Dobi manovra me dy sulmues, ndaj Partizanit vijojnë problemet. Ja si pritet të rreshtohet Kukësi me trajnerin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2022 | 10:08

Dobi manovra me dy sulmues, ndaj Partizanit vijojnë problemet. Ja si pritet të rreshtohet Kukësi me trajnerin e ri

Trajneri Enkeleid Dobi po përpiqet të hedhë idetë e tij në skuadër, edhe pse ka kryer vetëm pak seanca stërvitore. Tekniku i ri i Kukësit ka vlerësuar kualitetet e lojtarëve me aq sa i njeh dhe tani detyra e tij ka të bëjë me harmonizimin e grupit dhe marrjen e maksimumit nga secili prej tyre.

KUKESI 4

Për këtë arsye, trajneri ka marrë informacion të hollësishëm për secilin prej lojtarëve, që nga paraqitjet që kanë pasur në fushë dhe deri te rolet ku janë aktivizuar. Synimi i tij është që të evitojë eksperimentet në ndeshjen me Partizanin dhe të hedhë në fushë lojtarët më të mirë që ka në dispozicion.

MANOVRAT – Ditët e para i kanë shërbyer trajnerit për të provuar manovrat nga më të ndryshmet, ku për momentin duket se ish-futbollistit të Kombëtares i pëlqen t’i japë më shumë hov fazës ofensive dhe të luajë me dy sulmues.

Gjasat janë që Kukësi të kthehet në një skemë klasike 4-4-2, me dy pyka të mirëfillta që do të ndihmojnë dhe t’i krijojnë hapësira njëritjetrit në majën e sulmit. Këtu rivaliteti nuk mungon, sepse janë tre lojtarë që mund të luajnë me këtë modul: Daci, Zivkoviç dhe Barbosa.

Nga krahët e mesfushës synohen dy lojtarë të shpejtë, të cilët do të kenë detyra për të marrë krahun dhe harkuar topa në zonën e sulmuesve, por njëkohësisht të mos harrojnë edhe detyrat mbrojtëse.

Në qendër të mesit të fushës, Dobi mendon për një fantazist dhe një shkatërrues, me një mesfushë në formën e rombit. Sa i përket mbrojtjes, gjasat janë që të jetë me katër, edhe pse deri para sfidës me të kuqtë do të shohë mirë edhe formën e lojtarëve që ka në këtë repart.

Gjithsesi, bëhet fjalë për prova paraprake që tekniku po i studion për të parë nëse i përshtaten lojtarëve ideve të tij apo jo, pasi bëhet fjalë për një kohë shumë të shkurtër që ka në dispozicion.

Pas kësaj ndeshjeje, durrsaku do të përfitojë nga pushimi për shkak të Kombëtares dhe do të ketë informacion më të qartë rreth lojtarëve që po stërvit.

kukesi

PROBLEMET – Një problem shqetësues mbetet edhe forma e lojtarëve që ka Kukësi, sepse disa vuajnë dëmtime dhe të tjerë nuk kanë pasur minuta në dispozicion.

Sulmuesi i krahut, Edi Basha, nuk ka luajtur në dy ndeshjet e fundit për shkak të një dëmtimi që ka në këmbë, ndërsa mbrojtësi Tarik Isiç, nuk ka luajtur asnjë minutë në takime zyrtare me Kukësin këtë sezon.

Kësaj dysheje, i shtohet edhe mungesa e portugezit Perreira, i cili do bëjë një javë stop për shkak të kartonit të kuq që mori me Teutën. Probleme që ia vështirësojnë disi punën durrsakut, i cili nuk mund të mbështetet tek të gjithë lojtarët.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"