“Do ta rimarrim kreun dhe shkëputemi”, drejtori Ferko konfirmon dy goditje: Flamurtari, një “blind”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2023 | 23:29

“Do ta rimarrim kreun dhe shkëputemi”, drejtori Ferko konfirmon dy goditje: Flamurtari, një “blind”

Alfred Ferko e sheh gati Flamurtarin. Edhe pse ditët e fundit të merkatos mund të shoqërohen me surpriza, drejtori e quan “të blinduar” që tani skuadrën. Gjatë një intervistë për “Panorama Sport”, ai thekson se qëllimi është rimarrja e kreut dhe shkëputja. Konfirmon firmat me dy brazilianë të tjerë, por edhe dy huazime…

alfred ferko

A është gati Flamurtari për të rinisur kampionatin?

Kampionati rinis me Apoloninë, që në fakt është edhe ndeshja e fundit e fazës së parë. Besoj se do ta mbyllim me sukses. Pavarësisht se dy ndeshjet e fundit nuk na kënaqën, jemi përgatitur në këtë periudhë për të ruajtur pozitat si kryesuese. E megjithatë, vendi i parë është misioni ynë dhe kjo është thënë dhe stërthënë. Sapo ta arrijmë, do të tentohet më pas shkëputja. Tani rifillon rrugëtimi ynë dhe e dimë që çdo gjë varet nga ne. I kemi marrë masat për t’ia dalë me sukses.

Kalendari është “i pamëshirshëm”, pasi keni tri transferta radhazi. Ju frikësojnë?

Transfertat? Nuk besoj se është diçka e re për ne. Të gjitha ndeshjet janë të vështira, përtej fushës. Kemi ndërtuar një ekip edhe më serioz dhe mbi të gjitha kemi shtuar kualitetin me afrimet e bëra në këtë merkato. Nga java që vjen, ose në orët në vijim, do të kemi një grup të plotësuar 100%.

Meqenëse përmendet merkaton, jeni i kënaqur me përforcimet e realizuara?

Kemi bërë lëvizje të studiuara, duke i shtuar organikës cilësi dhe eksperiencë. Lojtarë që do të na ndihmojnë për të arritur objektivin. Zoti Idrizi nuk është kursyer aspak për merkaton, vetëm e vetëm që në fund të realizohet misioni madhor.

Do të kemi të tjera surpriza nga merkatoja?

Merkatoja nuk është mbyllur 100%. Jemi duke plotësuar grupin tonë. Kemi marrë rishtas edhe dy lojtarë që janë vërtetë cilësorë. Janë brazilianë dhe luajnë në qendër të sulmit dhe mesfushë. Në ndeshjen me Apoloninë, besoj se do të jemi të plotësuar. Jemi përforcuar me elementë që do të bëjnë diferencën në kampionatin shqiptar. Janë lojtarë që do t’i cilësoja të Superiores, pasi janë vërtet në tjetër nivel.

Largime do të kemi apo janë mbyllur?

Largime nuk do të kemi. Ndoshta do të kemi ndonjë huazim. Besoj Metanin dhe Mukojn do t’i huazojmë. Si shkoi Balla në Cërrik, edhe këta lojtarë do të shkojnë diku për të luajtur, për t’u forcuar edhe më shumë dhe për t’u ndjekur edhe nga ana jonë. E megjithatë, nuk kemi vendosur ende se ku. Ata janë futbollistë të Flamurtarit dhe ne do t’i kemi nën vëzhgim gjatë gjithë pjesës së dytë të sezonit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"