Domgjoni: U vonuam, por tani Laçi nuk ndalet më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2019 | 19:08

Domgjoni: U vonuam, por tani Laçi nuk ndalet më

Kanë mjaftuar dy fitore që besimi në radhët e kurbinasve të shtohet. Lojtarët janë më të mobilizuar se kurrë për të përmirësuar pozitat në renditje dhe për të realizuar objektivat. I këtij mendimi është edhe David Domgjoni. 

dunga domgjoni

Mbrojtësi, gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, evidenton se kthesa do të vinte në një moment apo në një tjetër.

“Mund të them që kthesa ishte vetëm çështje kohe. Në çdo ndeshje kemi prodhuar raste dhe volum loje, por në fund jemi ndëshkuar nga disa fragmente. Duke qenë një ekip me moshë të re, në disa raste edhe mungesa e fatit na ka penalizuar, por ky është futbolli. E rëndësishme është të vazhdosh përpara, pasi cilësia në grup dhe individët nuk mungojnë. Personalisht, gjithmonë e kam ditur që rezultatet do të vijnë. Vonuam, por rikuperuam. Të ulim kokën dhe pa eufori t’i marrim ndeshjet një e nga një”, u shpreh fillimisht 22-vjeçari.

Lojtari nga Prizreni komenton edhe fitoret identike me Teutën dhe Vllazninë. Nga tre gola të shënuar secilës dhe asnjë i pësuar, për mbrojtësin nënkupton që grupi po funksionon në perfeksion.

“Dy ndeshjet e fundit kemi shënuar 6 gola dhe nuk kemi pësuar asnjë. Kjo tregon një bashkëveprim të shkëlqyer ndërmjet reparteve. Ekipi po sulmon mirë dhe mbrojtja ka shfaqur ekuilibër prapa. Shpresojmë që të vazhdojmë me këto ritme, pasi fazën e parë e mbyllëm duke pësuar gola naivë. E rëndësishme është që ekipi ka reflektuar dhe kemi filluar të tregojmë agresivitet dhe shpirt gare. Tani të përqendrohemi te Skënderbeu, ndeshje prej të cilës presim vetëm pikët e plota. Kjo transfertë, veç aspektit sportiv, është edhe një ndeshje karakteri. Kundërshtari është një ekip i fortë, pavarësisht problemeve të fundit qe ka pas. Që t’ia dalim, duhet të luftojmë për çdo centimetër të fushës”. I është dashur që të luajë sa majtas aq edhe në qendër të mbrojtjes, e megjithatë këto lëvizje s’e shqetësojnë. “Për mua nuk përbën ndryshim roli. Si në qendër ashtu edhe majtas ndihem njësoj. Jam shumë komod kudo që trajneri më vendos”, përfundoi Domgjoni.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"