Do të luajnë dy herë kundër Sitit në kampionat, ja sa pikë i duhen Arsenalit për t’u shpallur kampion i Premier Ligës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2023 | 23:09

Do të luajnë dy herë kundër Sitit në kampionat, ja sa pikë i duhen Arsenalit për t’u shpallur kampion i Premier Ligës

Plus pesë nga Siti dhe me një ndeshje më shumë në dorë. Skuadra e Arsenalit ka mundësinë për të kaluar kuotën e 100 pikëve në gjysmën e mbetur të kampionatit, por nëse do të arrinin mbi 90 pikë pas 38 javësh do të kishin një shans për të triumfuar gjithsesi.

arsenal

Kryesuesit e Premier Ligës kanë hequr disa teste të vështira në transfertë këtë sezon, përfshirë atë me Mançester Junajtidin, Totenhemin dhe Çelsin. Por përpara kanë ende ndeshje sfiduese. Ata do të luajnë dy herë ndaj Sitit, në 15 shkurt në “Emirates” dhe 26 prill në “Etihad”, ndërsa i pret edhe sfida në “Anfield”.

PIKËT PËR TITULL – Kapërcimi i barrierës së 90 pikëve mendohet se do t’i mjaftojë londinezëve për të siguruar titullin këtë sezon. Historikisht vetëm 11 kampione të Premier Ligës nga 30 skuadrat që kanë ngritur trofeun e kanë bërë me +90 pikë.

Por këto vitet e fundit, kur është rritur shumë niveli, arritja e një kuote të tillë është një domosdoshmëri dhe për këtë mund të përgjigjet më mirë Jyrgen Klopi.

Mançester Siti, në një përjashtim të fundit, triumfoi në sezonin 2020-‘21 me 86 pikë, +12 nga rivalët e Junajtidit. Por që prej triumfit të Lestërit në 2015-‘16, Siti i vitit 2020 është i vetmi klub që fitoi pa arritur shifrën e çmendur të pikëve, ndërsa pesë nga gjashtë kampionet e fundit kanë grumbulluar mbi 90 pikë.

Pesë kampionet e fundit kanë grumbulluar respektivisht 93, 86, 99, 98 dhe 100 pikë.

MATEMATIKA – Sa pikë mund të arrijë Arsenali deri në fund të sezonit? Në teori, matematika thotë se skuadra e Artetës mund ta mbyllë me 107 pikë.

Por kjo ndodh vetëm në rast se ata fitojnë javët e mbetura, gjë që është në kufijtë e së pamundurës. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë do të thyente edhe rekordin aktual të pikëve të një sezoni me 38 javë (100), i cili mbahet nga Mançester Siti.

Që Arsenali të barazojë skuadrën e Guardiolës, ai duhet të ruajë të njëjtën mesatare pikësh të 19 javëve të para, ku ata kanë fituar 16 ndeshje, barazuar 2 dhe humbur 1. Por Arteta as që ka ndër mend që të qëndrojë me makinë llogaritëse në dorë.

Pas fitores në derbin me Totenhemin, trajneri spanjoll tha: “Nuk dua të bëj shumë llogari. Ju më pyesni për pikët, por në 4-5 sezonet e fundit ka ndodhur me 90 pikë, kështu që kërkon thuajse perfeksion”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"