Dopietë Championsi, Sukaj çmend tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2013 | 13:11

Dopietë Championsi, Sukaj çmend tifozët

SukajXhevahir Sukaj ka qenë heroi i Sepahanit në ndeshjen e djeshme kundër skuadrës arabe, Al Nasr, e cila drejtohet nga italiani Valter Zenga. Sulmuesi shkodran shënoi dy gola në fitoren 3-0, duke i dhënë tri pikët e para Sepahanit në takimin e vlefshëm për Grupin C të Ligës së Kampioneve të Azisë. “Një gol në këtë kompeticion është sa për 10 në kampionatin iranian”, – deklaron i emocionuar Sukaj për “Panorama Sport”. Në një bisedë telefonike për gazetën, pas ndeshjes, sulmuesi tregon emocionet e golave, flet për Kombëtaren, si dhe për përballjen e mundshme me Hamdi Salihin.
Keni shënuar dy herë që në ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve. Çfarë do të thotë për ju ky moment?
T’ju them të drejtën nuk e prisja se mund ta nisja kështu. Si ekip nuk e diskutonim fitoren, pasi jemi më të mirët në grupin ku bëjmë pjesë. Përveç dy golave unë kam humbur edhe disa raste të tjera për të shënuar. Gjithsesi jam shumë i lumtur, pasi një gol në këtë kompeticion është sa për 10 në kampionatin iranian. Me formën që tregova konfirmova se ekipi ka shumë nevojë për mua.
Na përshkruani pak golat?
Goli i parë ka ardhur pas një krosimi nga e djathta. Fitova një dyluftim në ajër me dy mbrojtës dhe godita me kokë brenda zone. Më pas, afër fundit të lojës, ka qenë një goditje këndi dhe fantazisti i skuadrës sonë, Khaltabari, më pasoi brenda zonës dhe unë nuk e kisha të vështirë të shënoja. Kam gjuajtur shumë herë portën, por kam qenë edhe i pafat. Përpara se të shënoja golin e parë ishte një rast kur godita nga distanca, por topi kaloi ngjitur me shtyllën dhe u përplas në kurrizin e një prej atyre që qëndrojnë prapa porte. Ishte një moment komik, por që ndjeva edhe keqardhje, pasi me trajektoren që mori topi, u duk sikur do të ishte gol spektakolar, edhe pse përfundoi jashtë.
Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje gjatë ndeshjes?
Sigurisht që tifozët. U bë e katërta ndeshje radhazi që ata thërrasin në kor emrin tim. Është emocion i veçantë, pasi ata kanë ndikuar shumë që unë të jem titullar. Gjatë këtij sezoni shpesh e kam nisur nga stoli, për shkak të preferencave të trajnerit, por sa herë jam aktivizuar, kam shënuar. Në një farë mënyre tifozët kanë ushtruar një farë presioni që unë të luaja nga minuta e parë, duke parë edhe gjendjen që po kaloja.
U bë kohë e gjatë që nuk grumbulloheni në Kombëtare, mendoni se tani është momenti i duhur?
E kam pritur prej muajsh një ftesë. Të rikthehem në Kombëtare është një krenari për mua, por nuk mërzitem. Ndoshta trajneri nuk më njeh mirë, por t’ia lëmë kohës. E respektoj De Biazin.
Dy ditë më parë shënoi Salihi në Champions-in aziatik. Do ta dëshironit një përballje me të në turin tjetër?
E kam ndjekur ndeshjen dhe m’u bë shumë qejfi për Hamdiun. Nëse skuadra e tij, por edhe Sepahani im kalojnë grupin, atëherë kemi mundësi reale për të qenë përballë njëri-tjetrit, pasi më pas hidhet short i lirë. Do të jetë vërtet diçka shumë e bukur.

Shkëlqen edhe Bulku, si titullar në fitore
Mesfushori i Kombëtares, Ervin Bulku, ka luajtur si titullar për Sepahanin në fitoren ndaj Al Nasr. Ai u zëvendësua vetëm në minutën e 78-të, kur rezultati ishte 2-0 për Sepahanin. Në golin e parë, të shënuar nga Sukaj, duhet thënë se aksioni në mesfushë lindi nga këmbët e Bulkut. Ky i fundit pasoi në qendër për fantazistin Khaltabari dhe më pas krosimi i tij u konkretizua me një goditje të bukur të Sukajt me kokë. Mesfushori kuqezi iu bashkua Sepahanit gjatë verës së vitit 2012. Bulku, së bashku me Sukajn janë ndër lojtarët më të rëndësishëm për ekipin iranian, i cili aktualisht pretendon të fitojë sërish titullin kampion, ndërkohë që është edhe në gjysmëfinalen e kupës. Gjithashtu Sepahani ka ambicie edhe në Ligën e Kampioneve të Azisë.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"