“Do ta evitojmë më të keqen”, Canka: Do t’i përgjigjemi Dalipit, Tirana një… provë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2023 | 23:50

“Do ta evitojmë më të keqen”, Canka: Do t’i përgjigjemi Dalipit, Tirana një… provë

Lojtarët janë gati që t’i përgjigjen çdo kërkese të Klevis Dalipit. Trajneri ka ardhur me mision te Lushnja: të shmangë rënien. Që kjo të ndodhë duhen rezultatet dhe në ekip e dinë më së miri këtë. Një gjë të tillë e pohon edhe vetë kapiteni Mikel Canka, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”.

CANKA

Ai vlerëson si tejet të rëndësishme ndeshjen që kanë me Tiranën të martën (për llogari të Kupës së Shqipërisë), pasi mund të provojnë veten para rifillimit të garës. “Jemi duke u stërvitur mjaft mirë për të kapur formën fizike sa më shpejt. Grupi i lojtarëve duket në gjendje të mirë. Ne jemi një ekip mikpritës, ndaj çdo lojtar që do të afrohet në ekipin tonë do të jetë një vlerë e shtuar. Besojmë se me këto ritme që po stërvitemi do të dalim shumë shpejt nga kjo situatë.

Trajneri kërkon të marrë 100%-shin tonë, në çdo seancë stërvitore dhe të fokusohemi në mënyrën që ai kërkon, të të luajturit futboll. Ne do t’i përgjigjemi për të përmbushur objektivat tanë. Ndeshja e Kupës me Tiranën është një provë e mirë për ne. Të japim maksimumin tonë, që të duket dhe gjendja e ekipit se si po shkon”, përfundoi sulmuesi.

DACI – Florian Daci ka vendosur vetë që të largohet nga Lushnja. Edhe pse kishte kontratë deri në fund të sezonit, qendërmbrojtësi shkëputi marrëdhëniet. “Po, e kërkova unë largimin për arsye familjare dhe duhet të qëndroj në Tiranë. Dua të falënderoj çunat për mikpritjen, stafin, kryetaren e bashkisë që ishte shumë korrekte dhe tifozët e Lushnjës që janë ndër më të mirët. E ardhmja?

Kam disa oferta, por këto ditë do ta konkretizoj. Është një ekip që stërvitet në Tiranë”, tha 31-vjeçari, që dje ka zbarkuar te Turbina. Korreshi, Meta, Përvataj, Ziaj, Mehmeti, Llacja dhe Daci kanë ndërprerë kontratën. Klubi, ndërkohë, ka afruar mbrojtësin fierak Skerdilajd Levendi në formë huazimi nga Egnatia. Ndërsa prej ditësh me verdhejeshilët janë rikthyer sulmuesi Xhonatan Hila dhe mesfushori Fabian Blakçorri.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"