Donika Muka, kapitenia, mësuesja dhe sportistja që do na mungojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2019 | 23:26

Donika Muka, kapitenia, mësuesja dhe sportistja që do na mungojë

Lajmin ma dha miku, doktori Mel Ostreni, kur më njoftoi se Donika Muka, lojtarja legjendare e Dinamos, fatkeqësisht është ndarë nga jeta. 

Donika Muka

Pra, kapitenia e parë Dinamos, asaj skuadre, atij cikli të mrekullueshëm të nisur në vitet ’70 nga mjeshtri Harun Dajaka e ngjitur në elitën e sportit kombëtar e atij europian nga Kreshnik Tartari, nuk jeton më. Jo vetëm kaq, pasi Donika ka qenë edhe mësuesja e fizikës e ish-nxënësve të “Avni Rustemit”, e përkushtuar, korrekte, energjike, e edukuar, komunikuese dhe mbi të gjitha, shumë e dashur.

Pastaj, një sportiste shembullore. Karrierën e saj, të atyre vajzave, e kemi ndjekur nga afër, që nga fusha pas Kryeministrisë, në pallat sporti, stërvitje, ndeshje e kudo. Ka qenë Dinamo kampione e një gjenerate, pasqyrë e pasionit të madh, që ndryshoi historinë e volejbollit të vajzave. Shoh fotot e bashkë me Donika Mukën janë Mira Dreni, motra e saj, të dyja titullare, pastaj Brikenën, Zanën, Semihanë (nuk jeton), Valentinën, Irmën, Lizën, Fatimen, Pranverën, Mozën, Elën, Evën, një plejadë që nuk mund të harrohet.

Donika

Donika Muka, gjithmonë në krye të atij grupi fantastik, frymëzuese, një simbol i vërtetë, si një prind ka qenë për ato vajza të reja të familjes dinamovite në fillimet e tyre. Pastaj ndarja me volejbollin, familja, drama me humbjen në moshë të re të Bashkimit, bashkëshortit, një çift tejet i dashuruar e i pandarë, dhe jeta pas ’90-ës larg Shqipërisë. U ndjeva i lënduar kur dr.Meli më informoi duke më kthyer shumë vite pas, atëherë kur e shihnim të hapej dera e klasës e të futej zysha, të ulej e të bënte apelin.

Edhe më vonë nuk do të largoheshim e nga shkallët e “Partizanit” do ta ndiqnim duke e duartrokitur e ndarë emocionet me të. Madje edhe sot, ne ish-nxënësit, admiruesit e saj, kemi mijëra motive për ta kujtuar Donika Mukën, vajzën inteligjente, kapitenen elegante, model në fushë e jashtë saj, por edhe si të paharruarën mësuese të fizikës në adoleshencën tonë.

Uvil Zajmi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"