“Do të kishim zero pikë po të niste kampionati sipas kalendarit”, trajneri i Kastriotit: Nëse japim maksimumin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2020 | 17:50

“Do të kishim zero pikë po të niste kampionati sipas kalendarit”, trajneri i Kastriotit: Nëse japim maksimumin…

Ramazan Ndreu është i qartë. Objektivi i Kastriotit është qëndrimi në Superiore. Nga ana e vet, Ndreu analizoi skuadrën e tij dhe tha se për të është fat që kampionati u shty sepse në të kundërt Kastrioti do të kishte sot zero pikë.
ramadan ndreu

Ndreu, luajtët me më të mirët. Besoj se morët përgjigje më shumë se pozitive?
Ishte një ndeshje në përgjithësi e mirë. Kjo ndeshje nuk ishte testi i vërtetë për ne, por ajo që mua më bën të kem besim te kjo skuadër është fakti që në pesë takimet e fundit kemi bërë lojëra të mira, duke përfshirë edhe sfidën e sotme(djeshme). Për ndeshjen me Tiranën them që ishte një lojë e kujdesshme duke pasur parasysh që Tirana është një skuadër shumë e mirë. Ka lojtarë cilësorë dhe për këtë qëllim e ndërtuam lojën që të jemi të kujdesshëm në mbrojtje dhe ta godisnim kundërshtarin në kundërsulm. Ashtu ndodhi në realitet. Po të ishim pak më të kujdesshëm mund të merrnim diçka më shumë. Megjithatë, është një lojë që vjen në rritje, sidomos te të huajt që duan kohën e tyre të përshtatjes me ambientin dhe përgatitjes fizike. Jam i bindur që e gjithë skuadra do të rritet për të arritur objektivin tonë. Qëndrimin në Superiore.

Sa ju ka ndihmuar mosnisja e kampionatit?
Mund ta kem thënë edhe një herë tjetër. Po ta kishim nisur sezonin sipas kalendarit, Kastrioti do të ishte me zero pikë. Qëlluam me fat. Erdhën shumë lojtarë. U arrit forma edhe pse u kompletuam me vonesë. Ndalesa na ka ndihmuar jashtëzakonisht. Në çdo javë që kalon, ne jemi një skuadër e re. Në kampionat do të jemi të kujdesshëm që të hymë në fushë si punëtorë për të dhënë maksimumin. Nëse japim maksimumin, në shpirtin e garës jam i bindur që do të jemi te ekipet e mira, përndryshe do të kemi probleme.

E filluat ndeshjen me pesë të huaj?
Arsyeja që luajtëm me pesë të huaj është lojtari Rezi. Nuk e ka marrë akoma veten dhe për këtë e futa në pjesën e dytë. Do të luhet me katër të huaj dhe ne i kemi lojtarët e duhur. Desha të marr më të mirën sot dhe aktivizova ata më në formë.

Kanë nevojë klubet tona për pesë të huaj?
Personalisht nuk jam për lojtarët e huaj. Për momentin që ndodhet Shqipëria e futbollit edhe pesë të huaj do të pranoheshin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"