Historia shqiptare e Lotarisë Sportive, të cilën në 2019-ën Shqipëria e quajti “bixhoz”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2019 | 21:16

Historia shqiptare e Lotarisë Sportive, të cilën në 2019-ën Shqipëria e quajti “bixhoz”

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Viti pararendës 1937…

Ka qenë 25 prill 1937, ditën e fillimit të Kampionatit të 7-të Kombëtar të futbollit në Shqipëri, kur papritmas gazeta “Sporti Shqiptar” nis e organizon çdo javë lotarinë e parashikimit të ndeshjeve. Është e jashtëzakonshme! Madje, ndër organizimet e para kësisoj në Europë. Them se vetëm mëndja e një Anton Mazreku, atëbotë drejtor i “Sportit Shqiptar”, duhet të jetë iniciatori. Ky i takon të jetë, si të thuash, një pararendës i Totofutbollit shqiptar. Skedina e parë e tij me rezultate, që janë të Javës 1 të Kampionatit të vitit 1937, kanë qenë këto:

SK Tirana-Besa 2-0, SkënderbeuDurrësi 1-0, Vllaznia-I.Qemali 6-0, Dragoj i Pogradecit-Bashkimi Elbasanas 2-1, Tomori-Bardhyli i Lezhës 0-2.

Natyrisht, ai nuk ishte një Totocalcio i tipit “Massimo Della Pergola” që tronditi Europën më 1946. Fituesi i javës përfitonte vetëm një abonim falas 12-mujor të “Sportit Shqiptar” dhe kaq. Dimë që gjithçka shuhet pa lindur mirë. Interesantja është se pasluftës, në vitet ’40, partia herë mbas here lejonte një si lojë përmes gazetës sportive, të parashikimit të ndeshjeve me lexues, çfarë gazeta kërkonte t’i jepte më tepër pamjen e një aftësie kulturore, njohëse.

masimo dela pergola

Shpikësi i “Totocalcio”-s, Massimo Della Pergola, në vitet e “Totocalcio-s së tij.

Ishte thjesht një vazhdim i lotarisë së “Sportit Shqiptar” të vitit 1937, edhe për faktin se Mazreku ishte prapë aty, madje kësaj radhe në krye të sporteve si kryetar i Federatës Sportive Shqiptare. Por e vërteta ishte se për gati 20 vjet, parashikimi i ndeshjeve u harrua në Shqipëri. Është e çuditshme sesi në fillim të viteve ’60 loja fillon përsëri, madje kësaj here ka dhe një skedinë të mirëfilltë, që shitet veçan gazetës “Sporti Popullor”. Dhe prapë nisma ka një jetë të shkurtër, çka sidomos mbas vitit 1964, ajo konsiderohet madje, “një lojë borgjeze, çedukuese, antisportive”. Ashtu, siç me sa u dashka quajtur edhe sot, më 2019-ën.

Historitë e para të Totofutbollit jetëshkurtër shqiptar, ligjërisht marrin fund këtu, por ata vazhdojnë në ilegalitet. Shteti shpesh bënte të paditurin, ndonjëherë edhe e demaskon episodin, e ngjarjet e pakëndshme janë madje dhe të njohura. Për regjimin, Shqipëria përfundimisht nuk mund të kishte Totofutboll. Ndonëse një dukuri nuk mund të mos vlerësohet sot: të paktën që në ato përpjekje të zbehta e të shuara, prirja ishte për të organizuar një Totofutboll “shqiptar”, me çiftime të futbollit shqiptar, me skuadra shqiptare, me kampionatin shqiptar.

