“Do të ketë rrotacion”, Bekim Kuli: Ja pse u ul ritmi te Kastrioti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2022 | 23:09

“Do të ketë rrotacion”, Bekim Kuli: Ja pse u ul ritmi te Kastrioti

Kastrioti vijon të stërvitet në normalitet, në një kohë që objektivi mbijetesë është arritur. Të shtunën në orën 17:00 në stadiumin e Kamzës, krutanët do të presin Teutën dhe për këtë përballje, ekipi do të bëjnë pa Bedri Grecën dhe Silvio Zogajn. I pari është i pezulluar për kartonë, ndërsa i dyti i dëmtuar.

Bekim Kuli

Numri dy i pankinës, Bekim Kuli, dje gjatë një bisede për “Panorama Sport” ka folur për situatën në ekip, dy humbjet radhazi dhe ndeshjen e radhës. “Të them të drejtën, të gjitha ndeshjet i kemi vlerësuar në maksimum dhe në momentin që arritëm objektivin e mbijetesës, vetvetiu është ulur pak edhe ritmi.

Është normale, pasi lojtarët nuk duan që në këto javë të mbetura të dëmtohen, pasi gjithkush do të jetë i gatshëm për sezonin e ardhshëm. Kjo ishte e pritshme, por jemi duke punuar këto ditët në vazhdim, që të arrijmë të shfaqemi denjësisht në tri ndeshjet e mbetura, duke filluar që nga Teuta.

Përballë kemi një ekip të fortë, që ka bërë mirë në javët e fundit. Po stërvitemi mirë dhe shpresojmë që ta kalojmë me sukses ndeshjen e së shtunës”, ka thënë fillimisht Kuli. Ai pret që tri ndeshjet e mbetura të mbyllen denjësisht dhe skuadra të jetë në mes të tabelës. “Normalisht, çdo lojtar krahas ekipit, luan për të treguar edhe veten e tij. Presim që në këto ndeshje të kemi edhe rrotacione, për t’u dhënë mundësinë edhe atyre që kanë pasur pak minuta në këmbë deri më tani.

Këto takime janë një test i mirë edhe për këtë pjesën e lojtarëve që ka marrë më pak hapësirë. Do t’u shërbejë atyre, por edhe neve për të parë diçka për të ardhmen. Shpresojmë që ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin”, deklaroi zv.trajneri i krutanëve. Kujtojmë që Kuli u afrua në stafin e Kastriotit pas emërimit të Emiljano Çelës, duke qenë krahu i djathtë i këtij të fundit. Krutanët po shkojnë drejt mbylljes së një sezoni fantastik, natyrisht në pjesën e dytë të tij.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"