Do të udhëheqë ekipin në sezonin e ri, kapiteni Muçaj: Do të jetë Besa më e fortë e 6 viteve të fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2020 | 16:10

Do të udhëheqë ekipin në sezonin e ri, kapiteni Muçaj: Do të jetë Besa më e fortë e 6 viteve të fundit

Pa dyshim që mes shumë afrimeve të bëra këtë prag sezoni te Besa, rikthimi i mesfushorit Ledjon Muçaj është një nga lëvizjet më të rëndësishme. Mesfushori me përvojë të madhe në Superiore dhe në Kosovë, pritet të “gradohet” kapiteni i ri i ekipit. Askush më shumë se ai s’mund ta bëjë më mirë trajnerin në fushë. Pas 3 miqësoreve të zhvilluara ndaj Erzenit, Lushnjës e së fundi ndaj Skënderbeut, ka një opinion më të qartë për forcën e verdhezinjve. Me një gërshetim brezash e shkollash, nga ajo kavajase e për të vazhduar me atë braziliane e shkodrane, Besa duket vërtet një skuadër e denjë për të synuar kthimin në elitë.
images
MUÇAJ – Kapiteni i ri i kavajasve ka këtë konstatim për Besën e re: “Para çdo sezoni, kur flitet për pretendentët e Superiores në letër, është normale që Besa të shënohet e para. Nëse vitet e tjera ka zhvilluar lojëra të mira dhe ka qenë afër kreut, këtë sezon mendoj se puna ka nisur herët dhe janë vënë pikat mbi ‘i’. Është ndërhyrë në merkato në të gjitha repartet dhe janë afruar futbollistë cilësorë. Kemi zhvilluar 3 miqësore, por përtej rezultateve, grupi më shumë ka synuar harmonizimin e lojës. Nuk është e lehtë të krijosh lojën kolektive me lojtarë të ardhur nga disa klube e që luajnë për herë të parë bashkë. Nga sezoni i shkuar pak futbollistë kanë mbetur në formacion, si Dobjani, Perja, Kacbufi e Shimaj apo Lila. Shoh një luftë dhe ambicie të fortë për të qenë titullar nga të gjithë. Te kjo luftë, te cilësia e grupit dhe te besimi te një trajner si Kashami, e shoh suksesin e Besës”.
APOLONIA BESA
JO EUFORI – Përtej vlerësimit maksimal, Muçaj përsërit se duhet pak kohë dhe se nuk duhet kaluar në eufori. “E thashë, duhet pak kohë për harmonizimin e plotë të grupit. Miqësoret e shumta kanë pikërisht këtë synim. Trajneri Kashami na e ka bërë të qartë se përtej emrave dhe përvojës së secilit prej nesh, në fushë do të zbresin ata që djersijnë më shumë e që zbatojnë detyrat. Jam i bindur se do të shihni Besën më të fortë të këtyre 6 viteve të fundit. Do të jetë e vështirë në një kampionat të fortë, por po përgatitemi për të qenë më të fortët në çdo drejtim”, përfundoi Muçaj.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"