Doli me të kuq pas golit, reagon Nika: Humba kontrollin, ju tregoj problemin me Sukajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2019 | 16:13

Doli me të kuq pas golit, reagon Nika: Humba kontrollin, ju tregoj problemin me Sukajn

Ansi Nika sqaron tensionin në fund të ndeshjes me Luftëtarin. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Nika pranon se doli nga kontrolli, por gjithçka erdhi në një moment acarimi për shkak të ecurisë së takimit. Shkodrani thekson se nuk ka asnjë problem me tifozët. 

Nika Flamurtari

Nika flet edhe për penalltinë e padhënë në këtë ndeshje, por edhe për takimin me Laçin. Si një ish i këtij ekipi, mendon se nëse Flamurtari luan fort, do t’ia dalë. Shkodrani thotë se drejtuesit u kanë dhënë garanci se situata do të zgjidhet, ndërsa tregon se më shumë shoqërohet me Sukajn dhe Gocaj, ndërsa zbulon se Xhevahiri është kavalier.

Nika, i dhatë një pikë të rëndësishme Flamurtarit në ndeshjen me Luftëtarin. Çfarë nuk shkoi që nuk arritët fitoren?

Ishte një ndeshje ku ne e kemi dominuar gjatë gjithë 90 minutave takimin. Ishim përgatitur mjaft mirë dhe u futëm në fushën e lojës për fitore. Na duhej fitorja me çdo kusht. Luajtëm mirë dhe i meritonim pikët e plota. Mendoj së edhe arbitrimi na dënoi.

Në çfarë episodi mendoni se gjyqtari nuk veproi drejt?

Arbitri u pa dukshëm që ndikoi. E pamë të gjithë penalltinë që nuk e dha. Ishte tri metra larg aksionit. Në këto kushte, m’u duk e çuditshme se përse nuk e dha atë penallti në favorin tonë.

Në fund të ndeshjes u patë i acaruar dhe i ofenduat tifozët. Çfarë ndodhi? 

Ishte një moment acarimi, duke parë edhe ndeshjen që po e humbnim. Ishte një moment që dola nga kontrolli. Nuk më takonte, por janë gjëra që ndodhin. Unë nuk kam asnjë problem me tifozët. Më kanë respektuar dhe na kanë mbështetur edhe në këtë situatë të vështirë.

Sa e rrezikon ky ekip rënien nga kategoria?

Flamurtari nuk ka ekip për të rënë nga kategoria. Është e vërtetë që jemi në një situatë të keqe, por duhet besuar deri në fund.

Çfarë dëmtimi keni pasur dhe a jeni rehabilituar? 

Kam pasur një dëmtim në kavilje prej pesë javësh. Tani jam rikuperuar dhe jam i gatshëm të jap maksimumin tim për Flamurtarin. Është një klub me emër dhe me traditë dhe jam i lumtur që e mbaj veshur këtë fanellë. Nuk e meriton ky klub me histori të jetë në këtë gjendje.

Keni marrë garanci nga drejtuesit që gjërat do të zgjidhen?

Po, patjetër që kemi marrë garanci. Kemi pasur një mbledhje me presidentin dhe na është premtuar se çdo gjë do të rregullohet së shpejti.

Ndeshja e radhës me Laçin, a mund të pretendohet për të marrë fitoren?

Shiko, unë e njoh shumë mirë ekipin e Laçit. Kam kaluar një vit e gjysmë aty. Është një skuadër shumë e fortë brenda në Laç. Ka një president që gjithmonë kërkon fitore. Por nëse ne do të luajmë fort, do t’u hapim probleme.

 Jeni katër shkodranë te Flamurtari. Si ndiheni për këtë?

Unë kam luajtur në shumë ekipe në Shqipëri, si te Flamurtari, Tirana, Kukësi, Teuta, Laçi dhe gjithmonë kam pasur shkodranë në ekip. Është një kënaqësi e veçantë që të luash me djem si Sukaj, Gocaj apo Pjeshka.

Me kë qëndroni më shumë?

Unë me Sukajn dhe Gocajn rri më shumë, sepse i kemi afër njëri-tjetrit shtëpitë dhe shumicën e kohës e kalojmë bashkë. Por në përgjithësi me të gjithë djemtë ia kalojmë mirë, pasi janë shumë të mirë. Dua t’ju tregoj diçka.

Me Xhevon ne kemi një problem, sepse ai nuk na lë që të paguajmë asnjëherë as darka dhe as dreka. Duhet të ngatërrohesh me të për të paguar, por prapë nuk të lë. (qesh).

 Ermal Sika – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"