“Do përballemi denjësisht me Laçin”, mbrojtësi i Teutës: Nuk kemi frikë asnjë, ja pika jonë më e fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2022 | 20:27

“Do përballemi denjësisht me Laçin”, mbrojtësi i Teutës: Nuk kemi frikë asnjë, ja pika jonë më e fortë

Blerim Kotobolli kërkon kualifikimin në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi flet për rrjedhën e përgatitjeve, por edhe gjendjen që po kalon Teuta pa harruar edhe objektivin që kanë bregdetarët. Kotobelli thekson se pavarësisht vështirësisë që ka ndeshja me Laçin, Teuta do të kërkojë fitoren.

KOTOBELLI 1

Kotobelli beson te grupi i lojtarëve për të arritur objektivat që ka Teuta.

Blerim, edhe pak ditë dhe përballeni me Laçin. Si është situata në ekip dhe a ka diçka që ju shqetëson?
Situata është normale dhe këto ditë po përgatitemi që të jemi gati në mesjavë për ndeshjen e radhës. Grupi është i plotë të gjithë lojtarët janë në formë dhe s’na mbetet gjë tjetër veçse të fokusohemi te kundërshtari i radhës.

Teuta sheh Kupën si shpëtim. Sa të vështirë e bën këtë ndeshje?
Të gjitha ndeshjet janë të vështira, pavarësisht rezultateve jo të mira të Laçit ne do hymë për të marrë rezultat të mirë dhe ky është objektivi ynë parësor. Pastaj se çfarë rezervon ndeshja është gjë tjetër, por duke parë seriozitetin e skuadrës në stërvitje, mendoj që do ta kalojmë edhe këtë ndeshje delikate.

Si mposhtet Laçi, për të arritur më pranë Kupës dhe për të shpëtuar investimet e këtij sezoni?
Kupa është një arsye më tepër dhe një kënaqësi më e madhe për të fituar një trofe. Ashtu siç ka dëshirë Laçi, edhe ne kemi dëshirën ta fitojmë një kupë. Thashë do të jetë një lojë shumë e fortë jemi përballë një ekipi të mirë, për mendimin tim, e respektojmë maksimalisht. Frikë nuk kemi asnjë skuadër dhe do të përballemi denjësisht me Laçin.

Cila është pika më e fortë e këtij grupi?
Pika më e fortë është fryma e grupit dhe marrëdhënia që kemi me njëri-tjetrin. Shumica e lojtarëve janë profesionistë edhe me eksperiencë, gjë që ndihmon akoma më shumë grupin që të ketë harmoni.

Çfarë do të sakrifikonte Kotobelli për të marrë një trofe këtë sezon?
Nuk e di se çfarë doni të nënkuptoni me këtë, por edhe në këtë moment që po flasim ne si ekip jemi duke sakrifikuar gjithçka për të arritur ato objektiva që i kemi vënë vetes tonë.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"