“Do të jem gjithnjë këtu”/ Mbylli sezonin si trajner i Skënderbeut, Liçi: Na “masakruan” arbitrat, ja çfarë duhej në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2022 | 20:35

“Do të jem gjithnjë këtu”/ Mbylli sezonin si trajner i Skënderbeut, Liçi: Na “masakruan” arbitrat, ja çfarë duhej në janar

Gentian Liçi është nga të paktët që ka provuar gjithçka me Skënderbeun. Ka qenë gjithnjë aty, në ditët më të mira dhe ato më të vështirat. Pas 13 vitesh të lavdishme, ky është pa dyshim momenti më i errët për bardhekuqtë. Korçari as që e kishte menduar që do të përfundonin në Kategorinë e Parë, madje këmbëngul që nuk kanë bërë ndonjë gabim të madh gjatë rrugës. E megjithatë, ndonjë ndërhyrje në janar edhe mund ta kishin bërë.

LICI

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri që mbylli sezonin, evidenton shkaqet që sollën verdiktin e parikuperueshëm. Në krye është gjykimi dhe më pas vjen mungesa e eksperiencës. “Kur vjen fundi i kampionatit, është gjithnjë më e thjeshtë për të nxjerrë konkluzionet dhe evidentuar gabimet. Që pasi u mbyll sezoni, kanë kaluar mjaftueshëm ditë dhe na ka shërbyer për të bëjë një lloj reflektimi dhe nxjerrë disa konkluzione.

Mund të them që Skënderbeu e nisi mirë garën. Presidenti i besoi atij grupi që arriti rezultate shumë të mira në javët e fundit, madje shkoi deri në finale të Kupës. Janari besoj se do të duhet të ishte pika e ndryshimit, duke parë goditjet që kishte kjo skuadër apo dëmtimet e njëpasnjëshme. Me dy lojtarë me eksperiencë, ne mund të ishim shumë herë më mirë në fund të sezonit. Mungesa e eksperiencës pastaj na penalizoi…”, theksoi fillimisht Liçi.

RËNIA

Më pas ai ndalet te faktorët e tjerë që ndikuan në këtë rënie. Ai mendon se skuadra është “masakruar” nga arbitrat dhe lojtarët e rinj në moshë nuk e përballuan dot presionin. Tekniku sqaron se ishte e pamundur për të karikuar ekipin. “Jemi goditur edhe nga arbitrat, veçanërisht në ndeshjet vendimtare. Kanë qenë gjykime që na kanë penalizuar. Mbi dhjetë ndeshje ishin ato që kanë ndikuar. Kjo nuk na linte të merrnim veten për ndeshjen e radhës. Një ekip i ri, me gjithë këto goditje e kishte të pamundur, nuk motivonim dot lojtarët në maksimum”, theksoi ish-kapiteni i Skënderbeut

KONFIRMIMI

Zyrtarisht Skënderbeu është pa trajner dhe kërkimet vazhdojnë prej kohësh. U përfol fillimisht Gugash Magani dhe rishtas ka dalë në skenë Ramadan Ndreu, e megjithatë nuk përjashtohet mundësia që Ardjan Takaj t’ia besojë stolin atij që e njeh më mirë këtë klub. I pyetur për këtë çështje, 50-vjeçari ka devijuar. Qartëson se ai do të jetë gjithnjë pranë Skënderbeut dhe nuk përbën problem nëse do të jetë trajner i parë apo pjesë e stafit.

“Unë nuk kam folur me presidentin, pasi e di që ai është shumë i qartë në atë që bën. Sido që të shkojë puna dhe sido që të vendoset, do të jem këtu për të dhënë më të mirën time. Nuk kam asnjë siklet nëse do të jem trajner i parë apo ndihmës. Çdo zgjedhje që do të bëhet do të jetë për të mirën e Skënderbeut”, përfundoi Gentian Liçi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"