“Do të jetë një kampionat sa për t’u mbyllur”, Ndreu i sinqertë: Mos prisni cilësi si më parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2020 | 18:47

“Do të jetë një kampionat sa për t’u mbyllur”, Ndreu i sinqertë: Mos prisni cilësi si më parë

Trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, tregohet i sinqertë kur flet për ndeshjet e mbetura. “Periudha e pushimit ka sjellë vështirësi të jashtëzakonshme. Ne u kemi dërguar një plan stërvitor lojtarëve, por disa prej tyre nuk kanë pasur mundësi të stërviten rregullisht dhe kjo u vu re që ditën e parë, kur ata nuk e kanë marrë ngarkesën që kishim menduar.

ramadan ndreu

Kohën e kemi të mjaftueshme, gati një muaj, dhe elementi fizik do të përmirësohet. Asgjë nuk ka mbaruar, pavarësisht pikëve që kemi në avantazh, futbolli prodhon surpriza, ndaj do mundohemi ta stërvitim ekipin me kujdes, të japim atë ngarkesë që duhet. Është një fazë që nuk e kemi provuar ndonjëherë, ndaj duhet shumë kujdes në këtë drejtim, siç e thashë, që ta kalojmë me sukses edhe pjesën e mbetur të sezonit.

Problemi kryesor për ndeshjet e mbetura ka të bëjë me temperaturat shumë të larta. Stadiumet e Kategorisë së Parë janë pa ndriçim dhe ndeshjet do të zhvillohen në pikun e vapës, ndaj mendoj se kjo do ndikojë në uljen e cilësisë. Që të jem i sinqertë me veten dhe me ju, është një kampionat që vetëm duhet të mbyllet, cilësia nuk do të jetë ajo që ne presim.

Para ndërprerjes e në vazhdim ua kemi thënë lojtarëve se festa fillon kur na lejon matematika. Pavarësisht se jemi 9 pikë përpara dhe shanset reale i kemi, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në çdo ndeshje që të marrim pikët deri në momentin që do kemi sigurinë matematikore”, shprehet trajneri krutan.

kastrioti

STADIUMI – Ndreu flet edhe për çështjen e stadiumit, që e shqetëson jo pak. “Stadiumi ndikon shumë dhe Kastrioti e ka vuajtur në këto dy sezonet e fundit. Nuk janë njëlloj fushat në Krujë, Fushë-Krujë apo diku tjetër. Fusha në shtëpinë tënde ka të tjera vlera dhe kjo periudhë e pandemisë na pengoi shumë për stadiumin.

Do të dëshiroja që sezonin e ardhshëm të luanim në fushën tonë, edhe pse mendoj se javët e para nuk do të jetë gati. Nga ana psikologjike jemi përgatitur që për javët e para të bëjmë një kontratë me ndonjë fushë të afërt për ndeshjet, jo të lëvizim sa në një vend në tjetrin. Personat që janë përgjegjës duhet të nisin sa më shpejt punën, pasi çdo vonesë na dëmton ne”, tha trajneri Ndreu.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"