Do shitet vetëm Jashanica, 2 lojtarë drejt huazimit. Ja plani i merkatos së janarit te Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2017 | 9:36

Do shitet vetëm Jashanica, 2 lojtarë drejt huazimit. Ja plani i merkatos së janarit te Skënderbeu

Merkatoja e janarit po afron dhe në Korçë duan që të jenë sa më të matur për sa i përket lëvizjeve në dalje. Duket se klubi bardhekuq tashmë ka bërë edhe planin në dritaren e transferimeve, atje ku trajneri Ilir Daja, por mbi të gjitha presidenti Ardian Takaj, janë të bindur se mbajtja e forcës së grupit është objektivi numër një për Skënderbeun. Kjo praktikë pune duket se mund të sjellë lëvizje të shumta në verë, ndërsa përjashton “eksodin” në janar.

skenderbeu

“Panorama Sport” mëson nga burime në klub që drejtuesit kanë vendosur të bëjnë pak lëvizje, qoftë në dalje, ashtu edhe në hyrje. Sipas planit që ka klubi bardhekuq pritet që të mos ketë më shumë se një shitje apo në rast oferte të parezistueshme do të lejohen vetëm dy largime.

Të gjitha do të bëhen duke u bazuar mbi alternativat e shëndosha për të mbushur boshllëkun e të larguarve. Në listën e ekipeve të huaja prej kohësh kanë përfunduar Bajram Jashanica, Enis Gavazaj, Gledi Mici, Sabjen Lilaj dhe Bakari Nimaga. Por, klubi duket se është i predispozuar të shesë vetëm mbrojtësin Jashanica në janar.

Skenderbeu festa

Gazeta ka paralajmëruar prej kohësh se kosovari do të shitet në Rusi për afro 400 mijë dollarë, por për momentin sekret mbahet vetëm emri i skuadrës, edhe pse të gjitha të dhënat të çojnë te Akhmat Grozni. Klubi do të kërkoj të shfrytëzoj në maksimum të gjitha variantet që mund t’i dalin përpara, por pa prishur ekuilibrat në skuadër për vazhdimësinë.

AFRIMET – Nëse me Ivan Fushtar, mbrojtësin kroat të Kamzës, që pritet të afrohet te Skënderbeu për të zëvendësuar Jashanicën, bisedimet janë në rrugë të mbarë edhe me klubin nga periferia e kryeqytetit, lajmi i fundit nga shtëpia e bardhekuqve është se po bisedohet me një sulmues të huaj.

Fustar2

Mësohet se do të jetë një ndërrim kokë më kokë me Martin Nespor, i cili pritet të zyrtarizojë prishjen e kontratës. Dëmtimi ka dëshpëruar çekun dhe vetë klubin, prandaj marrëveshja do të zgjidhet me konsensus, edhe pse për momentin nuk ka ende diçka zyrtare.

nespor

HUAZIMET – Nazmi Gripshi dhe Shend Kelmendi janë dy lojtarët që pritet të huazohen në janar. Mesfushori durrsak dhe sulmuesi kosovar nuk kanë pasur hapësira dhe pritet që drejtuesit të arrijnë një marrëveshje me skuadra të tjera në Superiore ose Kosovë.

Kelmedi

Për Gripshin janë disa alternativa, mes tyre Teuta, Luftëtari dhe Kamza. Ndërsa për Kelmendin, një pistë e hapur është transferimi në Kosovë te Trepça ’89.

RINOVIMET – Marko Radas do të mbyllë karrierën në Korçë. Këtë e ka konfirmuar vetë kroati për “Panorama Sport”. 33-vjeçari do të rinovojë marrëveshjen edhe për një vit, teksa ka biseduar me presidentin Ardian Takaj gjatë ditëve të fundit. Vetë kroati konfirmon se ka rënë parimisht dakord.

Radas Skenderbeu 2017

“Jam gati për të firmosur një kontratë të pakufizuar në vite”, ka thënë Radas. Më herët, ndoshta edhe si batutë, presidenti Takaj ka theksuar se Radas përjetë do të jetë bardhekuq.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"