“Do të preferoja të luhej me tifozë”, trajneri i Lushnjës kërkon fitoren me Besën: Duhet t’i largohemi fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2022 | 10:03

“Do të preferoja të luhej me tifozë”, trajneri i Lushnjës kërkon fitoren me Besën: Duhet t’i largohemi fundit

Edlir Tetova kërkon fitoren e dytë në krye të Lushnjës. E ka të qartë se përballë Besës nuk do ta kenë aspak të lehtë, e megjithatë misioni nuk ndryshon. Vetë pozitat që kanë në renditje, imponojnë vazhdimësi.

tet-1-750x500

Për t’iu larguar fundit do të tentojnë vetëm maksimumin e pikëve në stadiumin e Peqinit. Nuk sheh asnjë lloj favorizimi prej fushës, ndërsa do të preferonte që të luhej me tifozë. Gjatë intervistës së dhënë enkas për “Panorama Sport”, durrsaku tregon se ka reaguar grupi gjatë kësaj jave, që ishte e para për të në stol.

Ka kaluar diçka më tepër se një javë nga emërimi juaj si trajneri i Lushnjës. Si kanë reaguar gjatë kësaj periudhe?

Këtë javë në ekip ka pasur entuziazëm. Kam parë që lojtarët kanë dëshirë për t’u stërvitur dhe sipas kërkesave të mia.

Doni të thoni që i kanë “thithur” idetë tuaja?

Është shumë shpejt për mua të transmetoj idetë e mia te futbollistët në kaq pak kohë. Por, shikoj një grup që po mundohet të bashkohet me punën time. Shpresoj që luhatjet, të cilat janë të pranishme kur ndryshohet trajneri, të jenë të minimizuara.

Këtë javë luani me Besën. Çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Çdo trajner përgatit ndeshjen për të fituar, por duhet të jemi shumë të përqendruar që të shkojmë drejt suksesit. Luajmë ndaj një ekipi me shumë histori në futboll.

A ju favorizon fakti që luhet në Peqin dhe mbi të gjitha pa tifozë?

Fushat nuk janë më tabu. Mund të fitosh kudo. Çdo gjë po i rikthehet normalitetit në futboll. Ndërsa për tifozët do të preferoja që të kishte. Japin shumë emocione pozitive.

Si ju duket gara në Kategorinë e Parë?

Gara është e vështirë pa diskutim. Jo vetëm prej formatit, por mbi të gjitha prej emrave që marrin pjesë.

Çfarë synoni të arrini deri në mbyllje të kësaj faze?

Ne na takon të bëjmë më të mirën. Ta bëjmë këtë në çdo ndeshje të radhës. Sikur të jetë e fundit për të dalë nga kjo situatë ku ndodhemi.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"