Donaruma: Superkupa, për Berluskonin dhe Montelën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2016 | 10:57

Donaruma: Superkupa, për Berluskonin dhe Montelën

Xhanluixhi Donaruma është një lider i padiskutueshëm, edhe pse ishte lojtari më i ri në fushë. Portieri i Milanit jo vetëm konfirmoi supremacinë e tij në lojë, por edhe nga 11 metrat, duke qenë vendimtar me pritjen e tij ndaj Paulo Dibalës dhe duke u dhuruar kuqezinjve Superkupën e Italisë, trofeu i parë pas 5 viteve “agjërim”.

“Ky është një emocion i jashtëzakonshëm, një ndjesi që nuk mund të përshkruhet. Pa dyshim, kjo është një fitore, e cila do të na ndihmojë shumë në të ardhmen. E kërkonim me çdo kusht këtë trofe dhe ai arritëm. Mendoj se mbi të gjitha e merituam, duke treguar se çfarë pune të mirë kemi bërë në këto muaj”, u shpreh “gardiani” pas ndeshjes.

Donaruma Superkupa

I pyetur se kujt do të donte t’ia dedikonte këtë trofe, Xhanluixhi Donaruma nuk ka dyshime. “Pikësëpari presidentit Silvio Berluskoni. Nuk e dimë nëse do të jetë i fundit për të, por pa dyshim që ai është personi që e meriton më shumë se kushdo tjetër Superkupën e Italisë. Në rend të dytë, Vinçenco Montelës. Trajneri ka ditur të na japë sivjet diçka më shumë, jo vetëm në lidhje me idetë tekniko-taktike, por sidomos në aspektin psikologjik. Ai ka ditur që të na tërheqë të gjithëve në të njëjtën barkë, tani punojmë, bashkëjetojmë dhe luajmë si një trup i vetëm.

Ky sukses është pa dyshim edhe fryti i punës së tij fantastike të bërë te Milani. Trofeu i parë për mua? Po… E kisha paralajmëruar se jemi të karikuar, por në të njëjtën kohë kam bindjen se, nëse vazhdojmë në këtë rrugë, sivjet, por sidomos në të ardhmen, shumë suksese të tjera na presin. Jemi një grup fantastik”, tha për mikrofonat e “RAI”-t talenti 17-vjeçar.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"