Eshtë dopio-Abilaliaj, fundoset Lushnja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2014 | 10:38

Eshtë dopio-Abilaliaj, fundoset Lushnja

Abilaliaj dhe Zeqiri ne dhomat e zhveshjesFlamurtari thyen Lushnjën pas 27 vjetësh në “Roza Haxhiu”, duke marrë 3 pikë të vlefshme, ndërsa lushnjarët u “tradhtuan” nga mbrojtja. Ky repart, më shumë se kurrë më parë në një ndeshje në shtëpi, “futi ujë” nga të gjitha anët. Të katër golat e Flamurtarit erdhën si rezultat ose i rreshtimit gabim të mbrojtësve ose nga përgjumja e këtyre të fundit. Nga ana tjetër arrin të marrë një fitore, më pamje të parë të rëndësishme për pikët, por që nuk i bëri shumë punë sa i përket kalendarit të fazës së tretë. Vlonjatët prisnin edhe një humbje të Besës në Shkodër, për t’i marrë vendin kavajasve dhe të mund të luanin një ndeshje më shumë në fushën e tyre në fazën e tretë (Besa dhe Flamurtari kanë pikë të barabarta, por kavajasit janë të favorizuar, pasi i kanë fituar të dyja takimet direkte të dy fazave të para).

LUSHNJA-FLAMURTARI 2-4
GOLAT: Fonseka 30’, Canka 61’/ A.Shehaj 1’, Dushku 21’, Abilaliaj 71’, 78’
LUSHNJA: Spaho, E.Sula, E.Xhafa, Gjyla, Bizhyti (Rr.Sulo 46’), Topi (Bakiasi 73’), Tiodoroviç (Dervishi 79’), Trashi, Fonseka, G.Çela, Canka. Trajner: Artan Bano
FLAMURTARI: Moçka, Sakaj, Dushku (Beqiri 39’), Veliu, Begaj (Qejvani 75’), G.Lika, Lena, Kuqi, Mici, A.Shehaj (Pepa 65’), Abilaliaj. Trajner: Ernest Gjoka
KARTONË TË VERDHË: Bizhyti 8’, Gjyla 86’/ A.Shehaj 24’, G.Lika 37’, Veliu 56’
DELEGAT: Astrit Maçi (Tiranë)
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë)
GJYQTARET: Bardhyl Pashaj/ E.Barushi dhe D.Rexha

MINUTAT
(Tiranë) 1’ Lena pasi merr një inkursion në mesfushë, avancon në drejtim të sulmit e pason për Abilaliaj, ky i fundit e zgjat te Shehaj, i cili duke parë edhe rreshtimin e gabuar të mbrojtjes, hyn në zonë gjuan. Spaho e prek topin por nuk e ndal dot, 0-1.
2’ Çela harkon në zonë. Aty Canka e kthen topin me kokë për në zonë që shkon tek Bizhyti i cili gjuan e gol, por Barushi ngre flamurin për pozicion jashtë loje.
15’ Çela lëviz mirë jashtë zone e pason për tek Canka, që pasi kthehet gjuan por pret Moçka.
21’ Goditje dënimi nga jashtë zone, Gilman Lika harkon në zonë e aty Dushku hidhet në planzhon me kokë, 0-2.
30’ Kombinim i bukur Çela-Canka, ky i fundit pason për tek Fonseka, që në kthesë gjuan me të jashtme, 1-2.
33’ Rast ideal për miqtë: Mici lëviz bukur në të majtë, sheh të lirë Abilaliaj në hyrje të zonës e pason tek ai, por sulmuesi gjuan jashtë.
45’ Abilaliaj në hyrje të zonës, gjuan por pret Spaho.
46’ Çela sheh të lirë Cankën dhe nga mesfusha e tij lëshon një top të gjatë, sulmuesi del i vetëm me Moçkën, por anësori sërish ngre flamurin për jashtë loje.
48’ Goditje dënimi nga 25 metra, gjuan Çela, Moçka bën mrekullinë.
51’ Çela lëviz mirë nga e djathta harkon në zonë e aty Canka gjuan fluturimthi, por jashtë.
61’ Fonseka merr një top në mesfushë e pason për tek Çela, i cili pasi lëviz bukur jashtë zone pason për tek Canka në formë parabël, ky i fundit gjuan dhe 2-2.
67’ Begaj, pasi merr një top nga Abilaliaj, gjuan por Sula heq në vijën fatale.
70’ Xhafa e Spaho nuk merren vesh me njëri-tjetrin e për pak sa nuk falin një gol, por gardiani e largon në goditje këndi.
71’ Pikërisht nga kjo goditje këndi do të vijë edhe goli, kur Lika harkon në zonë e aty Abilaliaj gjuan me kokë, 2-3.
78’ Pepa merr një inkursion nga e djathta, pason për Abilaliaj, i cili gjuan me të parën duke kaluar edhe Spahon, 2-4.

