Do të luajë ndaj ish-skuadrës, Ilirid Ademi: Egnatia do të kërkojë fitoren ndaj Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2022 | 10:00

Do të luajë ndaj ish-skuadrës, Ilirid Ademi: Egnatia do të kërkojë fitoren ndaj Laçit

Laçi po kalon një formë të shkëlqyer, por Egnatia mbetet ndër të paktat ekipe që arriti t’ mundte kurbinasit në shtëpinë e tyre. Laçianët nuk ngurruan duke ia kthyer “kusurin”, teksa fituan 2- 0 në Rrogozhinë. Kujtojmë se pak kush besoi, por Egnatia largoi nga Kupa një superekip si Kukësi dhe vjen pas atij barazimi plotësisht të merituar në Shkodër.

ILIRID ADEMI 1

Mjaftojnë këta tregues për të pasur një pritshmëri interesante për ballafaqimin e sotëm në Kupë. Ndër afrimet më cilësore mbetet ajo e 26- vjecarit Ilirid Ademi, shqiptarit nga Maqedonia e Veriut, i cili në CV-në e tij rendit disa fanella me vlerë, si: Renova, Shkupi apo së fundi edhe Laçi.

Afrimi i janarit Ilirid Ademi jo vetëm shënoi në Shkodër, por i siguroi 1 pikë të artë Egnatias. I pyetur mbi atmosferën që mbretëron në ekip ai shprehet:

“Është kënaqësi për mua ta nis një aventurë të re tek Egnatia duke shënuar. Në ekip mbretëron një atmosferë super të mirë falë kjo dhe përkrahjes, mbështetjes, por edhe mënyrës se si na trajton trajneri Ramadani. Sfida e secilit prej nesh mbetet të japë maksimumin e tij që të justifikojmë gjithë kujdesin e vëmendjen që klubi po tregon ndaj nesh”. Kuptohet se sfida kryesore e Egnatias mbetet mbijetesa e për këtë Ademi shprehet optimist, duke mos harruar se nuk do të jetë e lehtë.

“Kuptohet se një ekip pa përvojë Superioreje si Egnatia nuk do ta ketë të lehtë luftën deri në fund. Këtë e shoh te pikët që kemi lënë ndryshe nga loja që kemi zhvilluar ku kemi merituar të kemi më shumë pikë. Mungesa e përvojës na ka dëmtuar disi, por gjykoj se nëse nisemi nga përbërjet Egnatia ka grup më cilësor mendoj se Skënderbeu apo Kastrioti.

Na mbetet që këtë avantazh ta shprehim me lojë dhe rezultate. Kemi nevojë akoma tepër të përmirësohemi dhe me të drejtë trajneri Ramadani ka ndryshuar modulin e lojës sonë. Nuk e kemi luksin për pikët që kemi të sulmojmë vazhdimisht kundërshtarët, por mënyra se si luajtëm në Shkodër do jetë moduli i lojës sonë.

Një prapavijë të sigurt dhe një pragmatizëm në lojën sulmuese. Mjaftojnë dy raste ideale si në Shkodër për ta fituar një ndeshje”, tha ai. Siç cituam më lart, Ilirid Ademi e njeh më mirë se kushdo kundërshtarin e sotëm në Kupë, Laçin, pasi ka qenë pjesë e tij. Ndryshe nga kampionati, Egnatia s’duhet harruar se nxori nga Kupa ekipin e fortë të Kukësit në turin e kaluar. Përtej vlerësimit me nota maksimale për miqtë, Ademi nuk rezervohet kur kërkon që Egnatia të fitojë sot.

“S’më mbetet mua të çmoj cili është Laçi, pasi të gjithë e pranojnë se ata po kalojnë një moment të shkëlqyer. Kanë një grup me lojtarë cilësorë. Duke e ditur këtë mua dhe shokët e ekipit nuk na pengon të bëjmë lojën tonë dhe të kërkojmë fitoren.

Ndryshe nga kampionati, ndeshjet në Kupë janë ‘thikë’ me dy presa ku mund të nderohesh po mund ta pësosh qoftë me 1 gabim të vetëm. Shumë respekte Laçit, megjithatë dëshira ime, por edhe loja ime do të synojë të dalim të fituar. Kur them këtë, kam parasysh ambicien dhe dëshirën tonë, por ajo çfarë shpresoj të ndodhë është të mos gabojmë afër zonës sonë dhe të jemi pragmatistë në rastet që do krijojmë”, mbylli Ademi.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"