9 SHTATOR 1990: LIND SKEDINA SHQIPTARE!

Kjo është dita, data, fillimi. Më 11 shkurt 1990 Komisioni Qendror i Konkursit të Parashikimeve të Rezultateve Sportive (emërtim më se burokratik, por tejet shqip), boton për herë të parë rregulloren e tij. Përgjegjësi i sektorit të konkursit, Kasem Seferi, përgjigjet me një shkrim komentues, duke nënvizuar fort në nëntitull se “35- 37 për qind e sportit në Itali financohet nga të ardhurat e lotarive sportive”. Duken si ditë entuziaste vërtet dhe vrulli i energjikut të pashtershëm, Kasem Seferi, gjallëronte zyrat tona të redaksisë.

sporti popllor 10 shtator 1990

Duhej të vinte shtatori i vitit 1990 kur BFSSH-ja e famshme, çel atë që e quajti “Konkursi i Parashikimeve Sportive”. Gjithçka nis në të folmen “shqip”. Nuk quhet “skedinë”, por “parashikim”. Parashikimin e parë e botoj në gazetën e vetme sportive që drejtoja më 10 shtator 1990 dhe përmban këto çiftime të Kampionatit Kombëtar:

PARASHIKIMI NR. 1 * 9 SHTATOR 1990

Kastrioti – Flamurtari 1-0
17 Nëntori – Luftëtari 3-1
Labinoti – Apolonia 0-3
Traktori – Tomori 1-1
Lokomotiva – Vllaznia 0-0
Besa – Dinamo 0-0
Partizani – Skënderbeu 2-1
Labinoti – Apolonia (I) 0-1
Traktori – Tomori (I) 1-0
Lokomotiva – Vllaznia (I) 0-0

Ose ndryshe: 1,1,2, x,x,x, 1,2,2,x. Skedina përuruese ka çudinë e madhe sepse ka në krye të saj Kastriotin e Krujës, i cili merrte pjesë për herë të parë në Kampionatin Kombëtar. Dhe e fillon me fitoren e bujshme 1-0 ndaj Flamurtarit tonë të madh. Sigurisht, gati askush nuk guxonte të parashikonte fitoren e krutanëve debutues ndaj vlonjatëve të mirënjohur, fitorja e të cilëve e tronditi keqas skedinën e parë të Totofutbollit shqiptar.

Si puna e golit të Lushtës në Itali në 1946. Ndërkaq, po më pëlqen të përmend këtu 11-shin e Kastriotit, datuar 9 shtator 1990, të cilit as që i kishte shkuar ndërmend se me ndeshjen e fitoren e tij të parë do të ndërhynte kaq “pa mëshirë” në këtë skedinë të parë parashikuese. Tek është ky Kastriot “kapriçoz”: Hasani 7, A.Fortuzi 8, Dollaku 7 (Ruço 80′), Ziri 7, Deda 8, Nikolla 8, Dosti 7 (Konçi 86′), Yzeiri 7, Ujka 8, Zela 8, Qose 7. Trajner: Ilir Luarasi. Shënues, Nikolla në të 32′. Siç shihet, pranë emrit të çdo lojtari është vënë nota e vlerësimit të lojës së tij, siç bënim ne asokohe. Kishte 3 “dysha” skedina e parë! Fitues ishin vetëm ata që fitonin nga 10 dhe 9 pikë dhe 50 për qind e shumës së shitjeve u shpërndahej fituesve. Triumfuan dy “kartela”, siç quhen (pra, jo “skedina”): ajo me Nr.012603 në Kavajë dhe ajo me Nr.006797 në Gjirokastër.

Fituesit morën 51.710 lekë secili! Krejt e pazakontë! Kur mbërrin 8 marsi 1991, në fund të faqes së tretë, si të donim ta fshihnim, kam botuar lajmin sensacional me titullin “Edhe 5 ndeshje nga futbolli i huaj”, në të cilin shkruhej: “Federata Shqiptare e Futbollit i ka kërkuar Federatës Italiane të Futbollit për të futur në kartelat parashikuese çifte ndeshjesh nga kampionati kombëtar i Italisë… Duke filluar nga Java 27 e konkursit, kartelat parashikuese përveç 7 çifteve të kampionatit tonë kombëtar të futbollit, do të kenë edhe 5 çifte nga ndeshjet e ekipeve të futbollit italian”.

