“Do shënosh dhe të pres te pankina”, Çinari flet pas golit ndaj Laçit: Rinovimi s’është problem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2020 | 9:34

“Do shënosh dhe të pres te pankina”, Çinari flet pas golit ndaj Laçit: Rinovimi s’është problem

Eraldo Çinari është lojtari i momentit te Parti zani. Sulmuesi shkodran u dha tri pikë të arta “demave” ndaj Laçit, duke u konfirmuar si kryegolashënues i skuadrës me 10 gola deri më tani. Pas ndeshjes së fundit në “Air Albania”, Çinari tregoi për synimet e të kuqve, sezonin jo të mirë të skuadrës në tërësi, si dhe të ardhmen. “Panorama Sport” ka zbuluar se Partizani nuk e lëshon Çinarin pa arkëtuar minimalisht 250 mijë euro, ndërsa vetë lojtari deklaroi se e ka të lehtë rinovimin me të kuqtë.
cinari

Fillimisht ai foli për fitoren me Laçin: “Ishte një ndeshje e luftuar. E kam thënë edhe më parë që kualitetet janë, por na ka munguar pak besimi. Kemi pasur ngërç psikologjik. Ato dy ndeshjet me Luftëtarin dhe Flamurtarin na ndihmuan shumë për gjendjen psikologjike dhe e shprehëm këtë ndaj Laçit”.

Sa i përket golit, sulmuesi zbuloi bisedën me një prej zyrtarëve të klubit. “Ildi Dajlani, më tha: ‘Do shënosh dhe të pres te pankina’. Prandaj, edhe pasi shënova shkova ta festoj golin me të”, tregoi 23-vjeçari.

I pyetur për oshilacionet e mëdha të Partizanit këtë sezon, Çinari dha këtë shpjegim: “Janë shumë faktorë. Ndoshta na ka munguar edhe pjesa e fatit. Ia kisha lënë fatit më shumë, sepse gjërat nuk kanë shkuar si duhet. Kemi pësuar gola që nuk është dashur t’i pësojmë, por ky është futbolli. Po nuk shënove, do pësosh. Pas dy muajsh në karantinë, është një gjë që pritet. Asnjë futbollist nuk është njësoj si më përpara. Të jesh dy muaj pushim ka ndikimin e vet. Rëndësi ka që fituam me një rival direkt për Europën si Laçi. Shpresojmë të kemi vazhdimësi”.

erald cinari
E ARDHMJA – Çinari nuk e fsheh dëshirën për një eksperiencë jashtë Shqipërisë, por gjithçka ua lë në dorë drejtuesve të klubit. Disa klube turke janë interesuar për të, por sulmuesi nuk dha detaje. “Për momentin po mundohem të bëj mirë me Partizanin, të arrij objektivin minimal të klubit. Nëse ka oferta konkrete, pse jo, të mos transferohem jashtë vendit. Jam nën kontratë dhe për rinovimin nuk është aspak problem. Si me presidentin Gaz Demi, ashtu dhe me drejtorin Olsi Rama, i kam marrëdhëniet shumë të mira. E kam derën e hapur te Partizani”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"