e gjashta e botës. Duket se e militarizuam tejet këtë shkrim që mëton të jetë një histori sportive, mirëpo, siç thashë në fillim, ndodh që “një ngjarje e njohur të çon te një e panjohur”, së cilës nuk mund të mos i dorëzohet një gazetar profesionist.

Aq më tepër një gazetar si i nënshkruemi, i cili në 3 vjet e 17 ditë (1965-68) ka qenë i veshur me rrobën e ushtarit, madje për dy vjet në rolin e komandantit të togës. Për çudi, gazetaria sportive në Shqipëri e ka jo aq të largët rrobën e ushtarakut. Përveç të sipërthënit, Ismet Bellova ka qenë pedagog në shkollën “Skënderbej”, së bashku me togerin apo kapitenin qitës, Jani Lufin. Dhe jo vetëm kaq, por Bellova – gazetari dhe radiokronisti ynë i madh, ka qenë gjithashtu pjesëtar në Spartakiadën e Lajpcigut, madje me dy role: trajner në atletikë dhe gazetar!

Ndërkaq, nuk harrojmë se i paharrueshmi Veli Rada ka mbaruar përveç të tjerave, edhe Shkollën “Skënderbej” edhe atë të Bashkuar të Oficerëve. Ndërsa gazetari tjetër, i mirënjohuri Ahmet Shqarri, me kontribute të mëdha, ka mbaruar gjithashtu shkollën “Skënderbej”. Ndërsa në gjithë këtë klasifikim militar, autori i këtij shkrimi mbetet në vendin e katërt sepse në detyrën e komandantit të togës ka qenë vetëm një autodidakt! Për çudi, duke pasur komandant Prof. Alfred Moisiun – figurë e spikatur e Ushtrisë Popullore – i cili në Shqipërinë demokratike do të mbërrinte deri në President i Republikës së Shqipërisë. Mbresat e “flamurtarit” që i parapriu ceremonisë madhështore të Lajpcigut Dhe mbasi tregova gjeneralin sovjetik, le të kthemi mbrapa e të shkojmë te qitësi flamurtar shqiptar i Lajpcigut.

Ngjarja e madhe i përket 20-28 shtatorit 1958 në “Spartakiadën e parë Verore të Ushtrive Mike” slogani zyrtar i së cilës ishte:: “Për forcimin e bashkëpunimit vëllazëror të ushtrive mike”. Në të vërtetë, ajo ishte një lloj demonstrimi sui generis i forcës së kampit komunist me në krye Bashkimin Sovjetik edhe përmes forcës sportive. Çka e shndërroi Spartakiadën e Lajpcigut në një eveniment të vërtetë sportiv në Europë me pjesëmarrjen e 12 shteteve komuniste: BRSS, RDGJ, Bullgaria, Çekosllovakia, Hungaria, Kina, RD e Vietnamit, RDP e Koresë, Polonia, Shqipëria, Rumania, RP të Mongolisë.

Në 12 sporte, në 6 prej të cilave është dhe Shqipëria: futboll, basketboll, qitje, atletikë, boks, shumëgarëshi ushtarak. Përmes librit të tij, gjeneral Jani Lufi, një gjysmëshekulli më mbas të atij 1958, vit kulmor në shkëlqimin e miqësisë Shqipëri – BRSS, ai tregon se si ruan për Lajpcigun si sportist kombëtaras i Shqipërisë apo i të ashtuemërtuarës Ushtria Popullore e Republikës Popullore të Shqipërisë, gjithë mallin dhe vlerësimin historik. Ka një vlerë të pazakontë një ndalesë te ky kalim i tij për Spartakiadën e Lajpcigut, sepse është përshtypja e drejtpërdrejtë e një pjesëmarrësi të dorës së parë. Shkruar gjeneral Jani Lufi: “… Në verën e vitit 1958 u zhvilluan në Berlin garat e sportistëve të ushtrive të vendeve mike të Europës Lindore, pra Shqipëria, BRSS, Polonia, Rumania, Bullgaria, RD Gjermane, Hungaria, Çekosllovakia, si dhe RP e Kinës, RPD e Koresë, Vietnami i Veriut, Laosit dhe Kamboxhias.

Delegacionin sportiv të ushtrisë shqiptare e kryesonte drejtori i Drejtorisë së Përgatitjes Luftarake të Ushtrisë, kolonel Skender Malindi. Aeroplanët IL 14 të prodhimit sovjetik të pilotuar nga pilotë gjermanë, e transportuan ekipin shqiptar nga Tirana në Berlin. Gjatë fluturimit bëmë një ndalesë të shkurtër në Budapest, kryeqyteti i Hungarisë. Aeroporti hungarez kishte një pamje të zymtë, në muret e ndërtesave të aeroportit binin dukshëm në sy gjurmët e shpërthimeve të predhave të armëve të kalibrit të madh, dëshmi e ngjarjeve tragjike hungareze të vitit 1956.

