Dosja “Muzaka” shkon në KAS, zbardhen prapaskenat e gjyqit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2017 | 11:15

Dosja “Muzaka” shkon në KAS, zbardhen prapaskenat e gjyqit

Çështja “Muzaka” nuk është mbyllur ende te Tirana. Edhe pse Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve i dha të drejtë lojtarit, klubi kryeqytetas nuk dorëzohet. Ata betejën e radhës duan që ta fitojnë në KAS. Kanë më shumë se një muaj që kanë ndërmarrë që të gjitha masat ligjore, duke dorëzuar dosje në zyrat e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.

muzaka123

Kjo është e para herë në historinë e futbollit shqiptar që një lojtar shqiptar përfundon në instancat ndërkombëtare, pas konfliktit me klubin. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur kurrfarë zhvillimi për këtë çështje, madje as në faqen zyrtare të KAS-it nuk është hedhur asnjë njoftim për nisjen e këtij procesi.

Por, kjo po ndodh për një motiv të qartë. Rregullat janë të prera dhe para se të shkohet në gjyq, fillimisht duhet të plotësohen disa kritere nga pala paditëse (që është Tirana) dhe ajo e paditur (që është Muzaka). Zyrtarisht Tirana kaq bërë apelimin në KAS, ndërsa ka paraqitur të gjitha pretendimet e veta për vendimin e dhënë nga DHZK-ja.

Këta të fundit i dhanë të drejtën lojtarit që të përfitojë 107 milionë lekë të vjetër prej bardhebluve. Vetë klubi synon që të minimizojë këtë shumë të majmë, ndaj ka ndërmarrë këtë hap. Ndërkombëtarët, pasi kanë marrë një përgjigje të argumentuar prej të dyja palëve, si procedurë do të kërkojnë edhe një tjetër shkëmbim dokumentesh.

Pas kësaj hallke, KAS do të bëjë përllogaritjet e kostove procedurale, tarifë kjo që do të paguhet prej klubit bardheblu. Dhe vetëm pasi të vendoset kjo, Tirana si palë paditëse është e detyruar që të depozitojë paratë, pasi ndryshe gjyqi nuk nis. Me t’u bërë pagesa, kryhet një seancë dëgjimore dhe më pas do kalohet në seancat gjyqësore.

Kujtojmë që konflikti mes palëve nisi në muajin janar. Ai kishte muaj që nuk paguhej, ndërsa në merkaton e dimrit u la jashtë listës së grumbullimit për fazë përgatitore. Pas kësaj historie nisi gjyqi në DHZK, megjithatë fillimisht Halili dhe Muzaka zhvilluan edhe një debat publik në televizion. Presidenti pretendonte se lojtari ka qenë i dëmtuar, ndaj nuk meritonte rrogë të plotë, pasi e kishte klauzolë në kontratë.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"