Dorëzohet Laçi, bëhet gati për largimin e yllit të skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2022 | 19:30

Dorëzohet Laçi, bëhet gati për largimin e yllit të skuadrës

Laçi po përgatitet të luajë pa Regi Lushkjen në pjesën e mbetur të sezonit. Mesfushori, i cili të paktën në dy sezonet e fundit ka treguar se është një ndër më të mirët e Kategorisë Superiore është pranë transferimit në klubin e Sherif Tiraspol, që shkatërroi Teutën në kualifikueset e Ligës së Kampionëve në verë me shifrat 5-0 në të dyja ndeshjet.

Regi Lushkja

Moldavët kanë marrëveshje me lojtarin dhe po diskutojnë detajet e fundit me klubin e Laçit. Edhe vetë trajneri Josa e ka pranuar se Lushkja është drejt largimit, teksa ka shprehur uratën e tij që ky transferim të ndodhë, për të mirën e 25-vjeçarit nga Kavaja.

Gjithsesi, për hir të së vërtetës, Laçi humbet një element shumë të rëndësishëm për ekipin dhe pas disa sezonesh do t’i duhet të prishë mesfushën e “Tre Musketierëve”, Lushkja-Deliu-Shehu.

Pas Egnatias në Kupë, kurbinasit luajnë një ndeshje delikate ndaj Partizanit, kur pritet që të zbresin me një mesfushë “të sajuar”, pasi përveç Lushkjes, që do të jetë rrugës për në Moldavi, do të mungojë edhe Ardit Deliu për shkak se është ndëshkuar katër herë me karton të verdhë.

Lushkja ka shënuar 5 gola dhe ka dhuruar 3 asiste në 15 ndeshje në Superiore me Laçin në këtë sezon duke qenë një nga lojtarët më produktivë të ekipit kurbinas, që e nisi shumë keq këtë sezon, por me ardhjen e Josës ndryshoi tërësisht.

Kujtojmë, Laçi ndodhet në vendin e dytë në renditje, me 31 pikë, aq sa Kukësi një shkallë më poshtë dhe 6 më pak se Tirana e vendit të parë të tabelës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"