Do pushojnë 4 herë në 9 javë, trajneri i Flamurtarit: Është e tmerrshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2021 | 18:34

Do pushojnë 4 herë në 9 javë, trajneri i Flamurtarit: Është e tmerrshme

Rui Sampaio ka një mision, të mbajë Flamurtarin në Kategorinë e Parë. I njeh mirë vështirësitë, por mbijetesën nuk e quan të pamundur. Është i dëshpëruar që në Lushnjë nuk mori fitoren, ndaj barazimin nuk e quan rezultatin më të drejtë. Në një intervistë ndryshe të dhënë për “Panorama Sport”, portugezi tregon si përfundoi në krye të pankinës dhe planet për të ardhmen. Ai është i mahnitur nga Vlora, ndërsa zbulon edhe ushqimin e preferuar në Shqipëri.

SAMPAIO

Barazuat në Lushnjë, i kënaqur me këtë rezultat?

Nuk jam i kënaqur me rezultatin dhe kjo, për një motiv të thjeshtë. Në Lushnjë kemi luajtur shumë mirë dhe kemi krijuar raste të mira që mund të çonin drejt fitores. Barazimi nuk ishte një rezultat i drejtë. Duhet që të merrnim tri pikë në këtë ndeshje.

Vendi që keni momentalisht, ju detyron që të luani një ndeshje shtesë për të mbijetuar. Ka shanse Flamurtari që ta shmangë këtë?

Ne do të përpiqemi që ta shmangim këtë situatë. Do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të mos shkuar deri aty.

Në 9 javë që kanë mbetur nga faza e tretë, do të luani vetëm 5 dhe 4 të tjera do pushoni. Si ju duket formula?

Një javë pushim është keq, e jo kur janë më shumë. Është e tmerrshme për ekipin dhe konkurrencën. Është humbje kohe për të luajtur 6 ndeshje në këtë mënyrë. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë…

I vlerësoni të vështira ndeshjet e “play out”-it?

Po, të gjitha ndeshjet janë shumë të vështira. Kjo, pasi ekipet vënë në lojë të gjitha strategjitë që duhet të përdorin për të fituar përballë nesh. Shembulli i parë ishte Lushnja. Ne luajtëm kundër 11 lojtarëve dhe gjyqtarit. Ai i dha një karton të kuq lojtarit të Flamurtarit, që nuk i tha asgjë, nuk ishte afër tij. Këto gjëra më çudisin shumë në Shqipëri.

Erdhët si përgatitës atletik, por përfunduat trajner. E kishit menduar këtë?

E vërtetë. Unë erdha këtu si përgatitës atletik dhe për të bërë mirë detyrën time. Nuk e kisha ambicie drejtimin, pasi Flamurtari e kishte trajnerin. Erdhi natyrshëm dhe i falënderoj drejtuesit e klubit për besimin. Për mua nuk ishte ndonjë surprizë, pasi unë kam drejtuar disa ekipe si trajner i parë dhe për këtë kam licencën. Kam studiuar për këtë.

Do të dëshironit që të qëndronit gjatë në Vlorë?

Nuk di ta them nëse do të jem trajneri i Flamurtarit në të ardhmen. Ajo që di, është se aktualisht jam trajner i këtij ekipi. Prioriteti im i parë tani është që të mbaj Flamurtarin në Kategorinë e Parë dhe pastaj do të mendoj për të ardhmen.

Si ju duket Vlora, ju pëlqen?

Unë e dua Vlorën. Është një qytet fantastik. Njerëzit këtu janë shumë të mirë. I mrekullueshëm është edhe perëndimi i diellit. Qytet që më mahnit shumë…

Çfarë ushqimi ju pëlqen në Vlorë?

Më pëlqejnë shumë makaronat me fruta deti si dhe peshku i pjekur në zgarë. Kuzhina këtu në Vlorë është fantastike. Natyrisht që unë i bëj ndërthurje edhe me ushqimin portugez që e gatuaj vetë. Madje, përpara se të iki në Portugali, do t’ju ftoj që të hamë së bashku ushqim portugez (qesh). ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"