“Do të luaj me të njëjtët lojtarë të para dy ditëve”, Klop: S’kam mjaftueshëm futbollistë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2020 | 12:59

“Do të luaj me të njëjtët lojtarë të para dy ditëve”, Klop: S’kam mjaftueshëm futbollistë…

Ndeshja me Ajaksin është e para nga 8 takimet që Liverpuli do të luajë gjatë muajit dhjetor dhe trajneri Jyrgen Klop këmbëngul se ai nuk e ka personelin e mjaftueshëm për të bërë rrotacion. “Nuk kam mjaftueshëm lojtarë për t’i dhënë përparësi ndonjë ndeshjeje. Të njëjtët lojtarë që luajtën dy ditë më parë në kampionat do të jenë sërish në fushë kundër Ajaksit, sepse nuk kemi mjaftueshëm për të bërë ndryshime. Unë nuk marrë kurrë vendime për t’i dhënë përparësi Premier Ligës apo Ligës së Kampioneve, sepse këto janë dy kompeticione shumë të rëndësishme për ne”, tha trajneri gjerman në konferencë. Kampionët e Anglisë kualifikohen nëse shmangin humbjen sot dhe konfirmohen kokë grupi nëse mundin Ajaksin dhe Atalanta nuk fiton me Midtjylandin.
kLOP
Klop konfirmoi se Tiago Alkantara mbetet disa javë larg rikthimit pas dëmtimit në gju që pësoi në derbin kundër Evertonit në tetor. Por lajmi i mirë është se kapiteni Xhordan Henderson do të jetë në dispozicion, ndërkohë që Arnold, Keita dhe Shaqiri vijojnë të jenë jashtë sfidës me kampionët holandezë, së bashku me Xhejms Milnerin, i fundit në listën e dëmtimeve pas tërheqjes që pësoi të shtunën kundër Brajtonit. Klop bëri edhe një përditësim të situatës së Van Dajkut pas operacionit në gju: “Duke marrë parasysh rrethanat, ai është shumë mirë, por gjuri nuk duket mirë. Nuk duket ashtu siç duhet të dukej për një gju që nga koha që kur është operuar”.
Robertson
ROBERTSON – Në konferencë bashkë me trajnerin Klop, për “Reds”-at ishte edhe mbrojtësi Endrju Robertson. “Luajmë kundër një prej gjigantëve europianë nesër (sot). E dimë që kemi një detyrë të vështirë, por duam të kualifikohemi dhe të shkojmë larg në këtë kompeticion. Megjithatë, fillimisht duhet të kalojmë fazën e grupeve. Duhet ta mbajmë në mendje këtë gjë dhe bëjmë gjithçka për ta fituar ndeshjen me Ajaksin”, deklaroi mbrojtësi i majtë skocez.

PËRGATITI: ANDROKLI DRALO 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"