“Do përpiqem të shënoj ndaj Korabit, se për këtë punë kam ardhur”, provë “zjarri”, Canka: Po nuk fituam në shtëpi, për çfarë Superioreje flasim?
Pas Turbinës dhe Pogradecit, vjen prova e “zjarrit” për Besën. Pikërisht sot, do të presin në Luz kryesuesit e Korabit. Një ndeshje e gjitha për t’u luajtur dhe fituar. Verdhezinjtë janë të vetëdijshëm që nuk do ta kenë të lehtë, e megjithatë e quajnë detyrim këtë ndeshje shtëpiake. I këtij mendimi është edhe “bomberi” Mikel Canka, i cili në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, thotë: “Korabi kryeson vërtet grupin, por duhet parë me cilin kundërshtar ka luajtur, pa mohuar aspak vlerat dhe ambiciet e dibranëve. Ne vijmë pas një barazimi në Pogradec, një fushë ku besoj vështirë të merret pikë nga rivalët tanë, ndërsa Korabi vjen pas fitores me debutuesit e Butrintit. Me këtë dua të saktësoj se nëse te kjo Besë secili prej nesh jep maksimumin, atëherë vështirë të ketë kundërshtar të na mposhtë. E them këtë nisur nga emrat, përvoja dhe cilësitë që grupi ynë ka”.
GOLAT – Lushnjari është i ndërgjegjshëm se golat priten më së shumti prej tij dhe Edmond Hoxhës. Ai nuk dredhon, por përgjigjet se për golat erdhi te Besa. “Mund të luash mjaft mirë, por golat bëjnë diferencën. Kjo natyrisht varet shumë edhe nga grupi, sa ai të ndihmon e mbështet. Dhe unë jam me fat, pasi kam në krah lojtarë që dinë të të furnizojnë me topa në kohën dhe situatën më të volitshme. Mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’ua shpërblej duke shënuar. Këtë do të kërkoj edhe ndaj Korabit. Do të përpiqem maksimalisht, por nuk më mbetet hatri nëse ia dalin dy Hoxhat, Edmondi apo Nertili (qesh). E rëndësishme mbetet fitorja, qoftë edhe me autogol”.
TIFOZËT – Një futbollist përvoje si Canka është në merak, sepse nuk u gëzohet dot golave pa praninë e tifozëve. Ndaj Korabit ata kthehen e kjo e motivon më shumë sulmuesin. “Të shënosh pa tifozë më duket si një film pa zë. Shënova ndaj Cërrikut, por stadiumi ishte bosh, i qetë dhe m’u duk vetja si në stërvitje. Fundja ne luajmë futboll për t’u dhënë atyre të paktën 2 orë argëtimi e gëzimi. Vetëm ata që e kanë provuar e kuptojnë çfarë force, morali të japin fytyrat e tifozëve teksa thërrasin emrin tënd. Për të gjitha këto, ne e kemi detyrim që sot të fitojmë e t’u japim atyre gëzimin që meritojnë. Nuk është se nënvlerësoj Korabin aspak, më mirëkuptoni. Por, nëse lëmë pikë në shtëpi, atëherë për çfarë Superioreje flasim?”, përfundoi 34-vjeçari.
FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"