“Do të luajnë lojtarët nën kontratë, po mendojmë për sezonin e ri”, Gentian Liçi: Skënderbeu do të jetë serioz deri në fund!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2022 | 11:18

“Do të luajnë lojtarët nën kontratë, po mendojmë për sezonin e ri”, Gentian Liçi: Skënderbeu do të jetë serioz deri në fund!

Kur mbeten edhe dy ndeshje nga fundi i kampionatit, Skënderbeu është duke luajtur vetëm për statistika, pasi biletën e rënies nga Superiorja e ka prerë.

lici

Sot korçarët do të luajnë në Kukës, aty ku do të shijojnë stadiumin e ri të ndërtuar në qytetin verilindor. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Gentian Liçi u shpreh se Skënderbeu do të respektojë deri në fund kampionatin, pa toleruar askënd në këto javë të mbetura.

Normalisht që për bardhekuqtë gjithçka është e mbyllur, por do të vijojnë të luajnë duke menduar edhe për të ardhmen me aktivizimin e të rinjve.

“Tashmë për ne gjithçka është e mbyllur dhe këto ndeshje kanë vetëm një vlerë statistikore për sezonin. Por, nuk do të shkojmë në Kukës vetëm për të luajtur ndeshjen e radhës dhe kaq.

Do të jemi seriozë deri në fund, njësoj siç bëmë edhe në ndeshjen ndaj Laçit. Do të luajmë me përkushtim dhe do të mendojmë të mbyllim sezonin në mënyrën më të denjë, duke respektuar garën dhe çdo kundërshtar që do të kemi përpara.

Diçka e tillë do të jetë më e denjë për Skënderbeun, që tashmë nuk ka asnjë objektiv sezonal”, ka thënë fillimisht Liçi.

NDESHJA – Për kryepankinën e Skënderbeut, takimi ndaj Kukësit do të shërbejë si test për të parë se çfarë cilësish ka ky grup lojtarësh.

Drejt Kukësit trajneri ka grumbulluar edhe ojtarë nga ekipi i të rinjve, të cilët me shumë mundësi do të aktivizohen sot.

Formacioni pritet të jetë i ngjashëm me atë që u luajt në ndeshjen ndaj kurbinasve.

“Edhe në këtë transfertë ndaj Kukësit, ne do të shohim se çfarë cilësish kemi për sezonin e ardhshëm. Do të hedhim në fushë lojtarët që janë nën kontratë me Skënderbeun dhe ata që mund të jenë sërish pjesë e jona edhe në sezonin tjetër.

Por, pa lënë mënjanë edhe akademinë. Tre lojtarë të këtij ekipi janë bashkë me skuadrën prej ditësh dhe do të angazhohen për të parë se çfarë cilësish mund t’i shtojnë Skënderbeut”, përfundoi numri një i stolit bardhekuq.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"