“Do të shikojmë për Kuperin”, Shehi në prag të sfidës për titullin: Nuk kemi asnjë lloj shqetësimi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2020 | 14:59

“Do të shikojmë për Kuperin”, Shehi në prag të sfidës për titullin: Nuk kemi asnjë lloj shqetësimi (E PLOTË)

Orges Shehi mendon se ka ardhur momenti që skuadra e tij t’i tregojë Tiranës në ndeshjen direkte se do të luajë deri në sekondën e fundit për titullin. Sipas trajnerit të Kukësit, skuadra e tij nuk është dorëzuar asnjëherë, teksa thekson se do të futen në fushë vetëm për fitore ndaj bardhebluve.
ORGES SHEHI
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Shehi evitoi të bënte komente për ngjarjet në Kupë, sa i përket ndeshjes Bylisi-Tirana. Megjithatë, nga ana tjetër ai garantoi se skuadra e tij ka qenë “fair play” në maksimum gjatë gjithë sezonit. Në fund durrsaku i pankinës së Kukësit komentoi edhe lajmin ekskluziv që botoi gazeta dy ditë më parë, teksa ai mund të jetë në një të ardhme të afërt trajneri i Shqipërisë U-21 dhe Alban Bushi të marrë verilindorët.

Prej rifillimit të kampionatit dhe deri te ndeshja direkte sërish diferenca me Tiranën mbeti e njëjtë. Për çfarë ju vjen më shumë keq dhe cili është pengu që keni nga kjo periudhë?
Që nga rifillimi i kampionatit nuk është se kemi bërë keq. Kemi fituar 6 ndeshje, kemi marrë një 1 barazim dhe kam peng vetëm humbjen në Laç. Mund të bënim më mirë, por distanca mbeti e njëjtë, sepse edhe kundërshtari fitoi ndeshjet e veta, pra pati të njëjtën ecuri si ne.
TIRANA
Është momenti që të tregoni ndaj Tiranës se do ta mbani hapur garën deri në fund?
Ndaj Tiranës duhet të tregojmë se do ta luftojmë deri në fund këtë kampionat. Duhet të japim 100% tonë, pastaj se çfarë verdikti jep fusha, mbetet për t’u parë.

Sa besoni te fitorja dhe a mund të ndodhë një mrekulli në këto javë që kanë mbetur?
Gjërat bëhen me besim. Po nuk besove, nuk i fiton ndeshjet. Unë di të them që do të futemi vetëm për fitore ndaj Tiranës.
VASIL SHKURTAJ
Shkurtaj nuk do të jetë i gatshëm. Si pikë referimi në majën e sulmit do të vendosni Abazajn apo keni menduar tjetër zgjedhje?
Akoma nuk e kemi vendosur se si do të luajmë dhe me cilin nga lojtarët në majën e sulmit, sepse vërtet kam disa dilema.

Çfarë ju shqetëson më tepër në prag të kësaj ndeshjeje?
Nuk kam asnjë lloj shqetësimi. Djemtë i shikoj në gjendje të mirë fizike dhe psikologjike.
Sulmuesi i Kukesit, Kuper
Sulmuesi Kuper do të jetë i gatshëm apo edhe ai mungon si Shkurtaj prej dëmtimit që pësoi të enjten ndaj Teutës?
Për Kuper do të shohim si do jetë gjendja e tij nesër (sot), e më pas do të vendosim.
bylis tirana
Keni një koment për atë që ndodhi në ndeshjen e Kupës, Bylisi-Tirana?
Jo, nuk kam asnjë koment.

Sipas jush, deri tani ka qenë garë e pastër apo keni rezerva për mënyrën e sjelljes së disa skuadrave gjatë këtij sezoni?
Ajo që unë mund të them me kompetencë është se ekipi im ka garuar në maksimum të gjitha ndeshjet. Për ekipet e tjera s’dua të merrem fare.
bushi shehi
Kemi mësuar se jeni në planet e FSHF-së për të qenë trajner i Kombëtares U-21 pas përfundimit të këtij sezoni, madje duke bërë rokadë me Alban Bushin. A mund të na zbuloni diçka?
Shiko, unë kam qenë pjesë e stafit të ekipit kombëtar pas Europianit 2016, me trajner të madhin Xhani De Biazi dhe e di shumë mirë se çfarë kënaqësie të jep Kombëtarja. Të jesh pjesë e çdo ekipi kombëtar, është vlerësim dhe kënaqësi e madhe, sepse përfaqëson kombin tënd. Megjithatë, sa i përket pyetjes suaj, unë jam trajner i Kukësit, që është një nga ekipet më të mira në vend. Jam i përqendruar te Kukësi dhe nuk më shpërqendrojnë zërat që mund të jem apo jo pjesë e ekipit edhe sezonin tjetër. Unë vij në punë me dëshirën sikur do jem pjesë e Kukësit gjithë karrierën dhe iki nga puna sikur të jetë dita e fundit te ky ekip.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"