“Doja ta lija futbollin dhe të hapja lokal”, rrëfimi special i Gjasulës: E mbaj helmetën edhe në dush

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2020 | 23:44

“Doja ta lija futbollin dhe të hapja lokal”, rrëfimi special i Gjasulës: E mbaj helmetën edhe në dush

Klaus Gjasula është mesfushori rekordmen në Bundesligë gjatë sezonit që lamë pas. Futbollisti shqiptar regjistroi rekordin e kartonëve të verdhë brenda një sezoni, me specifikën se asnjë prej ndërhyrjeve të tij nuk ka shkaktuar dëmtim të kundërshtarit. I transferuar gjatë ditëve të para të merkatos te Hamburg, Gjasula është një ndër afrimet cilësore tek i cili do të bazohet edhe projekti dhe loja e skuadrës. Për këtë, futbollisti kuqezi ka treguar se krahas lojës së fortë dhe fizike, ai di edhe që të bëjë një lojë cilësore dhe manovra me topin.

Gjasula

LOJA E FORTË – “Ka një sekret, edhe pse kam këtë stil loje të ashpër. Kur kisha në drejtim Riko Shmid, jam bërë edhe futbollisti që jam sot. Ai trajner më ka dhënë cilësitë që unë i kam edhe tani. Duke punuar me të, ai ka arritur që të më injektojë… më të keqen. Tani gjatë ndeshjeve unë futem në duele me forcë përballë kundërshtarëve”, është shprehur fillimisht Gjasula.

LOJA – Më tej, ai ka sqaruar se krahas lojës fizike mund edhe të përfshihet në manovrën e lojës: “Fakti që ndërhyj fort dhe bëj lojë të ashpër, nuk do të thotë që unë nuk mund të luaj dot futboll”.

BRAKTISJA – Më tej, Gjasula ka treguar edhe një moment gjatë karrierës kur ka menduar të tërhiqet nga futbolli për t’u marrë me drejtimin e një lokali. “Kur isha 25 vjeç, kam menduar për pak kohë që të lë futbollin. Në pak kohë kisha në plane që të hapja një lokal me një mik.

GJASULA

Mirëpo, në këtë moment të karrierës, kam ende qëllime dhe objektiva të rëndësishëm për të arritur. Gjatë gjithë karrierës sime, kam kaluar çdo etapë, duke qenë nga pikat më të ulëta të futbollit deri në këto nivele. Ka qenë e vështirë, por nuk u dorëzova kurrë”, ka deklaruar Gjasula.

HELMETA – Për shkak të një dëmtimi të kafkës, Gjasula mban një helmetë në çdo ndeshje apo stërvitje. Si me batutë, ai tregon edhe se sa i pandashëm është me helmetën. “E marr edhe në dush. Sigurisht e heq para se të lahem (qesh…)”, ka deklaruar Klaus Gjasula, futbollisti më i ri i skuadrës së Hamburgut.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"