Pjesa e parë – Takimi ka filluar i shpejtë edhe me gol për miqtë të cilët pa kaluar as 60 sekonda kanë kapur në befasi vendasit, teksa mbrojtja ishte komplet në gjumë. Ishte Lena që pasoi për tek Abilaliaj. Ky i fundit e zgjat tek Shehaj, i cili në hyrje të zonës gjuan drejt portës, Spaho e prek topin por jo sa për ta ndalur drejt rrjetës. Shokim për vendësit e gëzim për miqtë që nuk e mendonin që në fillim këtë gol. Sakaq, Lushnja mundohet të reagojë teksa menjëherë tenton golin me anë të Çelës, më i miri në fushë për Lushnjën. Kapiteni harkon në zonë te Canka, ky pason për Bizhytin, i cili shënon por anësori Barushi ngre flamurin për pozicion jashtë loje, një rast për moviolë. Loja luhet në mesfushë kur Lushnja kërkon me ngulm golin e barazimit e në minutën e 15-të është Çela, që pasi lëviz mirë në zonë, pason për tek Canka që gjuan por pret Moçka. Lushnja e kërkon golin e barazimit por sërish ndëshkohet nga një standarde, kur në të 21-ën është Gilman Lika që harkon në zonë e aty Dushku hidhet në planzhon me kokë, duke shënuar për vlonjatët. Por lushnjarët nuk dorëzohen dhe protagonist është sërish Çela. Në minutën e 30 është kapiteni, që pasi lëviz mirë nga e djathta pason tek Canka, sulmuesi nxjerr një asist për Fonsekën, i cili gjuan me të jashtme dhe gol, 1 me 2! Loja është e hapur dhe shpresat e Lushnjës “ringjallen”. Por miqtë kanë një rast të artë vetëm pas 3 minutash kur Mici pason në zonë tek Abilaliaj, i cili, i vetëm nuk shënon por gjuan jashtë. Në minutat e fundit janë dy raste për Lushnjën, por që nuk u shfrytëzuan siç duhet.
Goleada – Pjesa e dytë do të nisë me një Lushnjë më të etur për të shënuar në portën e Moçkës dhe rastet nuk mungojnë. Në të 48-ën do të kemi një kombinim të bukur mes Çelës dhe Cankës, por ky i fundit bën një roveshatë e topi mbi tra. Por në rastin e dytë në minutën e 61, kur sërish do të kemi një kombinim mes Çelës e Cankës, i fundit nuk do të falë por do të shënojë golin e barazimit. Por kur që të gjithë prisnin golin e avantazhit të Lushnjës, në fushë është Abilaliaj që deri në ato moment kishte qenë në hije. Minuta e 70 solli një shushatje në mbrojtjen e Lushnjës, si pasojë, sjell dhe golin e tretë për Vlorën; Abilalilaj u gjend tërësisht i vetëm në zonën e vogël pas krosit të Likës dhe me kokë shënon. Duket si një ëndërr për të gjithë kampin vlonjat, ndërsa vendasit shokohen teksa sërish gabojnë mbrojtësit. Abilaliaj gjendet i pamarkuar në zonën, gjuan me topin që kalon nën duart e portierit Spaho, duke u ndalur në të majtën e tij. Flamurtari hedh një hap të sigurt drejt ngjitjes në tabelë, ndërsa Lushnja me këtë humbje shuan edhe më shumë shpresat për qëndrimin në Superiore.

MË I MIRI
Arbër Abilaliaj ishte lojtari më i mirë në fushë, kjo jo vetëm për dy golat e shënuar që u dhanë fitoren vlonjatëve, por edhe për zhdërvjelltësinë në lojën sulmuese. Sakaq, në një formë të mirë ishte edhe Gilman Lika e Shpëtim Moçka. Ndërsa te skuadra e Lushnjës u dallua kapiteni Çela, i cili ishte absolutisht më i miri për ekipin e tij, madje edhe ndër më aktivët në mesfushë për të dyja skuadrat.

