“Do mbijetojmë me katër goditje”, Çoçlli merr drejtimin e Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2020 | 12:06

“Do mbijetojmë me katër goditje”, Çoçlli merr drejtimin e Luftëtarit

Ndryshime te Luftëtari në këtë fillimviti. Përfundimisht drejtuesit e klubit ia besuan pankinën Nikolin Çoçllit, i cili në dhjetor u prezantua si drejtor teknik, ndërsa trajner u emërua Neritan Novi. Mirëpo, duke qenë se ky i fundit nuk ka ende licencën UEFA Pro, klubi bëri një zgjedhje brenda familjes. Çoçlli, një emër i njohur dikur si futbollist kampion me Partizanin dhe Tiranën, e më pas trajner i “demave të kuq” në Kategorinë e Parë, ka nisur stërvitjen prej 3 janarit në Gjirokastër, ndërsa si krah të djathtë do të ketë sërish Novin. 

Coclli Nikolin, trajneri i Partizanit

Dje, në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, Çoçlli tregoi pse mori përsipër këtë mision të vështirë, ndërkohë që konfirmoi se sulmuesi 20-vjeçar, Rimal Haxhiu, është blerja e parë. Ky i fundit ka qenë pjesë e Kombëtares U-19 dhe Partizanit.

Nikolin, nga drejtor teknik në trajner. Si erdhi ky ndryshim? 

Për të kompletuar stafin dhe që strukturat drejtuese të ishin eficente, klubi mendoi që të ketë këtë formë organizimi. Unë jam i informuar mirë për Luftëtarin dhe pranova të jem pjesë e tij. Të kthejmë Luftëtarin në identitet, siç e ka edhe në traditë Gjirokastra. Bashkë me Novin, besoj se do përmbushim objektivat tanë.

Çfarë garancie keni marrë nga klubi dhe cili do të jetë objektivi? 

Unë mbaj përgjegjësi teknike dhe për këtë detyrë më duhet të përgjigjem deri në fund. Objektiv madhor për mua si trajner është qëndrimi në Superiore i Luftëtarit dhe promovimi i elementit të së ardhmes. Luftëtari ka evidentuar shumë emra në vitet e fundit si Abazaj, Bregu etj. Duhet të kthejmë traditën, pasi këtu kam gjetur lojtarë të mirë dhe me të ardhme.

luftetari ne stervitje (1)

Shumë lojtarë janë larguar, çfarë ju bën të besoni në këtë situatë?

Unë besoj te ky grup lojtarësh me moshë shumë të re, ku më i vjetri është Aurel Demo, 23 vjeç. Duke besuar te këta djem, si dhe përforcimet e pritshme në këtë merkato dimri, jam optimist se do ia dalim.

Çfarë prisni nga merkatoja? 

Aktualisht janë larguar lojtarë si Rapo, Fili, Vyent, Renja dhe ndoshta edhe portieri Paiteris. Për mua emergjent është afrimi i një portieri, një qendërsulmuesi dhe dy mesfushorëve, duke menduar se mbrojtja është e kompletuar. Bisedimet për portierin janë në rrugën e duhur. Jemi pranë akordit dhe bëhet fjalë për një emër të njohur të kampionatit shqiptar. Me këto ndërhyrje, duke shtuar këtu edhe të rinjtë si Lala, Çela, Qato, Lika dhe më i fundit Haxhiu, që kanë qenë pjesë e Partizanit, do bëjmë gjithçka për të arritur qëllimin.

Luftëtari ka probleme financiare, çfarë ju kanë thënë drejtuesit? 

Derisa erdha këtu dhe mora drejtimin e Luftëtarit, besoj se gjërat do shkojnë për mirë. Me shumë përkushtim Luftëtari do mbijetojë në Superiore.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"