Do të përballet në “Play-Off” ndaj ish-skuadrës, flet lojtari i Apolonisë: E njoh mirë Korabin, shihemi në finalen e madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2022 | 11:35

Do të përballet në “Play-Off” ndaj ish-skuadrës, flet lojtari i Apolonisë: E njoh mirë Korabin, shihemi në finalen e madhe

Elvis Kovaçi rigjen Korabin. Finalja e së hënës po afron dhe mesfushori ndihet gati për t’u përballur me të shkuarën. Ka luajtur dy sezone te dibranët, ndaj i njeh mirë dhe kaq i mjafton që ta thotë me bindje se do të jenë ata që do të kalojnë më tej dhe luajnë me Egnatian. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 23-vjeçari ka edhe një thirrje për tifozët.

Apolonia

Apolonia është në “play off”, por a ju mbeti peng që nuk u ngjitët direkt në elitë?

Në janar kur erdha tek Apolonia, ekipi ndodhej në vendin e 7-të dhe klubi më ka bërë të qartë se objektivi ishte gjashtëshja e parë. Jemi brenda pritshmërive. Rregullorja na lejon që elitën ta pretendojmë përmes ndeshjeve të “play off”-it prandaj po japim maksimumin tonë në finalet e tanishme.

Tërbunin e kaluat, por a do të jetë e njëjta gjë me Korabin?

Në ndeshjen me Tërbunin na bënte punë edhe barazimi, por ne fituam. Kjo tregon që ekipi ka mentalitet fituesi dhe është i etur vetëm për fitore. I lumtur për rezultatin e marrë dhe njëkohësisht për ecurinë tonë pozitive në shtëpi ku arritëm rekordin prej 12 fitoresh radhazi. Me të njëjtin synim do futemi në fushë edhe ndaj dibranëve.

Këtë herë ama luhet në fushë asnjanëse…

E njoh mjaft mirë kampin dibran, pasi aty kam luajtur për 2 sezone. Nëse tregohemi të kujdesshëm dhe dalim në lojën tonë, jemi ne ata që do të kalojmë në raundin final. Nuk e mendoja që do përballesha kaq shpejt me Korabin, por ndihemi gati për ta luajtur dhe fituar.

Si është atmosfera në kamp këto ditë, ka vend për presion?

Atmosfera është shumë e mirë dhe ne të gjithë jemi besimplotë për kalimin e këtij kundërshtari. Po përgatitemi 100% dhe jemi më të bashkuar se kurrë. Të them të drejtën, psikologjikisht jemi të qetë dhe fizikisht të lehtësuar.

Në fund, a keni një mesazh për tifozët?

Shpresoj që të kemi mbështetje maksimale, pasi me ta kalimi në raundin final do të ishte më i lehtë. Thirrja ime është: “Ejani në Durrës që së bashku të ngjisim Apoloninë aty ku i takon”.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"