Dorëzohet Zhang/ Shitja e Interit, Suning nis kontaktet me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2022 | 14:41


Dorëzohet Zhang/ Shitja e Interit, Suning nis kontaktet me…

Ideja për të shitur vetëm një pjesë të aksioneve dhe për të mbajtur pronësinë e klubit, duket se nuk ekziston më në mendjen e Stiven Zhangut.

stiven zhang

Duke marrë parasysh bilancin që pritet më negativ se ç’ishte parashikuar (humbjet e parashikuara 110 milionë euro mund të mbërrijnë në 130 milionë euro), pamundësinë për të larë borxhet ndaj kreditorëve dhe ligjin që ka nxjerrë qeveria kineze, e cila ndalon çdo sipërmarrës kinez të ketë investime të huaja që nga janari, presidenti i Interit ka vendosur të shesë mazhorancën e aksioneve duke hequr dorë nga pronësia.

Për këtë, prej kohësh “Goldman Sachs”, banka amerikane që ka ndjekur tratativat e grupit “Suning”, është në kërkim të investitorëve të mundshëm për të blerë klubin, por për familjen Zhang nxitimi për të finalizuar shitjen është aq i madh sa kanë kontaktuar edhe “Raine Group”, një tjetër bankë amerikane që do t’i ndihmojë për të gjetur investitor, e njohur për transaksionet e saj të shumta në botën e futbollit, ku e fundit ishte shitja e Çelsit nga Roman Abramoviç te Tod Bohli.

INTER

AMERIKANËT – Kështu, Zhang ka bërë të ditur edhe terrenin në të cilin kërkon të realizojë shitjen, atë të kontinentit përtej oqeanit, prej nga së fundmi po investohet shumë në futboll, sipas “Il sole 24 ore”.

Shembujt janë të shumtë, nga Çelsi te Milani dhe nuk përjashtohet që edhe zikaltrit t’u shtohen klubeve europiane me pronarë amerikanë, edhe pse në dy sezonet e fundit kanë qenë arabët më të përfolurit si pronarët e ardhshëm të Interit.

Edhe pse Zhang ka ndryshuar orientim duke lënë pas interesin e aluduar të PIF (Fondi Arab i Investimeve), ajo që nuk ka ndryshuar është oferta që 30-vjeçari pret për klubin: 1.2 miliardë euro.

Shifra është e lartë, duke marrë parasysh gjendjen financiare të Interit, por Zhang nuk ka ndër mend të pranojë më pak, të paktën për momentin.

Vlera dhe blerësi nuk dihen ende, por ajo që duket më e sigurt se kurrë është që Interi do të ndërrojë shumë shpejt pronar.

Përgatiti: NISLI GJINI