MË PAK AKTIVI
Mbrojtja e Lushnjës, duke filluar me portierin Spaho, për të vazhduar me E.Sulën, E.Xhafën Gjylën dhe Bizhytin, ishte më e dobëta në fushën e lojës. Të katër golat e shënuar nga miqtë, nga dy për çdo pjesë erdhën tërësisht si rezultat i gafave foshnjarake të repartit mbrojtës. Për më tepër, dy nga këta gola u realizuan pas goditjeve standarde. Këto kanë qenë deri dje pika më e fortë e Lushnjës. Por deri dje ama…!

Gjoka: Fitore e merituar në një fushë tabu
Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, nuk e ka fshehur gëzimin e fitores së djeshme në Lushnjë, kjo nisur edhe nga fakti se në “Roza Haxhiu” këtë sezon kishte fituar deri dje vetëm Skënderbeu, çka tregonte për forcën e lagunarëve në shtëpi. “Ne e dinim që do të kishim një ndeshje shumë të vështirë në Lushnjë, duke pasur parasysh forcën e kundërshtarit. Shënuam shumë shpejt e madje edhe dyfishuam, por më pas bëmë disa gabime foshnjarake që na ndëshkuan. Gjithsesi, ekipi gjeti forca e shënoi edhe dy gola të tjerë që na dhanë këtë fitore shumë të merituar në një fushë të vështirë. Jam i gëzuar! Tani ne do të shikojmë përpara për të marrë sa më shumë pikë, e po kështu edhe në Kupë”, pohoi Gjoka.

“I lumtur për dopietën, por kam ende uri”
Arbër Abilaliaj do të mbahet mend gjatë, njësoj si Vasil Ruci para 27 vitesh. Shënoi 2 gola me peshë që i dhanë 3 pikët ekipit të tij, i cili kishte plot 27 vjet që nuk i merrte në “Roza Haxhiu”. Abilaliaj ndjehej i emocionuar për këta dy gola, gjë që nuk e fshehu as në prononcimin për “Panorama Sport”. “Është një kënaqësi shumë e madhe për këtë trepikësh që morëm në një fushë shumë të vështirë si kjo e Lushnjës. Ne bëmë shumë gabime si përpara edhe mbrapa, por në fund ia arritëm që të dilnim me 3 pikët e plota. Kemi zhvilluar lojëra të mira, duke ecur mirë edhe në Kupë, por tani ne duhet të ngrihemi akoma më shumë në kampionat”, tha fillimisht sulmuesi. I pyetur në lidhje me rekordin që s’thuhej prej 27 vitesh, ai tha: “Se kisha menduar ndonjëherë këtë por gjithsesi, tani që po e mendoj, më vjen mirë që kam shënuar 2 gola. Ndërkaq tani duhet të mendojmë për fazën e tretë që është shumë më e vështirë. Mendoj se ky ishte një 3 pikës me shumë vlerë dhe besoj se kemi bërë një hap të sigurt. Faza e tretë do të jetë shumë e fortë, ndaj ne duhet të bëjmë maksimumin deri në fund në të dyja kompeticionet, si në Kupë, po kështu edhe në kampionat. Unë jam duke bërë më të mirën për ekipin tim, do të vazhdoj kështu deri në fund”, është shprehur Abilaliaj.

“Gafa fatale, tani rrezikojmë Superioren”
Trajneri i Lushnjës, Artan Bano, nuk i ka kursyer kritikat ndaj skuadrës së tij, teksa është ndalur natyrisht tek mbrojtja. Sipas tij është e pafalshme që të pësohen gola të tillë dhe me kaq lehtësi. “Pësuam një humbje që na dhemb, madje na shemb objektivat që ne kemi. U ndëshkuam me 2 gola të shpejtë për fajin tonë, e jo për meritë të kundërshtarit. Ekipi reagoi duke shënuar 2 gola e duke e barazuar takimin, por më pas sërish gabuam, duke pësuar një gol të tretë. Kështu vazhduam sërish një gabim tjetër foshnjarak në golin e katërt. Pas barazimit, ne po prisnim golin e tretë tonin por gabuam shumë atëherë kur se prisnim. Nuk di ç’të them, sepse jemi ndëshkuar në goditje standarde që është pika jonë më e fortë”.
ARMAND NEZHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"