Donatorët mbështesin Orikun, buxhet më të madh për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2019 | 16:19

Donatorët mbështesin Orikun, buxhet më të madh për sezonin e ri

Përvoja e fituar sezonin e kaluar, ku skuadra debutuese e Orikut u rendit e treta në Grupin B, i ka bindur donatorët e saj për ta mbështetur më fort sezonin e ardhshëm.

bylis oriku

Administratori i klubit, Gëzim Çapoi, bën me dije se këto ditë do të mblidhet grupi i donatorëve për këtë çështje. Biznesmenët Platon Shabani, Teki Xhemali, Muharrem Jazo së bashku me Gëzim Çapoin, do të përcaktojnë buxhetin e sezonit të ri, por ata janë gati për të dhënë një kontribut më të madh financiar, që Oriku të synojë objektiva më të rëndësishëm. Sezonin e kaluar futbollistët janë paguar rregullisht dhe brenda afatit.

Donatori Platon Shabani shprehet: “Mbështetja jonë financiare nuk do të jetë vetëm për pagat e futbollistëve dhe bazën materiale, por edhe për infrastrukturën. Jemi duke menduar bashkë me kolegët dhe donatorë të tjerë dashamirës të Orikut për të investuar për një fushë të re stërvitjeje, që skuadra të mos shtegtojë në kërkim të fushave”. Nga burime pranë klubit mësohet se futbollistët e sezonit të kaluar janë me kontrata dyvjeçare dhe të gjithë janë në dispozicion të trajnerit Sakaj për sezonin e ardhshëm.

Donatorët ndërkohë duan një skuadër më të fortë dhe synojnë të afrojnë dy-tre futbollistë cilësorë. Ka fjalë për afrimin e një sulmuesi brazilian, i cili përkrah Dhramit, Kongjonit dhe Çapos do të jetë një vlerë e shtuar për trajnerin Sakaj.

Enriko Gabaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"