Doka e Abazaj drejt Kroacisë, talentet e Superiores në lupën e menaxherëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2017 | 20:11

Doka e Abazaj drejt Kroacisë, talentet e Superiores në lupën e menaxherëve

Kampionati shqiptar tenton hera-herës që të prodhojë elemente cilësorë. Mirëpo, mungesa e strategjive të skuadrave shqiptare bën që shpesh futbollistët të mos e bëjnë “trampolinën” e transferimit jashtë vendit për shumë arsye.

albi doka

Së fundmi, dy emra në futbollin shqiptar, pjesëtarë të Kombëtares U-21, janë nën lupën e menaxherëve të ndryshëm. Më konkretisht, një kroat është në punë e sipër për të marrë nga Shqipëria dy talente premtues. Kristal Abazaj dhe Albi Doka, të cilët e kanë pranuar mundësinë e transferimit jashtë vendit, po monitorohen së fundmi dhe në janar mund të ketë një lëvizje konkrete.

MUNDËSITË – Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar praninë e një menaxheri kroat në stadium për ndeshjen Partizani-Luftëtari. Objektiv vëzhgimi ka qenë sulmuesi i krahut të djathtë të gjirokastritëve, Abazaj. Ai është një lojtar me karakteristika të veçanta dhe që ka rënë në sy gjatë edicionit të shkuar, kur skuadra bluzi ishte nën drejtimin e trajnerit Milinkoviç.

Aktivizimi me Kombëtaren U-21 i ka dhënë gjithashtu një shans për t’u konfirmuar në nivelet e larta. Menaxheri në fjalë mësohet të ketë lidhje dhe marrëdhënie bashkëpunimi me Dinamon e Zagrebit dhe Rijekën, dy pista të mundshme për transferimin e dy talenteve shqiptare.

Abazaj

MBROJTËSI – Interesant është fakti që menaxheri në fjalë, në stadiumin “Selman Stërmasi”, ka qenë i shoqëruar nga babai i mbrojtësit të bardhebluve, Albi Doka. Kjo, për vetë bisedimet mes të dy palëve për lojtarin e kryeqytetasve. Gjatë periudhës së merkatos, për Dokën kishte disa pista të mundshme transferimi, mes të cilave edhe skuadra e Skënderbeut.

Shpërthimi i Dokës në edicionin e shkuar në Superiore bëri që për të të kishte një sërë ekipesh të interesuara, ndërkohë që Tirana shtoi pretendimet për një lojtar me shumë vlera që ka në kontratë. Mbetet për t’u parë se çfarë lëvizjesh konkrete do të sjellë muaji janar, kur edhe do të hapet mundësia e transferimit të lojtarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"