“Do nisem për në Shqipëri në 15 gusht”, Reja: Gatuzo e ka transformuar Hysajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2020 | 18:43

“Do nisem për në Shqipëri në 15 gusht”, Reja: Gatuzo e ka transformuar Hysajn

Edi Reja po bën gati listën e Kombëtares për dy ndeshjet kualifikuese në shtator të vlefshme për Ligën e Kombeve. E teksa ka komentuar situatën e Hysajt, trajneri i kuqezinjve ka komentuar edhe situatën ende të vështirë në vendin tonë për të fluturuar dhe luajtur lirisht për shkak të pandemisë. Për këtë, gazeta ka mësuar edhe një prapaskenë, në lidhje me mbërritjen e trajnerit në vendin tonë.
edi reja
PRAPASKENA
Edi Reja është në kategorinë e njerëzve që duhet të bëjnë lëvizje sa më të kufizuara, për shkak të fazës së moshës. Edhe gjatë periudhës së parë të pandemisë, mosha e tij kishte detyrimin për të mos lëvizur thuajse fare në qytet. Së fundmi, gazeta ka mësuar se italianit i është kërkuar në biseda të përditshme pune që të mund të mbërrijë në vendin tonë në fund të muajit korrik. Duke ditur që gjatë këtyre ditëve do të luheshin të gjitha ndeshjet që përcaktojnë verdiktet e kampionatit, mes tyre edhe finalja e Kupës së Shqipërisë, atëherë italianit i është thënë nëse do të kishte mundësi që të udhëtonte përgjatë këtij harku kohor. Mirëpo, është mësuar se italiani ka jo vetëm vështirësinë e lëvizjes nëpër aeroporte në mungesë të lirshmërisë për të fluturuar drejt Shqipërisë, por edhe për faktin se ai i druhet detyrimit për të bërë karantinë të plotë. “Shqipëria është ende mes atyre vendeve ku nuk ka një lëvizje të lirë për ndeshjet. Më 15 gusht do të nisemi për në Shqipëri. Ne do të kemi ndeshje zyrtare për të zhvilluar në fillim të shtatorit”, është shprehur shkurtimisht Reja për “Radio Kiss Kiss Napoli”.
anceloti gatuzo
GATUZO DHE ANÇELOTI
Më tej, numri një i Kombëtares ka komentuar edhe situatën e napolitanëve, por mbi të gjitha se çfarë po ndodh me kapitenin, Elseid Hysaj. “Edhe Hysaj do të jetë i grumbulluar për ndeshjet që kemi në shtator. Shpresojmë që të jetë ende në formë. Së fundmi e shoh totalisht të transformuar nga Gatuzo. Me ardhjen e tij, Napoli është ribashkuar si grup dhe është rikthyer që të jetë një ekip me harmoni. Në periudhën e Ançelotit, gjërat nuk kanë shkuar mirë dhe është humbur uniteti. Mëkat, sepse Napoli ka një grup me shumë kualitete”, ka deklaruar fillimisht Reja.
elseid-hysaj-napoli_tkrhlwt61lt41n5t4woclxo77
ELSEID HYSAJ
Për kapitenin e Kombëtares, trajneri italian ka vijuar komentin e tij duke treguar se çfarë ka ndryshuar në situatën e shqiptarit me skuadrën napolitane. “Hysaj është motivuar dhe është një futbollist i rëndësishëm. Më parë nuk ishte i qetë dhe ishte gjatë gjithë kohës nën gjykim. Në periudhën e fundit ka ndierë besimin që i ka dhënë Gatuzo dhe ambienti përreth”, është shprehur trajneri i kuqezinjve.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"