Dhe më poshtë: “Kam kënaqësinë t’ju konfirmoj, – shkruan në telekstin e tij sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Italian (CONI), Mario Pescante, – se mbas miratimit të Federatës Italiane të Futbollit, CONI autorizon futjen në buletinin e Totocalcios parashikimet për ekipet italiane të Kampionatit të Serisë A”. Shihet ndërkaq, sesi hyn dhe terminologjia e re në telegramlejen e Pescante-s. Atdheu i Massimo Della Pergola-s i kishte “falur” Shqipërisë pjesë nga skedina e vet! Edhe kjo ishte historike!

Parashikimi ynë Nr.27 ka pra, një skedinë me 7 ndeshje italiane dhe 5 shqiptare. Dhe surprizë! 5 ndeshjet shqiptare ishin nga Kampionati i të Rinjve të Shqipërisë! Duhet të jetë një rast mbarëbotëror: Inter, Milan, Lazio, Juventus, Roma në një skedinë me skuadrat e të rinjve të Shqipërisë! “Tradhtia” Mario Pescantes i ishte bërë pa pikë zori. Vërtet që jemi fantastikë! Ja:

4-1 Atalanta – Lazio 1
3-1 Cesena – Lecce 1
0-1 Inter – Milan 2
2-3 Parma – Pisa 2
0-1 Roma – Juventus 2
4-1 Sampdoria – Napoli 1
5-2 Torino – Genoa 1
0-0 Shkëndija A – Partizani x
0-1 Flamurtari – 17 Nëntori 2
2-0 Traktori – Besëlidhja 1
3-1 Besa – Skënderbeu 1
0-1 Apolonia – Lokomotiva 2

Nuk do të kishte gjë më të bukur po të kishim sot një skedinë të tillë italo-shqiptare, veç jo me të rinjtë, por me ndeshjet e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë. Fati i kësaj skedine megjithatë, qe i shkurtër, tejet i shkurtër: vetëm 16.452 lekë për dy fitues nga 21.936 skedina të shitura! Është gusht 1991. Pluralizëm. Hapje. Demokraci. Totofutbolli nuk është më lojë borgjeze.

Në gazetën “Sporti” – emërtimi i parë i imi për të kaluar pas pak te “Sporti Shqiptar” që drejtoja – në faqen e parë të numrit të ditës së 16 gushtit 1991, kam shpallur atë, të cilin unë e gjysmëshqipërova duke e quajtur “Totofutboll”. Dëshironim ta shqipëronim, pra, të mos i thoshim Totocalcio. Mundëm të thoshim vetëm “Totofutboll”. Gati gjithë faqen e parë e zë fillimi i një shkrimi me titull “Ç’dimë për Totokalçion”, e shkruar në këtë ortografi të çuditshme! Shkrimi zë mandej gjithë faqen e madhe të tretë të gazetës dhe në mes të tij kam vënë kalendarin e Kampionatit Italian të Serisë A, meqenëse shkrimi njohës i kushtohej i gjithi Totocalcios italiane.

Autorët e këtij shkrimi “nismëtar”, janë Kasem Seferi dhe Vjollca Shamku, i pari pra, një protagonist i organizimeve filluese të Totofutbollit shqiptar. Kështu vazhdon kjo histori, e cila në fillim është krejt shqiptare. Ndonëse historia e treguar është italiane, skedina është krejtësisht arbnore. Ajo është një skedinë me 12 çifte ndeshjesh, të gjitha shqiptare, saktësisht të Kupës së Shqipërisë. Për histori duhet fiksuar, sepse ka të bëjë me themelimin e dytë, por të parë me emërtimin “puro” “Totofutboll”, madje me Nr.1:

TOTOFUTBOLLI NR. 1:

Vllaznia – Korabi
Partizani – 31 Korriku 2-0
Studenti – Besa 1-1
Shkolla e Bashkuar – Kastrioti 0-1
Tepelena – Selenica 4-1
Butrinti – Delvina 2-0
Përmeti – SK Teuta 4-2
Devolli – Ylli Kuq
Dinamo – Naftëtari
Labinoti – Besëlidhja 1-1