Nga Budapesti vazhduam rrugën për në Berlin. Në aeroportin e kryeqytetit gjermano-lindor na pritën oficerët madhorë të ushtrisë së RDGJ-së. Nga Berlini, në tre autobusë, të shoqëruar nga policia rrugore, mbërritëm në Lajpcig, kryeqytet i ardhshëm i garave sportive. Ekipin sportiv shqiptar e vendosën në ndërtesën e një kolegji, nxënësit e të cilit në atë kohë ndodheshin me pushime verore. Kushtet e jetesës ishin të mira. Të nesërmen në stadiumin e Lajpcigut u organizua hapja e garave sportive. Në fushën e futbollit u rreshtuan të gjitha ekipet pjesëmarrëse sipas rendit alfabetik. Në krahun e djathtë, në krye, zuri vend skuadra e sportistëve ushtarakë të Shqipërisë. Unë pata nderin të drejtoja kolonën e ekipit shqiptar gjatë hapjes dhe mbylljes së lojërave ushtarake, duke mbajtur flamurin kombëtar.

Në tribunë kishin zënë vend personalitete të larta ushtarake dhe gjeneralë të ushtrive të Traktatit të Varshavës. Kryekomandanti i trupave sovjetike në Gjermani, mareshali i Bashkimit Sovjetik G.F.Zaharov dhe përfaqësuesit e pushtetit të RDGJ dhe Lajpcigut. Parakaluam para tribunës me hap sportiv nën tingujt e muzikës së orkestrës të mrekullueshme të ushtrisë së RDGJ-së. Dy javë garuan në arenat sportive të RDGJ-së atletët e ushtrisë së Bashkimit Sovjetik, të shteteve demokratike të Europës Lindore dhe Azisë. Fryma e miqësisë dhe mirëkuptimit mbretëronte në të gjithë ecurinë e lojërave. Nderim i veçantë u shpalos nga të pranishmit për sportistët e Vietnamit, sepse ushtria e tyre luftonte për çlirimin e atdheut. Shumë sportistë të Vietnamit të Veriut kishin ardhur në gara drejt nga fusha e luftës. Vietnamezët luftonin në atë kohë me forcat e armatosura të SHBA-së që kishin pushtuar jugun e vendit.

Rezultate të larta shpalosën sportistët e Ushtrisë Sovjetike, të ushtrisë Polake dhe Çekosllovake, ata thyen shumë rekorde europiane dhe botërore në atletikën e lehtë dhe qitje. Nga bashkësia e sportistëve shqiptarë garoi me sukses skuadra e futbollit ‘Partizani’. Në fushat e futbollit të RDGJ ajo i mundi konkurrentët e vet, midis të cilëve edhe skuadrën e organizatorëve të lojërave. Humbi vetëm me një skuadër në ndeshjen finale, me ekipin e fortë bullgar. Futbolli në Shqipëri është loja numër një, ndaj paraqitja e suksesshme e ekipit ‘Partizani’, ngjalli entuziazëm të përgjithshëm në Shqipëri dhe pati jehonë emocionale. Garat sportive të ushtrive mike u zhvilluan me nivel të lartë. Populli i RDGJ-së shpalosi ndaj sportistëve simpati e ngrohtësi edhe në ato raste kur rezultatet ishin mesatare. Kryetari i Republikës Demokratike Gjermane, Valter Ulbriht, në ditën e fundit të garave dha në Berlin një pritje të madhe në një atmosferë të çiltër dhe të sinqertë. Të pranishmit këndonin këngë kombëtare. Grupi i madh i ushtarakëve sovjetikë, në mesin e të cilëve ishte ulur mareshali i BS G.F.Zaharov, kryekomandant i trupave sovjetike të pushtimit në RDGJ, këndonte harmonishëm këngën ‘Në rrethinat e Moskës’.

Ky fakt shkaktoi përshtypje interesante se si një personalitet kaq i lartë ushtarak ishte ulur thjesht midis efektivit të ushtarëve dhe nënoficerëve. Po atë ditë fluturuam me aeroplan nga Berlini në Tiranë. Gjermania kishte krijuar mbi ne përshtypje të fuqishme. Autostrada të shkëlqyera, qendra të banuara të mirëmbajtura, arkitekturë plot variacione e që binte në sy. Teatro, kinema e ndërtesa mbresëlënëse, korrektesë për gjithçka, disiplina e banorëve, dyqanet e pasura krijuan për ne admirim të plotë. Pjesa më e madhe e anëtarëve të delegacionit shqiptar e kishin udhëtimin e parë jashtë kufijve të atdheut dhe u ndodhën në një vend kaq të zhvilluar e me kulturë të pasur e tradita si Gjermania…”

Ndërsa ne, në vijim të kësaj pjese të parë, do të vazhdojmë për te Argjendi i Partizanit 1958, një arritje europiane, e bujshme futbollit shqiptar të kohës. Aq më tepër që jemi në vitin 1958, kur sapo lindte Kampionati Europian dhe kur sapo kishin lindur turnetë e Kupave të Europës për klubet. Dhe siç premtuam, do të guxojmë të hyjmë në një “duel” strategjik me futbollin kombëtar të Shqipërisë datuar 2018…

(Vijon në numrat e ardhshëm)

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"