“Do të hapim një kapitull të ri, tifozët duhet të besojnë”, greku Marantas: Koha për të marrë pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2019 | 9:33

“Do të hapim një kapitull të ri, tifozët duhet të besojnë”, greku Marantas: Koha për të marrë pikë

Luftëtari duhet të marrë vetëm fitoren ndaj Teutës për të rindezur shpresat e mbijetesës në Superiore. Gjirokastritët vijnë pas tri humbjeve radhazi, ndërsa sot në orën 13:30 presin në fushën e tyre durrsakët.

jorgos marantas

Trajneri grek i Luftëtarit, Jorgos Marantas, është optimist në prag të takimit. Në konferencën e djeshme për shtyp ai theksoi ndër të tjera se tifozët duhet të besojnë te ky grup lojtarësh.

Ndryshime të vazhdueshme në formacion, por sërish Luftëtari nuk po merr rezultate pozitive dhe as nuk shënon. Çfarë nuk ka shkuar në ndeshjet e fundit?

Me Tiranën nuk krijuam raste dhe ishte një 90-minutësh për t’u harruar nga ne, ndërsa me Partizanin, përveçse bëmë një lojë të mirë, kishim disa mundësi shënimi. Kjo nuk është çështje individësh, sepse jam pyetur edhe për Dushkajn, i cili ka luajtur në disa role. Kjo është çështje e gjithë ekipit, si për atë që bëjmë në fazën sulmuese, ashtu edhe në fazën mbrojtëse. Këtë herë luajmë në fushën tonë ndaj Teutës dhe atë që nuk e bëmë me Partizanin, do të luftojmë ta bëjmë nesër (sot), duke marrë pikët maksimale.

Sa e ndieni presionin e pikëve dhe a mund të themi se Teuta është ndeshja e duhur për të bërë kthesën e madhe?

Presioni është i pranishëm në të gjitha ndeshjet. Natyrisht, kjo me Teutën është shumë e rëndësishme për ne dhe duhet të marrim patjetër një rezultat pozitiv. Nuk jemi mirë me pikë dhe duket që kemi presion për pikët që na duhen. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën. Nga kjo ndeshje duam të hapim një fillim të ri pozitiv.

Mungojnë titullarë si Demo dhe Rapo. Sa jua vështirësojnë gjërat për formacionin?

Na mungojnë lojtarë të rëndësishëm dhe me eksperiencë, por siç e kam thënë edhe herët e tjera kur nuk kemi pasur disa lojtarë, ne duhet të besojmë te grupi që kemi në dispozicion. U bëj thirrje edhe tifozëve që të na mbështesin, pasi vetëm kështu mund ta kalojmë këtë moment jo të mirë. Vazhdimisht kemi pasur mungesa, për më tepër Demo do të na mungojë edhe në disa ndeshje të tjera prej dëmtimit që ka pësuar.

Për penalizimin e lojtarëve si Fili dhe Hilgen, jeni në një mendje me klubin apo keni qenë kundër?

Jam pro vendimit që ka marrë presidenca për Filin, sepse jo vetëm në ekipin tonë, por mendoj se në çdo klub tjetër, asnjë lojtar nuk mund të luajë nëse përplaset me tifozët. Sa i përket mbrojtësit Hilgen, është një vendim imi që të stërvitej dy herë në ditë, në mënyrë që të rriste gjendjen e tij fizike. Pra, një herë të stërvitej me ekipin dhe një herë veçmas. Mirëpo, na kërkoi vetë të shkonte tek U-19.

Një vlerësim për Teutën dhe sa shanse ka që ky Luftëtar ta thyejë?

E njoh shumë mirë Teutën, e kam ndjekur edhe në ndeshjen e fundit që luajti në Durrës me Tiranën. Bëhet fjalë për një ekip që ka lojtarë të mirë dhe me shumë eksperiencë. Megjithatë, ne shohim vetëm ekipin tonë dhe jemi këtu për të bërë sa më mirë. Lojtarët janë të ndërgjegjshëm se i kanë të gjitha mundësitë për të kaluar me sukses këtë takim. Do të mundohemi me të gjitha mënyrat për të fituar ndaj Teutës.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"