Dhe siç shihet, tri ndeshje që nuk zhvillohen për mosparaqitje e detyrojnë FSHF-në të dënojë skuadra. Është një pamje që të duket si e një kohe të lashtë. Vështroni emërtimet! “Shkolla e Bashkuar”, “31 Korriku”, “Ylli i Kuq”, “Labinoti”… Skeda ka ndërkaq, një fat vërtet të çuditshëm. Për shkak të mosfunksionimit të linjës telefonike, ka çifte ndeshjesh, rezultatet e së cilave merren vesh vetëm pas 24 orëve.. “Nuk punon linja!” – kam vënë me dorën time në skedinën e botuar në faqen e parë të “Sportit”. Vetëm e vetëm për të sensibilizuar një seriozitet më tepër! Ndërkaq, tri ndeshje nuk zhvillohen dhe skeda quhet e vlefshme me vetëm 9 çifte!

Në numrin e 23 gushtit 1991 të “Sportit”, jepet dhe komunikata e parë e Totofutbollit Nr.1 zyrtar të Shqipërisë. Ajo njofton se janë shitur 4141 skedina dhe fitues me 7 pikë ishin 20 kolona që fitojnë secili nga 248 lekë! Ndërkaq, fitues me 6 pikë ishin 283 vetë, të cilët fitonin nga 11.7 lekë secili! Gjithçka duket vërtet si një prehistori. A do të vazhdonte më tej me “shqiptarësinë” e tij? Por, Totofutbolli Nr.3 është tronditja e parë. Më 22 shtator 1991 do të fillonte Kampionati Kombëtar, po ndërkohë në Itali nis Seria A. Dhe Totofutbolli Nr.3 dhe ai Nr.4 në Shqipëri, papritmas lëshojnë tokë. Katër çifte të Serisë A të Italisë zënë vend në skedinën shqiptare.

I ashtuquajturi “Komisioni Qendror i Totofutbollit” vë veton! Katër ndeshje të Serisë A të Italisë përfshihen në këtë skedinë shqiptare Nr.3 po dhe në atë Nr.4. Dhe vetëm 8 çiftet e tjera janë të Kampionatit Kombëtar. E vërteta është se këto skedina që dalin në shitje në fillim të shtatorit, duhet të presin 22 shtatorin e fillimit të Kampionatit Kombëtar për t’u omologuar. Koha nuk pret. Dhe po papritmas, më 9 shtator 1991, njoftohet për daljen në shitje të një skedine vetëm me ndeshje të Serisë A të Italisë. Në faqen e parë të Gazetës “Sporti” njoftohet se është hedhur në shitje Skedina Speciale e Totofutbollit, i cili nuk do të ketë asnjë ndeshje shqiptare, por të gjitha italiane! Për një çast të duket se kjo ngjet thjesht ngaqë kjo javë nuk do të kishte ndeshje të Kampionatit tonë. Nuk ishte kështu…

ITALIANIZIMI OSE SHKOMBËTARIZIMI I “SKEDINËS SHQIPTARE”

Kështu kam titulluar me kohë. Kjo zyrtarisht dhe përfundimisht ka ndodhur në nëntorin e vitit 1991. Ndonëse suksesi paraprak i përkiste skedinës speciale të mësipërme, asaj të publikuar më 9 shtator. Sensacioni është se kësaj here janë shitur 66.338 skedina dhe që skedina me numër 000358 është e vetmja që merr 11 pikë dhe fiton 13.276 lekë. K

omisioni i Konkursit të Totofutbollit thërret me të madhe në komunikatën e tij: “Çmimi do të ishte shumë herë më i madh në qoftë se do të ishin shitur më shumë skedina. Pjesëmarrës mos humbisni shansin e fitores!” Mbas këtij publiciteti “arkaik”, Totofutbolli Nr.3, Nr.4, Nr.5, Nr.6, Nr.7 është një pleksje e ndeshjeve të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë me atë të Italisë: 8 çifte të Kampionatit Kombëtar, pra, të 16 skuadrat e tij dhe 4 çifte të kampionatit italian. Për histori duhet thënë se Skedina Nr.7 arrin 17.261 skeda të shitura dhe fituesi që parashikon të 12 kahet e ndeshjeve, fiton 20.713 lekë. Ky është dhe rekordi për skedinën shqiptaro-italiane për Totofutbollin e asokohe.

