“Dopio” Rezi, Erzeni mposht me lehtësi Maliqin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2019 | 17:27

“Dopio” Rezi, Erzeni mposht me lehtësi Maliqin

U zhvillua dje në fushën sportive “Jovan Asko” të qytetit të Maliqit ndeshja miqësore mes vendësve të drejtuar nga trajneri Egli Malësija dhe Erzenit të Kategorisë së Parë.

maliqi erzeni

Ka qenë skuadra mike ajo që ka triumfuar në këtë përballje me rezultatin e pastër 0-3. Pjesa e parë nisi e luftuar, por pa raste të pastra shënimi. Skuadra e Erzenit u shfaq më kërkuese, por i mungoi finalizimi. Nuk munguan duelet e shumta në mesfushë, teksa maliqarët ishin të vendosur mjaft mirë në fushën e lojës.

Në pjesën e dytë, të dy trajnerët kryen zëvendësime të shumta, duke u dhënë mundësinë të gjithë futbollistëve të stolit. Duhej të vinte minuta e 62-të, që Erzeni të kalonte në avantazh. Ishte futbollisti Ermir Rezi, i cili, me një goditje të bukur nga brenda zonës, mposhti portierin Beshiri, duke i kaluar në epërsi të tijtë. Skuadra e trajnerit Begeja nuk u mjaftua me kaq, teksa në harkun kohor të 5 minutave shënoi edhe 2 herë të tjera me Alimadhin dhe Rezin, i cili ishte një nga më të dalluarit në këtë ndeshje.

Pavarësisht përpjekjeve, vendësit nuk arritën ta vinin në vështirësi serioze portierin Vata dhe ai pati shumë pak punë në përballjen e djeshme. Maliqi ka startuar përgatitjet për sezonin e ri prej afro 2 javësh. Muçollari dhe Xaka janë 2 futbollistët e afruar në merkato nga skuadra e Devollit, teksa janë larguar Demiri, Treni dhe Ndoci. Ndërkohë, Erzeni është një nga pretendentët kryesorë në Grupin A të Kategorisë së Parë për ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Ka bërë shumë afrime gjatë merkatos dhe ka një skuadër tepër cilësore, teksa bie në sy ndërthurja e futbollistëve të rinj me ata me eksperiencë në futbollin tonë.

Ildi Merolli

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"