“Do vazhdoj të luaj futboll”, Xhafa: Lushnjën e kam në zemër, nga Besa u largova sepse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2020 | 23:33

“Do vazhdoj të luaj futboll”, Xhafa: Lushnjën e kam në zemër, nga Besa u largova sepse…

Erion Xhafa nuk ka në plan që ta mbyllë këtu me futbollin. Edhe pse është 34 vjeç, ai e ndien veten ende në formë për të luajtur. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi rrëfen planet për të ardhmen dhe shkaqet që e çuan drejt “divorcit” të parakohshëm me Besën. Një rikthim në Lushnjë nuk do të ishte habi dhe për ta përforcuar këtë ide mendon vetë “veterani”.erion xhafa

“Do të vazhdoj të luaj futboll. Nëse më paraqitet një projekt serioz dhe që synon të fitojë kampionatin, pse jo. Trajningun do ta bëj në një të ardhme të afërt. Është një punë që më pëlqen, ndonëse ka vështirësitë dhe përgjegjësitë e veta. Më duhet të studioj shumë. Po përgatitem fort që kur të vijë momenti, të jem gati për këtë sfidë. Zotëroj licencën UEFA B dhe do të regjistrohem në kursin e ardhshëm UEFA A. Shpresoj që një ditë ta ushtroj këtë profesion të bukur dhe të vështirë”, tha fillimisht Xhafa, duke rrëfyer planet për të ardhmen e afërt.

LARGIMI NGA BESA

Teksa foli për aventurën me Besën, u shpreh: “U renditëm në vendin e 4-t, që nuk i shkon përshtat Besës. Stafi teknik dhe futbollistët përballuan mjaft mirë vështirësitë që kishte klubi. Punuam fort që të ndërtonim një ekip, i cili u mundua të arrinte te fitorja përmes një futbolli të bukur. Shpeshherë ia ka dalë, por jo mjaftueshëm sa të ishim në krye. Mendoj që Besa ka një të ardhme të ndritur përpara, sepse ka futbollistë të talentuar, të cilët u rritën shumë këtë sezon, falë shembullit që dhanë futbollistët e vjetër si brenda dhe jashtë fushës. Shpresoj t’i kemi ndihmuar nga ana profesionale dhe njerëzore. Sa i përket largimit tim nga ekipi, erdhi me dakordësi. Duke parë që ekipi doli nga objektivat dhe kishte probleme financiare, mendova që të largohesha përpara kohe. Falënderoj profesorin Gugash Magani dhe presidentin Nexhat Bizhdili, që më bënë pjesë të Besës. Të mbaja veshur fanellën verdhezi, që i ka dhënë kaq shumë futbollit shqiptar, ishte një nder i madh për mua”, theksoi 34-vjeçari.Erion-Xhafa-Lushnja

SINJALE RIKTHIMI

Nuk kishte si të mos fliste për skuadrën e qytetit të tij dhe një rikthim të mundshëm. “Sa i takon një rikthimi të mundshëm me Lushnjën, një futbollist e do pa kushte ekipin e vendlindjes së tij. Nuk ka rikthim apo largim. Kjo, pasi me zemër nuk jam larguar dhe nuk do të largohem asnjëherë nga verdhejeshilët. Edhe pse rrugët tona ndahen ndonjëherë, dashuria për këto ngjyra, lidhja dhe respekti që kam për tifozërinë e bën të pamundur shkëputjen shpirtërore. Uroj që të ngrihet një ekip në nivelet, ku qyteti dhe tifozëria e Lushnjës ka pritshmëritë dhe aty ku e meriton ekipi. Mendoj që ekipi i Lushnjës i kishte të gjitha mundësitë për të arritur një rezultat tjetër, më të mirë se ky që arriti. Mendoj që ishte pretendenti kryesor në bazë të futbollistëve, që kishte në skuadër. Futbollistë me eksperiencë të madhe, të cilëve u uroj suksese për sezonin e ardhshëm”, tha Xhafa.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"