Këtu është dhe fundi i shqiptarësisë së skedinës shqiptare. Qysh nga ky çast, nëntor 1991, nuk do të ketë më skedinë me ndeshjet e Shqipërisë dhe ky është hapi i parë, për fat të keq i pandalshëm, i lojës parashikuese të futbollit, çka e bën Shqipërinë të vetmin vend në Europë që për gati tri dekada me radhë nuk guxon të përfshijë në skedë asnjë ndeshje shqiptare! Jemi vërtet “kampionë” në shkombëtarizime kësisoj! Është vërtet e çuditshme sesi e pranuam në atë kohë një vendim të tillë jokombëtar. Di vetëm që u tha se përfshirja e ndeshjeve të Kampionatit Shqiptar në skedinë krijon shitje të fshehta të rezultateve të ndeshjeve të kampionatit kombëtar, i cili mund të degjenerojë.

E pra, askush nuk dha qoftë dhe një shembull të vetëm se ka ndodhë për këtë shkak, kur ndeshje të manipuluara në Shqipëri ka pasur e vazhdon të ketë deri sot e kësaj dite, edhe pse ato nuk janë përfshirë në Toto. Institucioni i Totofutbollit ndërkaq, mbasi vendosi për të përfshirë një lotari me vetëm ndeshjet e Serisë A – çka duhet të pranojmë se është një njollë në zhvillimin e politikës sportive në Shqipëri – nisi vërtet të shkëlqejë. Dhe ndodhi ajo që dihet. Gradualisht nis e merr përparësi Kampionati Italian.

Nis e braktiset ai shqiptar dhe njerëzit, rinia, nis e ngulet para televizionit apo radios për të marrë vesh ecurinë e Serisë A të Italisë dhe tribunat e stadiumeve shqiptare nisin e boshatisen pa ndalim, aq sa sot kemi mbërritur mesatarisht në më pak se 1000 shikues për ndeshje. Vrullshëm nisin e dalin gazeta të reja sportive, me vetëm një qëllim: kampionatet e huaja, sidomos atë italian. E vetmja që rezistonte ishte gazeta “Sporti Shqiptar”, të paktën deri më 1 mars 1999, ku raportet sport shqiptar-sport ndërkombëtar është dukshëm në të mirë të të parit. Dhe mbas kësaj periudhe, edhe në këtë gazetë, në të vetmin bastion sportiv kombëtar, gjithçka merr fund. Dhe shteti që bën sehirxhiun!…

Nuk ka dyshim se Totofutbolli luajti një rol të rëndësishëm për financimin e sportit shqiptar. Dhe kjo është arritja më e madhe e tij. Më pas, për fat të keq, duke u konsideruar nga pushteti si vend për të kënaqur “miqtë”, duke ndërruar drejtorë për bamirësi, i ndodhur përballë lindjes së shfrenuar të lotarive të tjera të futbollit që pushtuan këtë lloj tregu të pa shumë mund, sot mbërritëm te vdekja e tij. Dhe ky është mjerimi i degjenerimit të shpikjes së Massimo Della Pergola-s në Shqipëri. Kështu Totofutbolli kombëtar, i shndërruar në shkombëtarizues, gjithnjë e më pak i shërbeu qëllimit kryesor për të cilin edhe u themelua: financimit të sportit kombëtar.

Në 1982, kur kam ardhur në gazetën “Sporti Popullor”, gjëja e parë që kam bërë, madje brenda javës, ka qenë zgjerimi deri në një faqe të plotë i rubrikave të sportit ndërkombëtar, sepse ato ishin tejet të pakta dhe të zbehta. Shqipëria e mbyllur kishte nevojë për këtë sport, për kulturën e tij, për zhvillimet gjigante që ai kishte marrë, për bukurinë dhe arritjet e tij fantastike. Edhe pse shpesh me shkrime të politizuara, ajo ngjalli interes te lexuesi dhe është një nga arsyet e rritjes më tej të popullaritetit të gazetës. Me ardhjen e Demokracisë kjo tabu ra. Sporti ndërkombëtar shpërtheu në përmasa të papara, duke filluar i pari në këtë rrugë po “Sporti Shqiptar”.

