“Do të sajojmë një formacion që t’i përgjigjemi Bylisit”, Daja: Pres kthesën nga skuadra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2019 | 9:48

“Do të sajojmë një formacion që t’i përgjigjemi Bylisit”, Daja: Pres kthesën nga skuadra

Skënderbeu niset me misionin e pikëve në Ballsh, në një fushë të vështirë dhe përballë një kundërshtari që po kalon formën më të mirë të mundshme në kampionat.

ilir daja

Përballë Bylisit, Skënderbeu duhet të tregojë forcën dhe të tentojë rikthimin te rezultatet pozitive, por një gjë e tillë bëhet e vështirë për korçarët edhe për shkak të mungesave. Në kushte të tilla, trajneri Ilir Daja është munduar që të sajohet në formacion dhe të tentojë për të marrë maksimumin në këtë takim.

Luani në transfertë përballë Bylisit. Sa i vështirë është ky takim në këtë moment për ju si trajner i Skënderbeut?

Si çdo takim i këtij sezoni ka vështirësinë e vet, aq më tepër që ne shkojmë si udhëtues përballë një ekipi që ka bërë një kampionat mjaft të mirë në këto 11 javë të para. Mendoj se do të jetë një ndeshje mjaft angazhuese për ne, edhe për vetë faktin se vijmë me mungesa të shumta në formacion. Këto mungesa na detyrojnë të bëjmë lëvizje të njëpasnjëshme në rreshtimin e lojtarëve në fushë.

Mungesat për të cilat po flisni, sa e kushtëzojnë paraqitjen e Skënderbeut në këtë takim?

Normalisht që këto mungesa e rritin mjaft shkallën e vështirësisë në këtë ndeshje, edhe për faktin se bëhet fjalë për lojtarë të cilët kanë njëfarë eksperience dhe kanë mbajtur peshën kryesore në këtë sezon. Por, ajo që është më e rëndësishmja është fakti se këto mungesa sjellin lëvizje zinxhir në ekip dhe lojtarë të cilët do të luajnë për herë të parë me këtë fanellë ose do të duhet të punojnë në një pozicion që më herët nuk e kanë mbuluar.

Kjo do të thotë që do të kemi një formacion emergjent ndaj Bylisit?

Do të mundohemi të sajojmë një formacion që mund t’i përgjigjemi kundërshtarit dhe mbi të gjitha të tregojmë maksimumin tonë në këtë ndeshje. Sigurisht që në raport me këtë që përmendëm, nuk do të thotë se ne nuk do të pretendojmë të marrim maksimumin nga kjo ndeshje, përtej gjithçkaje.

Bylisi ju shkaktoi humbjen e parë në shtëpi. Skënderbeu i ka mundësitë t’i kthejë reston?

Kurrsesi nuk e kemi parë këtë takim si “hakmarrje”, por duke vlerësuar në maksimum kundërshtarin. Duke marrë mësim nga ndeshjet e kaluara, do të mundohemi për të bërë më të mirën që të dalim me maksimumin nga kjo ndeshje.

Duke iu rikthyer humbjes me Laçin dhe asaj çka ju keni deklaruar në fund të takimit, a keni parë reagim nga ekipi?

Që të jemi të qartë, nuk bëhet fjalë për mosimpenjim, por për faktin se unë dua që lojtarë të caktuar të marrin më shumë përgjegjësi në një takim. Për më tepër, kur bëhet fjalë për futbollistë që e kanë këtë potencial. Kemi biseduar mjaft dhe kemi analizuar gjithçka në raport me ndeshjen e fundit.

Nga këto rezultate të fundit, a mendoni se ka futbollistë në ekip që nuk ju ndjekin dhe nuk e kanë mendjen te Skënderbeu?

Unë nuk dua të shfajësoj asnjë, por nuk është kjo që ju po thoni. Mund të them se gjithçka lidhet me situatën, të cilën po kalon klubi korçar. Do të mundohemi të japim maksimumin në çdo ndeshje duke lënë pas gjithçka që trazon kampin tonë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"