Do zëvendësojë Vukashinoviçin, Selimaj jep garanci: E blindoj unë portën e Besëlidhjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2021 | 16:11

Do zëvendësojë Vukashinoviçin, Selimaj jep garanci: E blindoj unë portën e Besëlidhjes

Besëlidhja nuk do blof ndaj Vorës, ndeshje që do ta luajnë të shtunën në Pezë-Helmës. Pritshmëritë e skuadrës janë të mëdha, por forcën duhet ta tregojnë në fushë. Lezhjanët kanë ndryshuar jo pak në merkato. Ka pasur largime dhe afrime, duke i dhënë tjetër pamje ekipit të drejtuar nga Sinan Bardhi.

selimaj

Nëse gjatë fazës së parë porta mbrohej nga serbi Gjorgje Vukashinoviç, tashmë e ka zënë Erind Selimaj. Shkodrani premton garanci për katërkëndorin dhe këtë e thotë hapur për “Panorama Sport”. Edhe pse ka qëndruar rezervë për disa kohë, për asnjë moment nuk është bërë pishman për zgjedhjen e bërë.

“Ndihem komod te Besëlidhja, edhe pse për një kohë kam qenë rezervë. Fanella lezhjane ka peshë të rëndë. Besimi që më dha stafi teknik për të ruajtur portën është privilegj për mua dhe duhet justifikuar. Do të punoj fort dhe me ndihmën e grupit do t’ia dal.

Ekipi është kompletuar më së miri, pasi ardhjet e fundit në kuadër të merkatos së janarit janë të duhurat.

Jemi një skuadër solide dhe në ndeshjen e radhës ndaj Vorës do të hyjmë në fushë për rezultat pozitiv. Besëlidhja duhet të rikthehet në elitë, ndaj kemi barrë të rëndë për të përballuar”, tha Erind Selimaj.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"