Dhe është e natyrshme që mbas atij izolimi të papërshkrueshëm, të vinte pra ky shpërthim, ky ndërkombëtarizim i arsyeshëm i mjedisit sportiv shqiptar edhe në media. Por masa në vendin e duhur dhe gjithçka në përparësi të sportit kombëtar. Ky është dhe kuptimi i madh i detyrës kombëtare të qytetarit, aq më tepër i gazetarit, dashuria për vendin tënd, për sportin tënd, për kulturën kombëtare! Kur në 1946, Massimo Della Pergola, gazetari i famshëm italian, udhëtonte me tren për në Romë për të takuar Gulio Onestin, presidentin e Komitetit Olimpik Italian (CONI), për ta bindur se duhej organizuar një lotari që do të quhej “Totocalcio”, fitimet e të cilit do të ndihmonin edhe financiarisht sportin e futbollin italian, pasi kishte dështuar me zyrtarët e tjerë, ai, siç e tregova në numrin e shkuar, mendonte vetëm për një gjë: t’i shërbente kombit të tij.

Dhe për vite të tana të jetës së tij, ky “Grande Ufficiale d’Italia” ndihej krenar. Por kur në Shqipëri, ky Totocalcio apo Totofutboll i italianizuar deri në paarsye, degjeneroi deri në largimin e rinisë shqiptare nga futbolli i vendit të saj, nga një pjesë e vetë kulturës kombëtare të saj. Atëherë, nuk të mbetej gjë tjetër, veçse të pranosh se Totofutbolli në Shqipëri edhe në 28-vjetorin e lindjes së tij, u shndërrua vërtet në shkombëtarizues, sepse bota shqiptare e futbollit nuk bënte më pjesë në të.

KUSH ËSHTË FAJTORI?

Fajtori është vetëm një. Ose po të duash thuaji dy: shteti shqiptar, por më shumë qeveria e tij. Ndërsa në mbylljen e tij të pamëshirshme, fajtori është vetëm një: qeveria e sotme shqiptare, e cila e denatyroi duke e quajtur “bixhoz” dhe duke e mbyllur brenda një dite së bashku me ata që vërtet mund të jenë “bixhoz”. Bixhoz, kumar, bast! Çka nuk i tha. E mbyti në një ditë me kazinotë, me të cilat Totofutbolli shqiptar apo lotaria sportive, jo vetëm nuk përngjan, por nuk ka të bëjë aspak.

Në të vërtetë, ashtu siç kishte vërshuar së rëni në pikiatë, diçka duhej bërë. Por kurrë që të zhdukej. Ai duhej kthyer në origjinë, në jetën e tij, siç u tregua në këtë Dossier të “Panorama Sport”. Kush ishte fajtori? Prapë sidomos qeveria. Sepse është qeveria, është ministria që lejuan për vite të tana, denatyrimin e Lotarisë Sportive, devijimin e saj prej qëllimit fisnik të saj. Më saktë, të dy qëllimeve fisnike: njerëz të thjeshtë, madje të varfër, të cilët fitonin diçka, por mbi të gjitha janë përfitimet që duhej të kishte sporti kombëtar.

Nuk harrojmë se është qeveria shqiptare ajo që lejoi hapjen deri në çmenduri të pikave të pambarim të shitjes së skedinave. Është qeveria shqiptare ajo që në një vend si Shqipëria me krejt pak traditë në këtë fushë, lejoi deri në absurditet ndërkombëtarizimin e pastaj të Lotarive Sportive. Është pazotësia e qeverisë shqiptare ajo që me paaftësinë e saj për të luftuar korrupsionin në ndeshjet e futbollit shqiptar, lejoi mënjanimin e ndeshjeve të Shqipërisë në skedinë. Mirëpo, për të luftuar këtë lloj korrupsioni kërkohet punë, drejtim e sakrifica qeveritare. Çka dikush prej vitesh nuk deshi t’i merrte përsipër. Dhe rrufeshëm ndalon pa mëshirë Lotarinë Sportive. Pse e bëri? Kësaj pyetjeje nuk arrij t’i përgjigjem. Sidoqoftë, për një gjë jam i sigurt. Do të vijë koha që Shqipëria do ta kthejë Lotarinë Sportive në një Lotari Kombëtare Sportive, në një Lotari Shqiptare, ashtu siç nisi në 1990. Me synimin parësor: mbështetje të fuqizimit të sportit kombëtar.

