“Dopieta më frymëzon, mund të shkojmë deri në finalen e Kupës”, Mensah: Humbja ndaj Vllaznisë na zhgënjeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2020 | 13:20

“Dopieta më frymëzon, mund të shkojmë deri në finalen e Kupës”, Mensah: Humbja ndaj Vllaznisë na zhgënjeu

Dy gola dhe shumë raste të krijuara, duket se Skënderbeu ka gjetur sulmuesin tipik ku do të mbështetet gjatë gjithë sezonit. Me paraqitjen e bërë në sezonin e kaluar kur trajner ishte Ilir Daja, por edhe aktualisht me Julian Ahmatajn, ganezi Alfred Mensah po tregon se mund të japë siguri për majën e sulmit. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, sulmuesi flet për kualifikimin në Kupë ndaj Pogradecit, si dhe mundësitë që ka skuadra t’i shkojë deri në fund këtij kompeticioni. Gjithashtu, ai komenton edhe situatën në kampionat pas humbjes me Vllazninë, që nuk ka lënë shije të mirë në kampin korçar.

Mensah

KUPA

“Pas humbjes me Vllazninë, kemi reaguar mjaft mirë. Me Pogradecin kemi zhvilluar një ndeshje të madhe. Kundërshtari ishte mjaft i rrezikshëm dhe ishim të paralajmëruar, prandaj u futëm të përqendruar në fushë, duke dhënë maksimumin e mundshëm. Kupa është një objektiv që klubi e ka të rëndësishëm për këtë sezon dhe normalisht nuk mund të ketë zhgënjim. Duhet që të bëjmë kështu deri në fund, pasi për vetë specifikën e Kupës me ndeshje teke, jemi të favorizuar, edhe pse mund të ketë ekipe me nivel më të lartë se ne.

Mjafton të shohim shembullin e Korabit ndaj Tiranës dhe e kupton se me këtë specifikë gjithkush mund të shkojë shumë lart. Por, tani është radha të tregojmë vlerat në kampionat dhe jam i bindur që do ta bëjmë. Në ndeshjen me Vllazninë nuk reaguam dot si duhej dhe kjo na ka mërzitur shumë. I lamë kundërshtarit mundësi të na godiste dhe nuk bëmë asgjë për të rikthyer rezultatin. Ndeshje të tilla mund të ndodhin, por e rëndësishme tani është që të reagojmë në sfidën e radhës. Kjo vlen shumë dhe tregon vlerat tona. E treguam që nëse jemi grup i përqendruar, mund t’ia dalim mirë”, deklaroi autori i dy golave në ndeshjen ndaj Pogradecit.

alfred mensah

GOLAT

Dopieta në Kupë ishte e para në karrierën e tij dhe kjo ka rritur ambicien e sulmuesit kryesor të Skënderbeut. Mensah shprehet entuziast për repartin e sulmit, teksa premton se nuk do të jenë dy golat e vetëm këtë sezon, por do të pasohen nga shumë të tjerë. “Dygolëshi ishte tregues i qartë se ky ekip funksionon dhe repartet janë të lidhura me njëri-tjetrin.

Jam shumë i lumtur që kam arritur të shënoj me këtë fanellë dhe t’i jap një dorë ekipit. Ende e vuaj atë rast të humbur ndaj Teutës në fund të takimit, pasi mund të ishim duke folur ndryshe tani. Gjithsesi, ajo që nuk të vret, të bën më të fortë. Sulmi më ngroh dhe presim të bëjmë gjëra të mira bashkë. Ky dygolësh më frymëzon shumë dhe premtoj se do të pasohet nga shumë gola të tjerë në këtë sezon. Me Zotin para dhe punë e besim, do të arrijmë synimet që kemi”, përfundoi 24-vjeçari i lindur në Ganë.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"