Donaruma analizon ekipin: Dua Champions-in, kthehet Milani i madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2018 | 12:58

Donaruma analizon ekipin: Dua Champions-in, kthehet Milani i madh

Përpara nisjes drejt Koverçianos ku do të grumbullohet me kombëtaren italiane, Xhanluixhi Donaruma ka folur për kanalin sportiv të “Sky”. Portieri kuqezi ka analizuar këtë fillimsezoni të Milanit në një intervistë të shkurtër, duke përcaktuar objektivat sezonalë për veten dhe skuadrën kuqezi, më një përkushtim të pjesshëm edhe ndaj kombëtares “axurre”.

Donaruma

Ndaj Romës më në fund erdhën edhe tri pikët e para në kampionat?

Jemi një grup i bashkuar dhe me shumë potencial. Fitorja ndaj Romës merr vlera jo vetëm për mënyrën sesi u arrit, por edhe sepse e kërkuam me çdo kusht. Mendoj se edhe për tifozët ishte një emocion i madh ashtu si edhe për ne lojtarët në fushë.

Pas ndeshjes së parë u kritikuat jo pak për golat e pësuar ndaj Napolit. Si u ndiet pas atij takimi?

Kritikat i kam pranuar gjithmonë, por fatmirësisht kam një karakter të qetë, i cili më lejon të stërvitem në maksimum, pavarësisht klimës mediatike që më rrethon. Në profesionin tonë komentet janë pjesë e përditshmërisë dhe e di se për t’i kapërcyer, duhet ruajtur përqendrimi gjatë çdo seance stërvitore dhe në fushën e lojës.

Mendoni se jeni një ekip i denjë për t’u renditur mes katër të parave në kampionat?

Champions-i është një objektiv për ne si skuadër. Drejtuesit dhe tifozët presin që ta çojmë emrin e Milanit atje ku meriton dhe Liga e Kampioneve është habitati natyral i klubit. Nga ana jonë do të bëjmë gjithçka të mundur për t’ia dalë mbanë, sepse historia e fanellës është e lavdishme dhe ne duhet t’ia rikthejmë ato ditë.

Në fillim Gatuzo, më pas Maldini e Leonardo. Me sa duket, ka ardhur radha e Kakas për t’iu bashkuar Milanit.

Të gjithë i njohim qëkur ishin lojtarë dhe e dimë fare mirë se çfarë kanë dhënë ata për ngjyrat kuqezi. Është shumë emocionuese t’i takosh çdo ditë sepse na karikojnë dhe na ndërgjegjësojnë për historinë e fanellës. Ndonjëherë prania e tyre na vendos në vështirësi, por sidoqoftë mendoj se janë të rëndësishëm për strukturën e re të klubit.

Pas Bufonit, me shumë gjasa do të keni edhe përgjegjësinë e portës së kombëtares. Si ndiheni?

Fanella e kaltër është një privilegj dhe një ëndërr që realizohet. Që fëmijë e kam menduar të jem pjesë e Italisë dhe tani që ia kam dalë mbanë, dua të qëndroj sa më gjatë në kombëtare. Stërvitjet dhe bashkimi i grupit në qendrën e Koverçianos është shumë i bukur, është një shtëpi e dytë për të gjithë ne. Ashtu si për Milanin, edhe për Italinë do të jap maksimumin për ta çuar aty ku meriton.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"