EPILOG: SHEMBULLI I SOTËM I BRITANISË SË MADHE

Epilogun e kësaj historie të rrallë po ia kushtoj shembullit të Britanisë së Madhe. Madje, shembullit jo të djeshëm, por të sotëm, të vitit 2018 që sapo ka kaluar. Në vërtetë, po e përsëris sepse e kam përmendë midis rreshtave pak kohë më parë. Në këtë rast po e shndërroj në nëntitull epilogu të komentuar të këtij “Dossier”-i. Dhe shembulli britanik është ky:. “Paratë e Lotarisë Sportive janë në krye të punëve: tani Britania e Madhe është një ‘big’ botëror”.

Ky ishte titulli i para pak muajve në “La Gazzeta dello Sport” të Italisë. Njoftimi e kishte fjalën për te riorganizimi i sportit olimpik britanik pas dështimit të tij në Lojërat Olimpike të “Atlanta 1996” kur Britania e Madhe u rendit e 36-ta me vetëm 1 medalje ari. Dhe vetëm pas pak ditëve të Atlantas, në Britani u themelua UK Sport – Agjencia Publike e Sporteve e drejtuar nga Departamenti i Kulturës, Medias dhe Sporteve. Me synimin kryesor: që të financohej forcimi i strukturave sportive. Me në krye Lotarinë Sportive. Çka do të thoshte që 25 për qind të inkasimeve prej saj t’i shkonin sportit kombëtar.

Kështu, qysh nga viti 1997, Lotaria britanike ka dhuruar bukur 2 miliardë sterlina ose 2.3 miliardë euro. Gjithçka në dobi të mbështetjes së sportistëve, programeve dhe projekteve të formimit të tyre. Madje, duke sanksionuar deri dhe rrogë vjetore për çdo sportist olimpist elitar që varion nga 41.000 e deri në 68.000 euro për katër vjet me radhë nga njëra Olimpiadë te tjetra. Falë edhe këtij organizimi, në Olimpiadën e Rio de Janieros 2016, Britania e Madhe u rendit e dyta me 27 medalje ari, 23 argjendi dhe 17 bronzi. “Krahasimi me dështimin e ‘Atlanta 1996’ është elokuent”, shkruan “La Gazzetta”…

Natyrisht, ne nuk e kemi diku një Departament të tillë, që sa i nevojshëm do të ishte, teksa do t’i thoshte “lamtumirë” joefektivitetit të sotëm të ministrisë përkatëse për sportet. E, ndoshta gabova që mora shembullin e një prej shteteve më të fuqishme sportive të botës. Nuk arrin këtu Shqipëria e vogël me kaq vështirësi të jetës së saj e me kaq shumë kapriço qeveritarësh të urdhrave prepotente e të nxituara, më shumë për spektakolaritet se për arsye shtetërore. Sidoqoftë, ndoshta Shqipëria diçka mëson edhe prej shembullit mbarëbotëror britanik.

Ndonëse, me sa po shihet, nuk di të mësojë. Ose nuk do të mësojë. Mbi të gjitha, nuk do të punojë. Sidomos ngaqë kështu vepruaka me Lotarinë Sportive një vend “borgjez”, madje një nga vendet më “borgjezë” të botës që është Britania e Madhe. Shqipëria merret me mend se çka është. Shqipëria nuk ka punë me Britaninë, ka punë me vetarrogancën e vet. Dhe siç kam thënë një herë tjetër, euforia e “festës” aktuale mbaron këtu. Por kujtesa do të mbetet derisa kjo histori trishtuese shqiptare të përmbyset…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"